Putini nuk është një fëmijë i vogël që të “mashtrohet” për të pushtuar Ukrainën

Владимир Путин, 21.02.2023 Фото: kremlin.ru

Ndryshe nga sa thuhej në postimin që po rishikojmë, është Putini ai që vendosi të sulmojë integritetin territorial të një shteti sovran krejtësisht të paprovokuar. Gjithashtu, Uashingtoni thekson vazhdimisht se Rusia mund t’i japë fund luftës në Ukrainë që nesër, nëse tërhiqet nga territori i saj. Që do të thotë se SHBA nuk dëshiron një luftë në Ukrainë, por mbështet qëndrimin ukrainas të vetëmbrojtjes.

 

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

Uashingtoni e joshi Putinin të shkonte në Ukrainë. Ata nga Uashingtoni arritën në përfundimin se kjo është mundësia e tyre për të shkatërruar Rusinë. Dhe çfarë ndodhi …

Kjo narrativë e ka origjinën nga vetë Putini, por vendet perëndimore dhe Ukraina e refuzojnë kategorikisht atë si të pavërtetë. Administrata amerikane ka deklaruar tashmë zyrtarisht se Moska kreu krime kundër njerëzimit gjatë pushtimit të saj në Ukrainë. Nga ana tjetër, Putini në fjalimet e tij vazhdimisht hedh poshtë përgjegjësinë për luftën që filloi në Ukrainë dhe ia kalon fajin Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fund të shkurtit të këtij viti, Putin në një fjalim gati dy orësh u përpoqjustifikonte pushtimin rus duke pretenduar se ai u krye për të lejuar qytetarët e Donbasit të flisnin “gjuhën e tyre”! Sipas tij, zgjerimi i NATO-s dhe sistemet e reja të mbrojtjes evropiane janë “një provokim ndaj Rusisë”, dhe “qëllimi i Perëndimit është fuqia e pakufizuar”. 

Kundër kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se Rusia është agresori dhe Putini e bën të qartë se po përgatitet për një luftë edhe më të madhe. Ai është i bindur se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë dhe ka shprehur shqetësimin se Kina synon të mbështesë Rusinë në luftë, sipas Reuters.

Analistët politikë besojnë se vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën është gabimi më i madh i karrierës së tij dhe do të ketë pasoja të thella.

Siç thuhet në faqen e internetit të qeverisë kanadeze që lufton dezinformatat dhe narrativat propagandistike, ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën. Në faqen numër 1 të këtij linku thuhet:

Rusia ka hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e NATO-s për të diskutuar çështjet përkatëse të sigurisë për të parandaluar luftën. Ukraina po ushtron të drejtën e saj të njohur nga Kombet e Bashkuara për vetëmbrojtje. Rusia vazhdon të shkelë në mënyrë agresive integritetin territorial dhe pavarësinë e fqinjëve të saj. Vende të tilla si Finlanda dhe Suedia kanë kërkuar të bashkohen me NATO-n sepse ajo është një aleancë mbrojtëse për të mbrojtur vendet e saj anëtare, thuhet në faqe.

Përveç kësaj, aty në faqen numër 3, theksohet se Rusia vazhdon të demonstrojë një përkushtim ndaj synimeve të saj maksimaliste ushtarake, gjë që bie ndesh me “hapjen” e saj deklarative dhe të parealizuar ndaj metodave të negociuara për zgjidhjen e konfliktit.

Për shembull, Rusia, si parakusht për çdo marrëveshje paqeje, këmbëngul që katër rajone të pushtuara në Ukrainë duhet të mbeten pjesë e Rusisë. Rusia e di se parakushtet e saj janë të papranueshme për Ukrainën, gjë që është një tregues se Rusia nuk dëshiron të negociojë një marrëveshje paqeje me mirëbesim, shkruan në faqen numër 3 të webfaqes.

Ndryshe nga sa paraqitet në postimin që po rishikojmë, Putini nuk është një fëmijë i vogël për t’u “joshur” në Ukrainë, ku ai në fakt inicioi një pushtim të plotë të një shteti të pavarur, sovranitetin e të cilit Rusia pranoi ta respektonte në vitin 1994 në Memorandumin e Budapestit.

Rusia mbajti gjithashtu të ashtuquajturat “referendume” në një përpjekje për të aneksuar katër rajone që janë brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, të cilat Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i ka shpallur tashmë të pavlefshme sipas ligjit ndërkombëtar. Rusia gjithashtu aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014 dhe është përfshirë në akte të tjera të paligjshme agresioni kundër shteteve fqinje, përfshirë Gjeorgjinë. Mospërfillja flagrante e Rusisë për integritetin territorial të një shteti sovran është një shkelje e qartë e parimeve ligjore ndërkombëtare të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, shkruan faqja e internetit numër 3 e Qeverisë kanadeze për të luftuar narrativat e dezinformatave të lidhura me luftën.

Prania e forcave të NATO-s në pjesën lindore të aleancës nuk është një kërcënim për Rusinë, sepse NATO është një aleancë mbrojtëse që synon mbrojtjen e aleatëve të saj. NATO ka forcuar praninë e saj në pjesën lindore të Aleancës pikërisht si rezultat i drejtpërdrejtë i sjelljes së Rusisë, e cila reflektohet në një model të parashikueshëm kundër fqinjëve të saj. Prania e NATO-s nuk është një kërcënim për ushtrinë 1 milionëshe të Rusisë. Uashingtoni thekson vazhdimisht se Rusia mund t’i japë fund luftës në Ukrainë nesër nëse tërhiqet nga territori i saj. Kjo tregon se SHBA nuk dëshiron një luftë në Ukrainë, por mbështet qëndrimin ukrainas të vetëmbrojtjes.

Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë.



 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.