Afërsia në fotografi nuk dëshmon afërsi politike, media mos të manipulojë

ë 11 shkurt në Kuvend u ratifikua marrëveshja Veriatlantike. Të ftuar ishin krerët shtetëror të vendeve fqinje, përfaqësues të NATO-s, krerët e vendit dhe liderët politik. Mënyra se si ishin ulur të ftuarit në sallën “Maqedonia” në Kuvend, nuk ishte zgjedhje personale e tyre dhe nuk ka ndonjë prapavijë të fshehur siç pretendon artikulli që e recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: VIDEO/ Bilall Kasami ngjitur me Hristijan Mickoskin e VMRO-së!

Data dhe koha e publikimit: 11.02.2020, ora 20:53

Data e recensionit: 16.02.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Titull manipulues

Titulli i tekstit është tendencioz. Autori aludon në mundësinë e një domethënie për faktin që kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, janë të ulur afër njëri-tjetrit. Kjo, sipas autorit, tregon afërsi mes Besës dhe VMRO-së.

Sot në Kuvendin e Maqedonisë janë parë të ulen ngjitur me njëri – tjetrin, Bilall Kasami dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ndryshe, këtu nuk është shfaqur për herë të parë afërsia BESA-VMRO. Muaj më parë Bilall Kasami u takuan me kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski – shkruhet në tekstin që recensojmë.

Ky tentim për manipulim bie shpejt në ujë. Në sallën “Maqedonia” të Kuvendit, të gjitha ulëset janë të definuara qartë se për kë janë të rezervuara. Secili deputet dhe anëtar i qeverisë e ka ulësen e tij.
Në raste të seancave të këtilla festive dhe të jashtëzakonshme, një pjesë e ulëseve rezervohen për të ftuarit. Kush, ku do të ulet është vendim i ekipit të protokollit të Kuvendit. Ulëset e liderëve politik të cilët nuk janë deputetë dhe as anëtarë të ekzekutivit parashihet të jenë në njërën anë. Natyrisht që ato do të jenë afër njëra tjetrës por kjo nuk përcaktohet nga afërsia që ata kanë si subjekte politike ose si ideologji politike.

Dëshmi shtesë për këtë është vetë fotografia që është publikuar me tekstin. Në ulëset në fjalë shihen mbishkrimet me emrat e kryetarëve të partive politike dhe të ftuarve të tjerë.

Teknikat e manipulimit

Gazetari ka bërë analogji të rreme kur ka lidhur momentin e uljes krah për krah të Mickoskit me Kasamin me afërsinë eventuale politike të tyre. Të dy mund të jenë dy fakte në vete por që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën. Ai ka dashur të mbështesë supozimin ose teorinë e tij me prova selektive, duke bashkëngjitur në tekst një fotografi dhe të dhëna nga një takim i mëhershëm i dy liderëve. Këto metoda sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Lexuesi mund të bie lehtë pre e këtyre manipulimeve nga ana e gazetarit për një arsye të thjeshtë, ai nuk e din se si funksionon organizimi i këtyre seancave dhe nuk e din se kush i cakton vendet e të pranishmëve. Por, gazetari duhet ta dijë këtë. Në rast se ka dyshime të cilat dëshiron t’i konfirmojë në lidhje me afërsinë e mundshme mes dy partive, autori duhet të shkojë përtej një fotografie, e cila, në këtë rast, nuk dëshmon asgjë. Gazetari duhet ta konfirmojë informacionin e tij.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.