Titull manipulues i nxjerrë nga konteksti
[Recension: Zaevi i bindur se Goce Dellçevi është krenar me ndryshimin e emrit për shkak të anëtarësimit në NATO]
Titulli i këtij artikulli nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e tekstit dhe paraqet një manipulim të rëndë të publikut. Teksti, në të vërtetë, nuk është gjë tjetër veçse një transmetim i plotë i një postimi në Facebook të ish-kryeministrit dhe liderit të LSDM-së në pushtet, Zoran Zaevit, me rastin e shënimit të ditëlindjes së revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev, i përshtatur me një titull komentues, i cili është nxjerrë nga konteksti.
Linku deri te artikulli origjinal: Zaevi i bindur se Goce Dellçevi është krenar me ndryshimin e emrit për shkak të anëtarësimit në NATO
Data dhe koha e publikimit: 4.1.2020
Data e recensionit: 7.2.2020
Recenzues: Simona Atanasova
Ky artikull ka disa elemente problematike. Së pari, nuk ka asnjë element të tekstit gazetaresk. Është marrë statusi i Zaevit dhe është publikuar pa mos dhënë asnjë sqarime të mëtejshëm. Vetëm është futur në tekst, dhe aq. Madje as nuk thuhet se bëhet fjalë për postim në rrjet social, por përkundrazi është marrë sipas parimit “copy-paste” dhe është vendosur linku.
Problemi i dytë është se titulli dhe shpjegimi nën fotografi është plotësisht komentues, gjë që nuk lejohet në zhanrin informues.
Në titull në mënyrë tendencioze thuhet se Zaevi është i bindur se Goce Dellçevi është krenar me ndryshimin e emrit për shkak të anëtarësimit në NATO. Ky është një dezinformim i vrazhdë i publikut sepse informacioni është i pasaktë. Në postimin e Zaevit në Facebook askund nuk përmendet ndryshimi i emrit dhe se për këtë Goce Dellçevi është krenar.
Pjesa për ndryshimin e emrit është shtuar në mënyrë tendencioze për të ngjallur emocione të caktuara midis lexuesve dhe për të tërhequr sa më shumë klikime dhe reagime në rrjetet sociale. Ajo nuk ekziston në postimin origjinal, i cili thotë kështu:
Jam i bindur se Dellçevi dhe revolucionarët e asaj periudhe janë krenarë për arritjen tonë të sotme kur e bëmë vendin tonë anëtar të NATO-s dhe kur jemi në prag të ftesës për t’i filluar negociatat me Bashkimin Evropian.
Në asnjë rast nuk mund të arsyetohet vënia e fjalëve në gojën e dikujt, të cilat në të vërtetë as nuk i ka thënë e as nuk i ka shkruar. Ai që e ka shkruar titullin, definitivisht, vetë ka përfunduar se Zaevi mendon se Dellçevi do të ishte krenar për ndryshimin e emrit për shkak të anëtarësimit në NATO.
Nën fotografi, me shkronja të mëdha shkruan: “ZORAN ZAEV NUK PËRMENDI SE GOCE DELLÇEVI ËSHTË REVOLUCIONAR MAQEDONAS”.
Po, Zaevi në status nuk i ka shënuar mu këto fjalë, por shkruan se Dellçevi është “njëri nga heronjtë më të dalluar të shtetësisë maqedonase”.
Prandaj, nuk ka nevojë që me shkronja të mëdha, që në fillim të tekstit, të potencohet se Zaevi nuk ka thënë se Dellçevi është revolucionar maqedonas dhe kështu të manipulohet publiku.
Ky artikull i shkel dy nene të Kodit të gazetarëve.
Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente. (neni 1)
Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komentit. (neni 13)
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari