АNALIZË: Borxhi shtetëror publik dhe rreziqet: kredi të reja vetëm për të krijuar vlerë të re!

Kreditë që do të përfundojnë për projekte me vlerë të shtuar dhe që do ta nxisin rritjen ekonomike janë të arsyeshme. Përndryshe, do të kemi vazhdim të politikave ekonomike që vetëm e “ushqenin” populizmin – komentojnë disa ekonomistë pas publikimit të Strategjisë së re fiskale 2019-2020, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Me këtë dokument të ri parashihet rritje e borxhit të përgjithshëm publik në gati 54%. Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë për kujdes në menaxhimin e financave publike, duke qenë se përqindjet e pritura të rritjes ekonomike ende janë rreth 3.5%.

Do të rritet ngarkesa me borxhe – ekonomistët paralajmërojnë për kujdes…

Deri në tremujorin e parë të vitit, borxhi publik përbënte 47.2%, ndërkohë që niveli i borxhit shtetëror, ku janë të përfshira edhe kreditë e qeverisë qendrore, fondeve publike dhe të komunave, përbënte 39.7%. Sa i përket situatës në fund të vitit 2017, kur borxhi publik ishte 47.6%, në tremujorin e parë të vitit 2018 u regjistrua një rënie prej 0.4%.

 

Në terma absolutë, sipas të dhënave më të fundit që janë dispozicion, borxhi publik arrin në 5.08 miliardë euro, që është niveli më i lartë që është regjistruar ndonjëherë.

Sipas parametrave aktualë, ekonomia e Maqedonisë ende është në grupin e vendeve me nivel të ulët apo mesatar të ngarkesës me borxhe, por me Strategjinë e re fiskale 2019-2020, qeveria planifikon ta rrisë borxhin publik deri në 53.8%. Këto parashikime, për disa ekonomistë janë të pritura në një situatë kur me të hyrat aktuale nuk mund të financohen investime më të mëdha të infrastrukturës publike.

“Është shumë e arsyeshme që qeveria për periudhën 2018-2020 të parashikojë rritje të huamarrjes publike, e vetëdijshme se nga të ardhurat ekzistuese fiskale dhe të ardhurat e tjera nuk mund të sigurojë fonde të mjaftueshme për të financuar projekte të rëndësishme të infrastrukturës dhe projekte të tjera, të cilat në esencë e nxisin rritjen ekonomike. Çdo huamarrje që ka për qëllim rritjen e kapacitetit prodhues të ekonomisë së vendit është ekonomikisht e arsyeshme, në qoftë se, të ardhurat margjinale (vlera e re e krijuar) është më e madhe se kostoja margjinale e huasë. Përndryshe, nëse efektet e borxhit nuk shoqërohen me rritja adekuate të PBB-së, atëherë huaja e tillë është ekonomikisht e paqëndrueshme, sepse, efektet kthyese nga huaja janë të pamjaftueshme për t’i mbuluar kostot e huasë”, – thotë për Portalb.mk profesori universitar Sami Bislimi.

Në dokumentin e ri që i përcakton konturat e politikës fiskale në periudhën e ardhshme, qeveria thekson se do të rritet marrja e kredive, mirëpo se ato do të kontrollohen në mënyrë rigoroze.

“Për ta ruajtur nivelin e borxhit publik në një nivel të qëndrueshëm, pa e komprometuar në këtë rast qëndrueshmërinë fiskale, përcaktohet që kufiri i borxhit të përgjithshëm publik në afat të mesëm dhe të gjatë të mos e kalojë nivelin prej 60% të PBB-së” – shkruan në Strategjinë fiskale, ku thuhet se shkaku kryesor për rritjen e borxheve do të jetë intensifikimi i ritmit të realizimit të investimeve kapitale.

“Në afat të mesëm pritet një rritje e moderuar e borxhit të përgjithshëm publik deri në 54.8% të PBB-së në vitin 2020, e pastaj do të ketë zvogëlim në 53.8% të PBB-së në vitin 2021, që është dukshëm nën kufirin e përcaktuar për nivelin afatmesëm dhe afatgjatë të borxhit publik. Në vitin 2018 dhe 2019 pritet intensifikimi i investimeve në fushën e infrastrukturës rrugore që do të zbatohen me kredi të garantuara nga shteti. Prandaj, pritet rritje e gjendjes së borxhit të garantuar dhe përcaktohet kufi për hua maksimale neto në bazë të borxhit të garantuar në vitin 2019 deri në 250 milionë euro” – thuhet në dokumentin e Ministrisë së Financave.

Ekonomistët përkujtojnë në praktikat e kaluara, kur u morën kredi për t’i financuar shpenzimet rrjedhëse buxhetore, siç janë rrogat dhe pensionet.

“Cili është realiteti ynë? Në periudhën 2006-2017, rritja shtesë – margjinale e PBB-së (në terma absolutë) ishte 4.594 miliardë euro, ndërsa rritja margjinale e borxhit të jashtëm kap vlerën 5.207 miliardë euro, që do të thotë se në periudhën 2006-2017, ekonomia e vendit ka dështuar për të krijuar vlera të reja shtesë as edhe në nivelin e borxhit të përgjithshëm të jashtëm. Në një euro borxh të jashtëm, është krijuar 0.88 euro vlerë e re. Ky është indikator se, gjatë gjithë kësaj periudhe, fondet e huave nuk janë investuar për rritjen e kapacitetit të prodhimit të ekonomisë së vendit” – thotë për Portalb.mk profesor Bislimi dhe rekomandon:

Maqedonia thellon borxhin...

”Nëse qeveria është e vendosur ta rrisë nivelin e borxhit publik, e inkurajoj në këtë, por vetëm për të mbështetur projekte që do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, të aplikimit të njohurive dhe teknologjive të reja, të zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, që do të çonte në rritjen e produktivitetin, rritjen e ofertës së brendshme të mallrave dhe të shërbimeve, paraqitje konkurrente në tregun e brendshëm dhe të huaj, përndryshe huamarrja do të ishte në funksion të “zbukurimit” të realitetit dhe kjo nuk do të çojë askund.”

Sipas strategjisë aktuale të huamarrjes, qeveria planifikon të kthehet kah huamarrja në terrenin vendor, me ç’rast pritet të rritet afati i kthimit të borxheve të brendshme.

Sipas të dhënave për strukturën aktuale të borxhit publik, 3.48 miliardë euro është shuma që detyrohet jashtë vendit, ndërsa 1.60 miliardë euro është borxhi ndaj huadhënësve vendas. Në prill të këtij viti, për herë të parë u lëshua një kambial shtetëror në terren vendor me afat maturimi prej 30 vitesh. Në vend, kreditorë më të mëdhenj të qeverisë janë fondet pensionale, bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Në tregun ndërkombëtar, detyrimet kryesore të Maqedonisë janë në bazë të eurokambialeve, si dhe të kredive, si ajo për ndërtimin e autostradave, për të cilat shteti është garant. Vetëm eurokambiali i fundit, i lëshuar në fillimi të vitit, peshon 500 milionë eu


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.