ANALIZË: Treguesit për gjysmëvjetorin e parë ekonomik – në tregti, industri, ndërtimtari!

Mungesa e stafit të trajnuar, kërkesa e dobët nga konsumatorët, rritja e kostove të punës dhe rritja e konkurrencës në treg janë katër faktorët kryesorë që kanë ndikim më të madh në kufizimin e gjendjes ekonomike të firmave të angazhuara në tregtinë me pakicë. Statistika shtetërore ka regjistruar rënie të prodhimit industrial në pako me një rënie të numrit të të punësuarve në industri në qershor të këtij viti në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ja çfarë tregojnë të dhënat për aktivitetin ekonomik dhe situatën në sektorë të ndryshëm:

Industri – ulje e numrit të të punësuarve dhe e prodhimtarisë industriale..

Në qershor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, statistikat regjistruan një rënie prej 2.8% në numrin e të punësuarve në industri. Tendencë rënëse në numrin e të punësuarve ka edhe në nivel vjetor, ndërsa për 1% është zvogëluar numri i të punësuarve nga janari deri në qershor në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo situatë është regjistruar në sektorët që thithin numrin më të madh të të punësuarve, kështu që në industrinë e përpunimit në qershor të këtij viti në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, numri i të punësuarve është zvogëluar për 3%, në sektorin e minierave dhe guroreve rënia ishte 1.9% dhe në sektorin “furnizim me energji elektrike dhe gaz” numri i punëtorëve është zvogëluar për 0.5%.

“Në industri në qershor të vitit 2019, në krahasim me qershorin e vitit 2018, ka rritje në prodhimet kapitale prej 3.7%, ndërsa rënie prej 1.3% ka te energjia, te produktet e ndërmjetme përveç energjisë rënia është 3.5%, te mallrat e qëndrueshme konsumatore  – 5.0%. dhe mallra jo të qëndrueshme konsumatore – 5.1%” – njoftoi Enti Statistikor.

Si pararendës të këtyre treguesve, statistika e shtetit publikoi se në fund të gjysmës-vjetorit të parë të vitit, prodhimi industrial ka shënuar rënie prej 2.7% krahasuar me qershorin e vitit 2018.

Rënia në sektorin e Përpunimit është kryesisht rezultati i zvogëlimit të prodhimit në sektorët e mëposhtëm: prodhimi i ushqimit, prodhimi i pijeve, produktet e duhanit, prodhimi i veshmbathjes, lëkurës, metaleve dhe prodhimi i produkteve kompjuterike, elektronike dhe optike “- shpjegojnë nga statistika shtetërore” .

Prodhimi industrial në periudhën janar – qershor 2019 u rrit për 4.8% krahasuar me periudhën janar – qershor 2018.

Situata në tregti – besimi i menaxherëve po zvogëlohet

Menaxherët e shitjes me pakicë shprehin ulje të besimit në fund të gjysmë-vjetorit të parë ekonomik. Në fakt, në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë treguesi i besimit në këtë sektor u ul për 0.2 për qind, mirëpo shënoi rritje prej 0.4 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të 2018-ës.

“Situata ekonomike e subjekteve afariste në tremujorin e dytë të vitit 2019 është më pak e favorshme sesa në tremujorin e kaluar dhe është më e favorshme sesa në të njëjtin tremujor të 2018-ës. Pritet të jetë më pak e favorshme edhe në dy tremujorët e ardhshëm. Sasia e rezervave është në të njëjtin nivel si në tremujorin e kaluar. Situata financiare në tremujorin e dytë të vitit 2019 është më e favorshme sesa në vitin e kaluar. Vlerësimi i porosive të pritura për periudhën e ardhshme është se ato do të ulen, si dhe numri i të punësuarve ”- publikon Enti Statistikor Shtetëror.

Përndryshe, në sektorin “tregti me pakicë” çmimet e shitjeve në tremujorin e dytë të vitit 2019 janë rritur në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe ato pritet të rriten në tre muajt e ardhshëm.  Ja cilët faktorë kanë ndikim më të madh në kufizimin e situatës ekonomike të kompanive gjatë tremujorit të dytë të 2019-ës:

  • mungesa e kuadrit të trajnuar me 21.0 %
  • kërkesa e ulët nga blerësit me 20.2 %
  • rritja e kostove të punës 18.4 %
  • rritja e konkurrencës në treg me 16,8 %.

Gjendja në ndërtimtari – besimi i menaxherëve po rritet

Për dallim nga pritjet dhe vlerësimet e situatës së tregtisë me pakicë, në ndërtimtari, sipas menaxherëve të këtij sektori, besimi në situatën ekonomike në tremujorin e dytë po rritet. Përkatësisht, treguesi i besimit në tremujorin e dytë të vitit 2019 është më i lartë për 0.2 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2019, dhe është më i lartë për 0.7 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të 2018-ës.

“Pritjet për porositë e përgjithshme (kontratat) për punët në ndërtimtari janë më të favorshme në krahasim me tremujorin e kaluar. Pritet që numri i të punësuarve të rritet. Vlerësimi i situatës ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2019 është më i favorshëm se në tremujorin e kaluar, dhe është gjithashtu më i favorshëm se në tremujorin e dytë të 2018-ës. Situata aktuale me porositë (kontratat) e subjekteve të biznesit është më e favorshme në krahasim me tremujorin e kaluar, ndërsa vlerësimi i gjendjes financiare është më pak i favorshëm”- thonë nga Enti Statistikor.

Në periudhën e ardhshme, sipas vlerësimeve të menaxherëve, pritet që çmimet e shitjeve në ndërtimtari të rriten, ndërsa numri dhe cilësia e makinerive dhe pajisjeve do të jetë mbi normale. Faktorët e mëposhtëm kanë ndikimin më të madh në kufizimin e përmirësimit të aktivitetit aktual të ndërtimit: mungesa e kërkesës me 18.5%, rritja e kostove për materiale me 17.9% mungesa e kuadrit të trajnuar me 15.6% dhe konkurrenca në sektorin e vet me 12.0%.

Në nivel shtetëror, Prodhimi i brendshëm bruto në tremujorin e parë ishte 4.1%, që është njëra nga përqindjet më të larta të rritjes të matur në vitet e kaluara.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësi, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .