#Përgjegjësi është kur zyrtarët përgjigjen në pyetjet që nuk porositen nga vetë ata

 

 

Në sagën tonë të Maqedonisë, për çdo ditë kemi situata kur disa gazetarë në vend që ta mbrojnë interesin publik, me një qasje servile dhe apologjetike, e lavdërojnë pushtetin. Kështu, në një ambient të këtillë me vlera të kthyera mbrapsht, publiku sheh – lexon lavde për partinë në pushtet, në vend të intervistave korrekte me distancën e detyrueshme profesionale.
Jemi dëshmitarë se si në konferencat për shtyp të ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, mirëpo edhe ato të ministrave, parashtrohen pyetje të porositura për atë që është realizuar. E ata, funksionarët, përgjigjen – lavdërohen, që lavdërohen, për së gjeri e për së gjati.

Ndërsa, pyetjet “normale”, që kanë të bëjnë me ndonjë problem konkret – ngjarje me interes publik, ose injorohen ose funksionarët edhe në to japin përgjigje me spin, ku detyrimisht e sulmojnë opozitën, sektorin joqeveritar, intelektualët dhe çdo mendim kritik që nuk është në vijë të njëjtë me pushtetin.

Përfaqësuesit e qeverisë aq janë përshtatur me rolin që të përgjigjen vetëm në pyetje që u konvenojnë atyre, sa që reagojnë me nervozë madje edhe atëherë kur u parashtrohen pyetje nga më normalet.

Një reagim të tillë kishte, për shembull, ministri për shëndetësi, Nikolla Todorov kur në mars të këtij viti e pyetën për rrezikun nga epidemia e sëmundjeve ngjitëse te refugjatët në Tabanoc dhe për përgjegjësinë e institucioneve për vdekjen e Tamarës së vogël. Todorovi, atëherë pak i ngatërroi tenxheret dhe pyetjet normale të gazetarëve i futi në kategorinë e pyetjeve të porositura dhe tha se në fillim do të përgjigjet në ”pyetjet e gazetarëve, e pastaj në pyetjet e porositura”!
Ndonjëherë me porositë e pushtetit ka edhe situata komike, sikurse ajo për zgjedhjet lokale në vitin 2013, kur gazetarja e një televizioni me koncesion, pyetjet e përgatitura për kryetarin e komunës Qendër (në atë kohë kandidat) Andrej Zhernovski, ia parashtroi Andrej Petrovit, kandidat i atëhershëm për kryetar të komunës së Karposhit!

Pyetjet janë për ta kuptuar të vërtetën, e jo për ta lаvdëruar pushtetin!

Gazetarët duhet t’i mbrojnë interesat e publikut, e jo ato të pushtetit!

Gazetarët duhet të jenë rojtarë të demokracisë, e jo аvokatë të pushtetit!

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.