“Shqiptarizimi i Ballkanit” është një nga narrativet propagandistike ruse, nuk ekziston projekt i tillë

Dezinformatat në lidhje me një plan konkret” për Shqipërinë Etnike si dhe për “shqiptarizimin e Ballkanit” publikohen me vite në mediat me propagandë pro-ruse. Por, as de-facto e as de-jure nuk ekziston projekt për Shqipërinë Etnike. Burimi i lajmit që e recensojmë, gjegjësisht Anna Filiminova, ka dekada që propagandon të pavërteta kundër NATO dhe BE përmes medieve serbe dhe jo vetëm, shkruan Portalb.mk.

Përmes një titulli sensacional në portalin “Liveportal24hr” dezinformohen lexuesit duke manipuluar me ndjenjat e tyre, marrë parasysh senzitivitetin që ka tema e “Shqipërisë Etnike”.

“Jepet deklarata e fortë nga Rusia: “Epoka e shqiptarëve ka filluar, serbët po i presin ditët e zeza” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Kjo deklaratë është dhënë nga Anna Filimanova, anëtare e Akademisë të Shkencave Ruse, ajo është person që më së shpeshti shfaqet në medie për të shtyrë përpara agjendat ruse, gjegjësisht, propagandën ruse për nxitjen e përçarjes, konflikteve dhe jo vetëm në Ballkanin Perëndimor.

Se „Shqipëria Etnike do bëhet pas 5-6 viteve”, Filimanova kishte dekaruar 8 vite më herët

Edhe pse kanë kaluar tetë vite nga deklarata e pabazë e Filimanovës, ende nuk ka asgjë konkrete që vërteton një projekt të tillë si Shqipëria Etnike, gjegjësisht, mund të thuhet se vetë koha e ka demantuar propaganduesen ruse.  

Për këtë, “Institutemedia” kishte bë një hulumtim në vitin 2015 në lidhje me raportimin mediatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku ishte përfshirë edhe deklarata e Filimanovës, megjithatë, në këtë studim theksohet se ideja e “Shqipërisë Etnike” kryesisht është shpërndarë në mediet serbe dhe jo ato shqiptare.

Sipas këtij studimi, burim i këtij narracioni si dhe intervista e Anna Filimanova asokohe ka qenë në të përditshmen “Dnevnik” që “shpesh herë publikon kolumna negative të mbushura me stereotipe kundrejt shqiptarëve dhe Shqipërisë” shkruan në studim.

Të gjitha këto dezinformata vazhduan me të njëjtin narracion, edhe atë , në dhjetor 2017, propagandistët rusë publikuan parashikime të zymta për „zhdukjen e Maqedonisë nga harta botërore dhe për ndarjen e Maqedonisë në mes Shqipërisë dhe Bullgarisë„

Propaganduesit rus vazhduan të përhapin, “parashikime” apokaliptike se “Maqedonia është zgjedhur si vendi ku do të fillojë lufta e ardhshme, pra konflikti botëror mes NATO-s dhe Rusisë”.

E gjithë kjo kishte një qëllim, të largojë njerëzit nga NATO dhe BE si dhe të nxit konflikte.

Në të njëjtën kohë, gjegjësisht me afrimin e fundit të mandatit të ish kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, një ndër burimet kryesore të dezinformatave ruse, e kontrolluar tërësisht nga Kremlini “Sputnik” publikonte një sërë artikujsh për perspektivat e Maqedonisë, duke i vendosur në pikëpyetje ato.

Njëri prej tyre e kishte titullin “NATO e gatshme të shohë gjak në rrugët e Maqedonisë” për projektin e Shqipërisë së Madhe”. Një tjetër argumentoi se ndryshimet në gjeopolitikë e kishin bërë të vjetëruar rreshtimin pro-perëndimor të RMV-së: “Është koha për t’i besuar Maqedoninë Rusisë, jo Trump-it”, shkruante në atë lajm të Sputnik.

Rusia nuk ofroi prova për konspiracionin e “Shqipërisë së Madhe”, por megjithatë nxiti reagime të shumta në opinionin publik.

“Tani mund të ndjejmë se Rusia është e interesuar për lëvizjen tonë politike,” deklaroi atëherë Cvetin Chilimanov, një gazetar maqedonas dhe komentator pro qeverisë së Gruevskit.

“Njerëzit nuk i dinë specifikat e kësaj marrëveshjeje [koalicioni]. Mund të jetë një recetë për fatkeqësi. Ne nuk e dimë se ku qëndron SHBA nën drejtimin e Trump për këtë. Rusët po pyesin për këtë, serbët po e shikojnë me vëmendje”, tha gazetari Chilimanov, përcjell analiza e Dan Mclaughlin e vitit 2017 për “Codastory”.

“Njerëzit thonë, ‘Rusia do të vijë dhe do të na ndihmojë.’ Nuk është më 2001. Është vërtet e rrezikshme.”

Maqedoni, Shkup, foto: Ardit Ramadani.
Maqedoni, Shkup, foto: Ardit Ramadani.

Burimi i informacionit të lajmit që e recensojmë ndër-vite propagandon kundër NATO dhe BE

Në një intervistë për Srbin.info, Anna Filimanova në vitin 2014 kishte dezinformuar në lidhje me qëllimet e NATO në Ballkanin Perëndimor si dhe kishte propaganduar kundër Bashkimit Evropian.

“NATO përfaqëson kërcënim si nacizmi në Luftën e Dytë Botërore. Kjo nuk duhet të fshihet, është thënë edhe nga presidenti rus Vladimir Putin” thotë mes tjerash Filimanova në këtë intervistë.

Ajo më pas kishte insistuar që Serbia të mos bëhet pjesë e NATO, ndërkaq edhe pse kishte potencuar që nuk ka asgjë kundër që Serbia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kishte shtuar se dyert e Euroazisë janë të hapura.

“Rusia nuk e kundërshton hyrjen e Serbisë në BE, por ka hapësirë për pikëpyetje. Si rregull, vendet e Ballkanit hyjnë fillimisht në NATO dhe vetëm më pas në BE. Për ne, ky opsion është absolutisht i papranueshëm. Kjo është arsyeja pse ne shohim një kontradiktë: si ta ndajmë integrimin evropian të Serbisë nga integrimi në NATO, nëse për ta, për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, gjithçka shkon së bashku? Marrëveshja jonë e tregtisë së lirë, në atë rast, do të likuidohet menjëherë. Kjo do t’i japë një goditje ekonomisë serbe, jo asaj ruse. Prandaj, më lejoni t’i përgjigjem pyetjes suaj të mëparshme: nëse rruga evropiane përjashtohet, dyert e Euroazisë janë të hapura për ju” thotë Filimanova në këtë intervistë.

Ndryshe, disa nga narrativet tjera që përdoren nga ana e propaganduesve rus për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor janë si vijon: “Ballkani Perëndimor është jostabil”, “Bashkimi Evropian është hegjemonist”, “Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të dobëta, të paaftë dhe të korruptuar”, “BE/NATO janë të dobëta dhe nuk janë të bashkuara” si dhe “NATO është agresive dhe provokuese.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari