ANALIZË: Për katër vjet, RMV vetëm në bazë të kryegjësë duhet të kthejë borxh prej 2.3 miliardë eurosh!

 

Në vlerë absolute, borxhi i përgjithshëm publik i vendit në fund të tremujorit të parë të këtij viti arrin në 5.24 miliardë euro ose 46.2% të PBB-së. Sipas krijuesve të politikave fiskale, borxhet e vitit 2017 kanë një trajektore rënëse, ndërsa sipas opozitës, qeveria vazhdon me marrjen e kredive që nuk japin një shtysë pozitive për rritjen ekonomike, shkuan analiza javore ekonomike e Portalb.mk Ku është e vërteta, a është vendi në një zonë të qëndrueshme të borxhit dhe sa borxh dhe për çfarë arsye do të paguajë shteti në vitet e ardhshme?

 

Shkruan: Aneta Dodevska

 

ÇFARË DO TË NDODHË ME BORXHET E SHTETIT DHE SI DO TË MENAXHOHEN ATO?

Krahasuar me nivelin mesatar të ngarkesës me borxh të ekonomive të Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut ende konsiderohet si vend me një nivel të moderuar të borxhit, gjegjësisht borxhi shtetëror në fund të tremujorit të parë të këtij viti është 4.34 miliardë euro, ose 38.3% e PBB-së, ndërsa borxhi publik (duke e përfshirë edhe borxhin shtetëror) është 46.2% e PBB-së. Strategjia e re fiskale 2020-2022 parashikon që niveli i borxhit të përgjithshëm publik të mos kalojë 60% të PBB-së. Dokumenti i ri zbulon se vitin e ardhshëm shuma maksimale e huamarrjes (borxhit shtetëror) është “betonuar” në 400 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë është parashikuar rritje e borxheve të garantuara të ndërmarrjeve publike pas të cilave do të qëndrojë shteti.

Burimet e financimit të siguruara nga huamarrja në vitin 2019 do të dedikohen po ashtu edhe për financimin e pjesshëm të pagesave që do të maturojnë në tremujorin e parë të vitit 2020. Kufiri maksimal afatshkurtër i borxhit neto (vendas dhe të huaj) në bazë të borxhit shtetëror në vitin 2020 është përcaktuar në 400 milionë euro.  Në periudhën 2019-2021, pritet intensifikimi i investimeve në fushën e infrastrukturës rrugore, të cilat zbatohen me hua të garantuara nga shteti. Prandaj, pritet një rritje e statusit të borxhit të garantuar dhe përcaktohet një kufi maksimal i huamarrjes neto si rezultat i borxhit të garantuar në vitin 2020 deri në 250 milionë euro – thuhet në Strategjinë fiskale..

Një pjesë e kredive të reja, përveç për mbulimin e deficitit buxhetor, gjegjësisht për pagesat aktuale, do të përdoren gjithashtu edhe për t’i shlyer borxhet e vjetra. .

Në periudhën e ardhshme maturojnë për pagesë një sasi e konsiderueshme e detyrimeve të marra më parë, gjegjësisht në 2019-2022 duhet të paguhen gjithsej 2.3 miliardë euro në bazë të kryegjësë së borxhit të qeverisë qendrore dhe borxhit të garantuar – zbulon Strategjia fiskale në të cilën po ashtu përmenden edhe kreditë që duhet të kthehen:

 

Në vitin 2020 dhe 2021, duhet të paguhen rreth 835 milionë euro vetëm si rezultat i tre huave të mëdha të mëparshme (kësti i dytë nga kredia e marrë nga PBG, e nënshkruar në vitin 2013 në vlerë prej 155 milionë euro,euro-kambiali prej 500 milionë eurove i emetuar në vitin 2014 vit dhe mbetja e euro-kambialit prej 180 milionë eurove të emetuar në vitin 2015), si dhe pagesa të tjera të borxheve në tregun e brendshëm dhe të huaj. Një sfidë e veçantë për menaxhimin efikas të rrezikut të rifinancimit pritet në vitin 2020 dhe 2021, kur do të maturojnë rregullisht euro-kambialet e emetuara në vitin 2014 dhe 2015 (me vlerë të përgjithshme prej 678 milionë eurosh), si dhe kësti i dytë për shkak të kredisë së siguruar me garanci të bazuar në politikat e Bankës Botërore (PBG – Policy based guarantee) në vlerë prej 155 milionë eurosh

Si paraardhëse e këtyre pagesave, në janar të vitit 2018, Ministria e Financave bëri shpengimin e hershëm të një pjese të euro-kambialit të emetuar më parë, gjë që e reduktoi shumën për rifinancim në vitin 2020.

Plani për të ndryshimin e deficitit dhe të borxheve në periudhën e ardhshme :

                                               viti 2019             viti 2020         viti 2021       viti 2022 

Borxhi shtetëror (i PBB-së)      42,2%                  41,9%             39,8%            39,0%

  Borxhi publik (i PBB-së)             51,7%                   52,3%            50,8%            49,1%

Disa ekonomistë komentojnë se nuk janë kundër marrjes së huave të reja, por mbetet pyetja se ku dhe si do të shpenzohen kreditë.

Sipas ekonomistëve, dy çështje janë të rëndësishme – ritmi i huamarrjes dhe çështja se ku dhe për çka do të shpenzohen kreditë, gjegjësisht paratë e huazuara.

Nga gjithçka që është marrë si hua në tregun financiar ose nuk janë investuar në mënyrë adekuate, ose nuk ka fare efekte nga investimet, ose ka nivel të lartë keqpërdorimit me mjetet publike. Sipas të dhënave të BPM-së. Borxhi i jashtëm bruto (publik dhe privat) në periudhën 2006-2017 është rritur për më shumë se tre herë, ndërsa vlera e shtuar në të njëjtën periudhë është rritur për pak më shumë se dy herë. Vlera e përgjithshme shtesë margjinale e shtuar në periudhën 2006-2017 është më e ulët se sa vlera e huamarrjes së jashtme, që do të thotë se për çdo euro nga huamarrjet e jashtme kemi rritje të vlerës së re të krijuar prej 0.88 eurosh, gjë që tregon se vlera shtesë e sapo krijuar është e pamjaftueshme për mbulimin në kohë të mjeteve të huazuara dhe të shpenzimeve të huamarrjes – shpjegojnë analistët ekonomikë.

SI DHE KUR FILLOI TRENDI I RRITJES SË BORXHEVE?

Analiza e të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave tregon se niveli më i ulët i borxhit të përgjithshëm publik si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) është matur në vitin 2008 kur ishte 23%, dhe kjo rënie e nivelit të borxhit ishte rezultat i shlyerjes së parakohshme të kredive dhe detyrimeve ndaj një pjese të huadhënësve dhe financuesve ndërkombëtarë. Por, menjëherë në vitin 2009, borxhet filluan të rriten, dhe kjo situatë e arriti kulmin në vitin 2016 kur borxhi publik arriti në 48.8% të PBB-së.

Borxhi publik është njëra nga temat e debateve partiake midis pushtetit dhe opozitës..

Borxhi publik e tejkaloi kufirin psikologjik prej 5 miliardë eurosh, ndërsa qytetarët nuk vërejtën asnjë përfitim nga huamarrjet e përditshme. Nuk ka shkolla dhe konvikte të reja studentore, nuk ka spitale të reja, e po ashtu edhe ato që mbetën po shkatërrohen, si dhe nuk ka investime në ndërtimtari – deklaruan nga partia opozitare, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja me përgjigje:

Nuk ka hipokrizi më të madhe se VMRO-DPMNE-ja të flasë për ekonominë dhe huamarrjen, kur ajo është partia që për disa vite e dyfishoi borxhin publik dhe krijoi kolaps në ekonomi Frekuenca e huamarrjes është zvogëluar, janë zvogëluar edhe përqindjet e kamatave dhe me përgjegjësi kthehen borxhet e krijuara pikërisht nga VMRO-DPMNE-ja.

Sipas metodologjisë aktuale të matjes së borxhit publik, në të hyn borxhi shtetëror që i përfshin huatë e jashtme dhe të brendshme të qeverisë qendrore, të fondeve publike dhe të komunave, si dhe borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike dhe i shoqërive aksionare në pronësi shtetërore.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.