Pesë kuazi “ilaçet” më të njohura kundër Covid-19 në vitin 2021

Фото: Принтскрин колаж

Gjatë pandemisë Covid-19, rrjetet sociale u vërshuan me oferta të ndryshme për trajtimin e këtij infeksioni. Ndonjëherë këto “ilaçe” përdoreshin për të promovuar parandalimin e koronavirusit, e herë për t’u thënë qytetarëve se mund të kurohen në shtëpi me preparate që supozohet se “mbrojnë” kundër Covid-19. Vërtetmatësi ka shqyrtuar dezinformatat më të shpeshta, që këtë vit u plasuan për “trajtimet çudibërëse” që mbrojnë nga koronavirusi, shërojnë nëse infektoheni, madje ndihmojnë për “detoksifikimin nga vaksina”.

 

Shkruan: Mirosllava Burns

 

1. Inhalimi me avull e vret koronavirusin

Ujë të vluar me kripë deti dhe uthull molle, me 7 deri në 8 pika vaj esencial të pelinit të ëmbël. Thithja nën një peshqir.” Kjo recetë është përhapur në rrjetet sociale këtë vit si një kurë për infeksionin me koronavirus. Asnjë institucion zyrtar shëndetësor në botë, as OBSH, as Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, as Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave nuk e rekomandojnë këtë metodë, për të cilën nuk ka asnjë provë që parandalon infeksionin me Covid-19 dhe as që lehtëson simptomat nëse tashmë jeni të infektuar.

Mjekja Simona Sapundzija, specialiste e otorinolaringologjisë, ka shpjeguar për “Vërtetmatësin”, se nuk ka asnjë provë shkencore që promovon thithjen e ndonjë lënde për të nxjerrë koronën, apo për të reduktuar replikimin e virusit.

Megjithatë, ajo që mund të ndodhë me inhalimet e substancave të papranuara është që të shkaktohen reaksione alergjike, ndërsa temperatura e lartë të shkaktojë djegie në pjesët fillestare të sistemit të frymëmarrjes, thotë doktor Sapunxhija.

Edhe pse njerëzit mendojnë se thithja e avullit gjatë ndonjë sëmundjeje të frymëmarrjes mund të ndihmojë në uljen e simptomave që kanë, si kolla, hundët e bllokuara dhe gulçimi, ky lehtësim simptomatik nuk shëron infeksionin viral.

Në këtë mënyrë, ka potencial të shkaktoni dëme duke shkaktuar djegie me ujë të nxehtë në sy, fytyrë dhe rrugët e frymëmarrjes, thotë mjeku Xhenson Meknajt, asistent në Departamentin e Kujdesit Parësor dhe Shëndetit Publik në Universitetin A&M në Teksas, në një deklaratë për Shërbimin e kontrollit të fakteve të agjencisë “AFP”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në masat rekomanduese që parandalojnë infektimin me koronavirus, nuk thekson inhalimin, por maskën, distancën, vaksinën, higjienën. Zyra e OBSH-së në Filipine, ka paralajmëruar të mos përdoret inhalimi i avullit pasi mund të shkaktojë djegie.

Fondacioni Amerikan i Astmës dhe Alergjisë ka lëshuar një deklaratë paralajmëruese, pasi në rrjetet sociale u përhap mesazh për të thithur peroksid hidrogjeni, si masë paraprake kundër Covid-19. Prej atje, thonë se kjo nuk duhet bërë, se është e rrezikshme për jetën!

2. Kovid-19 mjekohet me aspirin

Në grupin e barnave mahnitëse dhe sigurisht të pavërteta për trajtimin e Covid-19, gjendet edhe pilula e aspirinës. Për këtë qëllim, narrativat e rreme përfshinin edhe një deklaratë të sajuar nga Ministria e Shëndetësisë e Singaporit se “covid është bakter i zakonshëm, nuk është virus dhe trajtohet me aspirinë”.

Ministria e Shëndetësisë e Singaporit mohoi njoftimin, duke thënë se protokollet e trajtimit të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ishin ndryshuar. Prej atje apeluan që të gjithë të informohen nga faqja e tyre zyrtare, e cila përditësohet vazhdimisht me të dhëna.

OBSH në protokollet e saj të trajtimit, thotë se antibiotikët nuk shërojnë sëmundjen Covid-19 të shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, por mund t’u jepen pacientëve me Covid për të parandaluar infeksionet bakteriale. Këtë e thotë Ministria e Shëndetësisë e Singaporit.

Aspirina nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në virusin që shkakton Covid-19. Nëse nuk ndiheni mirë shkoni te mjeku për t’u testuar dhe trajtuar siç duhet, thuhet në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të Singaporit.

Drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gatishmërinë globale ndaj sëmundjeve infektive, dr. Sylvi Brajan, në një video të postuar në kanalin e OBSH-së në YouTube, sqaron se kur u jepen antibiotikë pacientëve me Covid.

Përdorimi i antibiotikëve në trajtimin nga Covid-19 nuk do të ndihmojë, sepse bëhet fjalë për virus, jo për bakter. Por, ajo që kemi parë tek disa pacientë të shtruar në spital, që kanë marrë antibiotikë, është parandalimi i infeksioneve bakteriale, sepse disa pacientë janë të dobët dhe të brishtë dhe kemi frikë se përveç Covid-19 ata mund të marrin infeksion bakterial, tha dr Brajan.

Një studim britanik i qershorit 2021, gjithashtu tregoi se aspirina nuk përmirëson shkallën e mbijetesës së pacientëve që tashmë kanë Covid-19. Marrja e aspirinës pa rekomandimin e mjekut mund të shkaktojë pasoja të tilla si gjakderdhje dhe sindromën Rejev.

 

3. Pije me sodë buke dhe limon për të shpëtuar nga Covid-19

Këtë vit në rrjetin social Facebook, ka pasur edhe postime në të cilat përdoruesit i bindnin njerëzit të pinë sodë buke me limon për 7 ditë, për të shpëtuar veten nga infeksioni Covid-19. Arsyetimi pas kësaj “këshille” është se nëse pini sodë buke me limon, do të ulni aciditetin e trupit. Por ulja e aciditetit në organizëm nuk mund t’ju pengojë që të infektoheni ose të kuroheni nga koronavirusi. Shkencëtarët kanë zbuluar se virusi ka diapazon të lartë të stabilitetit, nga 3 në 10 në shkallën e pH (shkalla logaritmike nga 0 në 14, duke filluar nga shumë alkaline në acid). Me përzierjen e përbërësve të mësipërm, do të arrihet një pH midis 6 dhe 8, që nuk është as afër niveleve që mund të destabilizojnë virusin.

Përveç kësaj, soda e bukës gjithashtu mund të shkaktojë helmim nëse merret në sasi të tepërt. Shoqata kanadeze për hulumtime për zorrët, thotë se soda e bukës mund të ndikojë gjithashtu në përthithjen e barnave dhe mund të shkaktojë një gamë të gjerë efektesh anësore. Megjithatë, kjo pije e patestuar u promovua rrejshëm si “ilaç popullor” për parandalimin dhe trajtimin e Covid-19.

 

4. Agjërimi dyzet ditë vetëm me ujë për detoksifikim nga vaksina

Kur filloi fushata e vaksinimit në vend, filluan edhe gënjeshtrat se ata që kanë marrë vaksinë duhet të detoksohen më vonë nga helmet e supozuara të saj. Kështu, përmes postimeve në Facebook, rekomandohej që kushdo që është vaksinuar me vaksinën mARN, të bëjë pastrimin e trupit, ndërsa si “trajtim më efektiv” theksohej agjërimi i rrezikshëm dyzetditor vetëm me ujë.

Në vitin 2011, pacienti Jonathan Cam vdiq pas një agjërimi 32-ditor vetëm me ujë. Studimi në këtë link, tregon se efektet negative të agjërimit me ujë janë lodhja, problemet me zemrën dhe rrahjet e çrregullta të zemrës, presioni i lartë ose i ulët i gjakut, dhimbjet e barkut dhe marramendja. Agjërimi afatgjatë me ujë shoqërohet me humbje të pashëndetshme në peshë, humbje të muskujve, lodhje të vazhdueshme dhe ndjenjë të ftohtë, ndryshime të humorit. Sa i përket vaksinës, nuk nevojitet asnjë detoksifikim, sepse në rastin e vaksinës mARN, trupi zbërthen mARN-në dhe e pastron atë nga trupi. Në mënyrë të detajuar, në këtë link mund të shihni se si bëhet kjo.

 

5. Ilaçi Suramin për efektet negative të vaksinës

Një medikament që mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore – “Suramin”, gjithashtu është vendosur në listën e rekomandimeve të “mjekëve shaka” për “pastrimin e trupit nga vaksinat e rrezikshme”. Mjeku Adhurim Fazliu, e kundërshton fuqishëm përdorimin e vetë këtij bari. Ky medikament përdoret për të trajtuar sëmundjen e verbërisë afrikane të shkaktuar nga parazitët. Kur jepet për këtë sëmundje, pacienti duhet të jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme mjekësore. Mjeku Fazliu rekomandon vaksinimin në vend të përdorimit të tillë të “Suraminës”.

Edhe pse Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), thekson se vaksinat e miratuara mbrojnë kundër të gjitha llojeve të përhapjes së koronavirusit në vendet e BE-së. Për t’u miratuar për përdorim, vaksinat kundër Covid-19 duhet të plotësojnë standardet e larta të sigurisë dhe efikasitetit. Edhe pse janë prodhuar në kohë rekord, procesi i testimit, vlerësimit dhe miratimit të tyre nuk ka qenë më pak rigoroz. Vetë teza se efektet negative të vaksinimit duhet të parandalohen, është e rrezikshme, sepse i ekspozon qytetarët ndaj proceseve të paverifikuara dhe të rrezikshme të marrjes së barnave pa asnjë arsye.

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.