A janë hapur vërtet negociatat për Maqedoninë e Veriut?
Bashkimi Europian shpalli zyrtarisht hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 korrik. Por ndërsa Shqipëria pret hapin e radhës në lidhje me procesin integrues, që pason hapjen e negociatave, për Maqedoninë situata është krejt ndryshe. Pengesa në këtë rast është i ashtuquajturi propozimi francez, që në thelb përbën një kusht për t’u përmbushur nga RMV, ndryshimi i kushtetutës duke njohur pakicat bullgare, në mënyrë që të meritojë praktikisht hapjen e negociatave.
Patris Pustina
Maqedonia e Veriut, aktualisht ndodhet në procesin e shqyrtimit të ligjeve të Bashkimit Europian, në të cilin një vend familiarizohet me legjislacionin e BE dhe detyrimet që ato nënkuptojnë, ndërsa, në të njejtën kohë Komisioni Europian ekzaminon nivelin e përgatitjes së tij. Ky proces është hapi i parë në procesin më të gjatë të negociatave të anëtarësimit.
Zyrtarisht, Bashkimi Europian shpalli hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 Korrik 2022. Kjo erdhi 17 vite pasi Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat, dhe 13 vite pas rekomandimit fillestar të Komisionit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me RMV.
Në fjalimin e saj të 19 Korrikut, von der Leyen foli për “durimin strategjik, me bollëk” të treguar nga dy shtetet. Por edhe sa durim strategjik do t’u duhet të vazhdojnë të tregojë Republika e Maqedonisë së Veriut?
Propozimi Francez
Në Tetor 2019, Bullgaria paralajmëroi se mund të bllokonte procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, nëse ky shtet nuk përmbushte një sërë kërkesash sa i përket asaj që Bullgaria quan “ideologjisë anti-Bullgare” në vend. Bullgaria insiston se identiteti dhe gjuha Maqedonase kanë origjinë bullgare, dhe se popullsia bullgare në Maqedoninë e Veriut është e shtypur. Bullgaria gjithashtu këshilloi BE të mos përdorte termin “gjuha maqedonase”, por “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut,” sepse Sofia insiston se gjuha maqedonase është në të vërtetë dialekt i gjuhës bullgare.
Në përfundim të mandatit të Francës në krye të Këshillit Europian, presidenti francez Macron propozoi një zgjidhje për krizën bullgaro-maqedonase në formën e një marrëveshjeje kompromisi. Në 24 qershor, parlamenti bullgar adoptoi të ashtu-quajturin propozim francez, duke hequr kështu veton ndaj RMV.
Pranimi i propozimit francez nga Maqedonia e Veriut ishte më i vështirë. Megjithëse kuvendi miratoi propozimin më 16 korrik, kjo ishte e mundur vetëm me 68 vota të mazhorancës, ndërsa deputetët opozitarë nuk morën pjesë në votim.
Propozimi francez është një dokument çuditërisht i vështirë për t’u gjetur. Përpara miratimit nga secila qeveri, ai iu dërgua palëve por nuk u bë publik. Kur u interesua për përmbajtjen e tij, revista belge The Brussels Times u referua nga zëdhënësit e KE tek faqja online e qeverisë maqedonase, ku janë publikuar tre dokumente të ndryshme lidhur me hapjen e një konference ndërqeveritare dhe pozicionin e KE.
Konkluzionet e Këshillit Europian përshëndesin “synimin e Maqedonisë së Veriut për të filluar dhe me prioritet t’i arrijë ndryshimet relevante kushtetuese, me qëllim që në kushtetutë të përfshihen qytetarë që jetojnë në suaza të kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët,” në pikën 4. Dokumenti, më pas, vijon duke kushtëzuar mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, dhe hapjen e fazës tjetër të negociatave, me “përfundimin e ndryshimeve të lartë theksuara kushtetuese në pajtueshmëri me procedurat e saja të brendshme.”
Më thjesht, për të vazhduar rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, RMV do të duhet të ndryshojë kushtetutën e shtetit. Këto amendamente kushtetuese, sipas ligjit maqedonas, duhet të miratohen me 2/3 e votave të parlamentit, ose 80 vota nga parlamenti 120 vendësh i RMV. Maqedonia e Veriut ka gati një vit kohë në dispozicion, ndërkohë që BE vlerëson legjislacionin dhe institucionet e vendit, për të kryer këto ndryshime.
Duke qenë se mazhoranca qeveritare aktualisht mban vetëm 61 vende, nuk ka mjaftueshëm vota për të miratuar ndryshimet kushtetuese të parashikuara në propozim. Partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE, koalicioni i së cilës ka 56 vende në kuvend, është shprehur se nuk do të bjerë kurrë dakord për ndryshimin e kushtetutës.
Referendume, protesta, dhe opinioni publik
Protesta kundër të ashtuquajturit propozim francez filluan që në Korrik në Shkup. Mijëra qytetarë maqedonas demonstruan në kryeqytet kundër propozimit që ata e quajtën poshtërues dhe kundër interesave kombëtare.
Më 9 shtator 2022, partia opozitare VMRO-DPMNE depozitoi në Kuvendin e RMV nismën për një referendum kundër marrëveshjes së miqësisë së vitit 2017 me Bullgarinë, me arsyetimin se kjo e fundit ishte “antikombëtare dhe antishtetërore pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e hodhi poshtë nismën si në kundërshti me Kushtetutën e vendit. Ai e argumentoi këtë vendim duke thënë se “marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.
Megjithatë, një parti tjetër opozitare, Levica, paralajmëroi më 23 shtator se do të depozitonte një nismë tjetër për referendum, të formuluar, sipas liderit Dimitar Apasiev, në mënyrë që kësaj here të mos mund të anullohet mbi baza ligjore.
Negociatat varen nga vullneti i mirë i Bullgarisë
Përveç ndryshimit kushtetues, propozimi francez bën pjesë të kornizës së negociatave me BE marrëveshjet bilaterale të RMV me Greqinë dhe Bullgarinë.
Në pikën 5 të Kornizave Negociuese që shoqërojnë propozimin francez përfshihet parashikimi se përparimi i negociatave do të përcaktohet nga progresi i RMV në përgatitjen për anëtarësim. Ky progres do të matet specifikisht, ndër të tjera, me “përkushtimin ei Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, duke përfshirë edhe arritjen e rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale me vullnet të mirë, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e vitit 2017 për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë .”
Dokumenti me konkluzionet e KE për zgjerimin i referohet gjithashtu “protokollit të takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar” dhe e quan atë një hap të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një protokoll që do të mundësojë forcimin dhe angazhimin dypalësh në promovimin e marrëdhënieve bilaterale, firmosur më 17 korrik nga Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe RMV si pjesë e propozimit francez.
Në Qershor kryeministri maqedonas Dimitar Kovačevski deklaroi se zgjidhja e propozuar nga BE “ duhet të jetë gjithëpërfshirëse me garanci se pas kësaj nuk do të ketë kërkesa të tjera në raport me integrimin tonë në Bashkimin Evropian.” Megjithatë, fakti që përparimi i negociatave kushtëzohet nga marrëdhëniet e mira fqinjësore me Bullgarinë, praktikisht nënkupton se kjo e fundit mund të ndalojë rrugëtimin e RMV drejt BE kurdo, duke pretenduar se RMV nuk po i përmbahet Marrëveshjes së Miqësisë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari