Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë ndryshime edhe përkrah fitores së BDI-së me ndihmën e LSDM-së

 

 

Edhe pse një pjesë e ekspertëve dhe opinionit pritën një betejë më të ngushtë mes dy koalicioneve kur bëhet fjalë për numrin e komunave të mara në bllokun politik shqiptarë, përsëri, BDI arriti të konfirmoj epërsinë e rrethit të parë dhe me ndihmën e LSDM-së në rrethin e dytë arriti fitore në 7 komuna, ndërsa 4 komuna i takuan koalicionit BESA-ASH

 

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale Maqedonia i njohu edhe 35 kryetarët e rinj të komunave, procesi i votimit kaloi qetë dhe më parregullsi minimale. Të paktën kështu e vlerësuan një pjesë e mediumeve dhe e opinionit, ndërsa konstatime të ngjashme dhanë edhe vëzhguesit e vendit dhe ato ndërkombëtarë, siç janë OSBE dhe MOST. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale ishte i rëndësisë së lartë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave nëpër qytet me shumicë shqiptare, ku u votua gjithsej në 13 komuna.

SHQIP

 

FITORE E BDI-SË ME NDIHMËN E LSDM-SË NË 7 KOMUNA, BESA-ASH NË 4

Edhe pse një pjesë e ekspertëve pritën rezultate më të ngushta dhe luftë për çdo votues, si edhe mundësi eventuale që në shumë komuna të ketë kthesë dhe të fitojë opozita, përsëri, BDI me ndihmën e LSDM-së arrit që të fitojë në më shumë komuna me shumicë shqiptare dhe që të vërtetojë epërsinë nga rrethi i parë. BDI në rrethin e dytë fitoi në Tetovë, Çair, Saraj, Tearcë, Dollnen, Dibër dhe arrit që të kthej Strugën me fitoren e Ramiz Merkos kundër kandidatit të Aleancës për Shqiptarët (ASH) Zijadin Sela. Por, as me ndihmën e LSDM-së nuk arrit të fitojë në Gostivar, ku në katër vitet e ardhshme me të do të udhëheq Arben Taravari nga koalicioni BESA-ASH. Aleanca për Shqiptarët në koalicion me BESË-n arriti fitore në Bogovinë dhe në Vrapçisht. Ndërsa, kandidati i BESË-së Blerim Sejdiu nga koalicioni BESA-ASH arriti fitore të ngushtë në Komunën e Zhelinës. Kështu, me tre komuna më shumë nga koalicioni dhe me rezultate të ngushta, BDI shpalli fitore në këto zgjedhje në 9 komuna, prej të cilave 2 në rrethin e parë dhe 7 në rrethin e dytë, përderisa në 4 fitoi koalicioni ASH-BESA. Fitore korri edhe Enver Pajziti si kandidat i pavarur në Komunën e Bërvenicës, ndërsa Azem Sadiku nga radhët e PDSH-në katër vitet e ardhshme do të udhëheq me Komunën e Studeniçanit.

Se BDI mori një pjesë të madhe të votave në krah të LSDM-së flasin edhe numrat. Për shembull, kandidati i Strugës, në rrethin e parë të zgjedhjeve mori 7.916 vota ose 25.80%, ndërsa LSDM kishte 7,140 vota ose 23,7%. Në rrethin e dytë, Ramiz Merko fitoi me pothuajse dyfishin e votave në krahasim me rrethin e parë -13.945, ndërsa nga ana tjetër, humbi pothuajse në të gjithë vendbanimet shqiptare. Ndërsa Zijadin Sela, kishte rritje vetëm për 3,868 vota. Në Tetovë, Teuta Arifi  nga radhët e BDI-së mori 13,265 ose 33,18%, ndërsa në rrethin e dytë mori 18,163 vota ose 4.871 më tepër. Koalicioni ASH-BESA kishin rritje më të vogël në krahasim me rrethin e parë në zgjedhjet lokale, ku kandidatët e ASH-BESA së bashku kishin 13,641, ndërsa në rrethin e dytë 17.113 ose vetëm 3.472 më tepër.

BDI ka humbur një pjesë të konsiderueshme të votave në elektoratin shqiptarë, me çka edhe votat e LSDM-së ishin kyç për fitoren e tyre pothuajse në të gjithë komunat, e veçanërisht në Tetovë dhe në Strugë, vlerëson profesori universitar Jeton Shasivari:

Krejt analizat flasin se, rezultati i gjithmbarshëm i BDI-së në këto zgjedhje lokale, e posaçërisht rezultati i saj në Strugë, Çair dhe Tetovë pa ndihmën e plotë të LSDM-së do të ishte i paarritshëm. Kësaj duhet shtuar edhe jehonën më të ulët në rrethin e dytë si dhe dallimin e ngushtë në vota të fituesve, vlerëson Shasivari.

Shasivari vlerëson se edhe një herë në këto zgjedhje u vërtetua mënyra jo racionale  e ndarjes territoriale e pushtetit lokal:

Zgjedhjet e fundit lokale edhe njëherë konfirmuan mënyrën jo racionale t organizimit territorial të pushtetit lokal, me ç’rast ekziston një diskrepancë e madhe e votave për tu bërë kryetar komune. Për shembull, dy rastet e skajshme në nivel vendor, kryetari në Vevçanit u zgjedh me vetëm 870 vota, dhe ai në Komunën e Manastirit me 31.337 vota.

Shasivari vlerëson se nuk ka ndonjë rezultat tejet befasues në bllokun shqiptarë. Për të surpriza më e madhe ishte fitorja e LSDM-së në 57 komuna, dhe nga ana tjetër, debakli i VMRO-DPMNE-së nën udhëheqjen e Nikolla Greuvskit me vetëm 5 komuna, gjatë të cilave ai humbi edhe komunat si Buteli dhe Gazi Baba, në vende ku partia tradicionalisht ka pasur mbështetje të dukshme.

Analisti Bujar Plloshtani,  vlerëson që edhe përkrah fitores së BDI-së, deri te e cila erdhi me ndihmën e madhe të LSDM-së, përsëri vullneti i votuesve shqiptarë është për ndryshime dhe rotacion politik te blloku shqiptarë. Ai vlerëson se BDI arriti të fitojë në shumicën e komunave vetëm për shkak të ndihmës së madhe dhe të drejtpërdrejtë që i erdhi nga kryeministri Zoran Zaev:

Vlerësimet e mia për rezultatet në rrethin e dytë zgjedhor në bllokun e subjekteve politike shqiptare tejkaluan parashikimet. Koalicionet shqiptare, ai në mes koalicionit ASH-BESA ishte një bashkërendim dhe unifikim i frontit për kthimin e vullnetit të shumicës së shqiptarëve në anën e tyre, ndërsa blloku tjetër, ai në mes LSDM-BDI ishte një bashkërendim i politikave për të mbajtur nën kontroll pushtetin e komunave nën drejtimin e tyre. Në këto zgjedhje lokale rezultatet dëshmuan se vullneti i shqiptarëve është për ndryshim, pra vullneti i shumicës në tërësi përcaktoi dëshirën për rotacion politik, pavarësisht pengesa reale që u karakterizuan nga rrethana që tashmë opinioni i ka të njohura. Rezultati i raundit të parë tregoi vullnetin e qytetarëve se është për ndryshimin e politikave, dhe në anën tjetër dhanë porosinë për bashkërendimin dhe unifikimin e spektrit opozitar, dhe ky bashkërendim rezultoi të sjellë rezultate deri diku të kënaqshme. BDI e fitoi pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare falë përkrahjes së madhe të LSDM-së. Mirëpo, këtë fitore të tyre e shoh si një fitore që erdhi pasojë e kyçjes së drejtpërdrejtë të kryeministrit Zoran Zaev në fushatën e BDI-së. Vlerësoj se shumica e vullnetit të shqiptarëve është drejtuar për ndryshimin dhe rotacionin politik.

DEKLARATAT E LIDERËVE SHQIPTARË

Në Maqedoni u shua një parti e shqiptarëve dhe tani BDI lirisht mund që të vlerësohet si organ i LSDM-së”, deklaroi mbrëmë kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, duke shtuar se, nëse merren parasysh vetëm votat e shqiptarëve, koalicioni i tyre ka më shumë vota në krahasim me BDI-në. Sipas tij, fitorja është e LSDM-së, dhe jo e BDI-së dhe pa ndihmën e votave të LSDM-së, BDI nuk do të fitonte në Tetovë, por as edhe në komunat e tjera. Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, po ashtu, nuk i pranoi rezultatet e votimit në Strugë, ku, siç thotë, ka pasur blerje dhe frikësim të votuesve nga aktivistët politik së bashku me policinë e “shtetit ligjor”. “Jo nuk e pranoj këtë rezultat”, komentoi Sela dhe paralajmëroi se do të dërgoj ankesa në Komisioni Komunal dhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Ai, po ashtu, porositi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin se e presin zgjedhjet e parakohshme dhe theksoi se lideri i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev, edhe pse deklaron se është për jetë, bashkëjetesë dhe barazi, siç tha, me mbështetjen ndaj BDI-së edhe më shumë thelloi ndarjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Strugë. Sipas tij, të gjithë votat e LSDM-së shkuan për Merkon edhe ky rezultat është i papranueshëm për shkak të frikësimeve policore ndaj votuesve, blerjen e votave…“Nëse dikush ka dashur që të sulmoi legjitimitetin tim si kryetarë i Aleancës për Shqiptarë, tano jam më i fortë. Ali Amehti të pres në zgjedhje”, përfundoi Sela. Zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare kërkoi edhe Bilall Kasami nga BESA, i cili tha se partia e tyre është e gatshëm për zgjedhje të reja.

Nga ana tjetër, në natën e të dielës Ali Ahmeti shpalli fitore në zgjedhjet lokale dhe porositi se qeveria qendrore do të mbështet të gjithë komunat pa dallim nëse janë në kontrollin e tyre ose jo.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *