Nuk ka persona të vdekur dhe të hospitalizuar të vaksinuar me dozën përforcuese

Фото: pixabay.com

Përforcuesja (booster) është dozë shtesë e vaksinës, e dhënë pasi mbrojtja e siguruar nga dozat origjinale fillojnë të zvogëlohet me kalimin e kohës. Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 në Maqedoninë e Veriut aplikohet nga 27 shtatori si shtesë e dy dozave të vaksinës tashmë të pranuara. Vaksinimi me dozën e tretë kryhet ekskluzivisht me një vaksinë të prodhuesit “Pfizer”, pavarësisht se me cilën vaksinë personi është vaksinuar më parë.

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Nga 71.373 persona të vaksinuar me dozë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, 90 persona janë infektuar me virusin pas 5-6 ditëve nga marrja e dozës së tretë të vaksinës, por asnjë nuk është shtruar në spital apo ka ndërruar jetë”, njofton Ministria e Shëndetësisë për “Vërtetmatësin”.

Efektet anësore më të zakonshme që u raportuan pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës ishin dhimbje në krah, skuqje, temperaturë dhe skuqje në vendin e aplikimit të vaksinës.

Dozën e tretë të vaksinës mund ta marrin të gjithë qytetarët që janë në rrezik të infektimit në vendin e tyre të punës ose kanë sëmundje kronike shëndetësore. Shumica e të vaksinuarve me dozën e tretë janë të moshës 60-69 vjeç, pasuar nga popullata e rritur 70-79 vjeç, 50-59 vjeç, 25-49 vjeç, dhe më së paku me dozën e tretë janë të vaksinuar qytetarët e popullsisë së rritur mbi 80 vjet, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Rekomandimi është që doza e tretë të merret gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë, gjegjësisht tre muaj pas vaksinimit të plotë me vaksinat e prodhuesve kinezë “Sinofarm” dhe “Sinovak”. Në vendin tonë doza përforcuese e vaksinës rekomandohet dhe nuk është e detyrueshme apo kufizuese.

Shumica e atyre që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës janë vaksinuar me vaksinat kineze “Sinovak” dhe “Sinofarm”, sepse doza përforcuese për këto vaksina është tre muaj, ndryshe nga vaksinat e tjera ku doza e tretë mund të merret pas 6 muajve nga rivaksinimi, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Doza e tretë në vendin tonë ekskluzivisht me “Pfizer”

Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 në Maqedoninë e Veriut aplikohet nga 27 shtatori si shtesë e dy dozave të vaksinave tashmë të marra. Vaksinimi me dozën e tretë kryhet ekskluzivisht me një vaksinë të prodhuesit “Pfizer”, pavarësisht se me cilën vaksinë është vaksinuar personi më parë. Pyetjes se pse në vendin tonë doza përforcuese mund të merret vetëm nga prodhuesi “Pfizer”, e jo edhe nga prodhues të tjerë të vaksinave, Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet se vendimet merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.

Sipas rekomandimeve të komisioneve kombëtare, agjencive të barnave, OBSH-së dhe ekspertëve të Komisionit tonë Kombëtar të Imunizimit, doza e tretë është vaksina mRNA, vaksina të tilla janë “Pfizer” dhe “Moderna”. Në vendin tonë doza e tretë e vaksinës jepet nga prodhuesi “Pfizer” dhe atë vaksinë si dozë të tretë e marrin të gjithë qytetarët pavarësisht se me cilën vaksinë janë vaksinuar, pra janë rivaksinuar. Është e rëndësishme marrja e dozës së tretë përforcuese pas 6 muajsh rivaksinim, për ata qytetarë që kanë marrë “Pfizer”, “AstraZeneka”, “Sputnik”, dhe tre muaj pas rivaksinimit me “Sinovak” dhe “Sinofarm”, thonë nga ministria.

Në Serbinë fqinje, nga ana tjetër, qytetarët kanë mundësi të zgjedhin se nga cili prodhues do të marrin dozën e tretë “booster”. Të paktën pesë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave “Pfizer”, “AstraZeneka” dhe “Sputnik V”, qytetarët mund të marrin dozën e tretë dhe të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave “Sinovak” dhe “Sinofarm”. Ata që duan të marrin vaksinën “Sputnik V” si dozë të tretë, u jepet komponenti i parë nga ky prodhues.

Që nga 19 nëntori, është miratuar doza e tretë përforcuese e vaksinës kundër Covid-19 për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, njoftuan nga Qendra Shëndetësore Vranjë. Ata që vendosin të marrin dozën përforcuese në Serbi, do të mund të zgjedhin prodhuesin.

Çfarë është doza përforcuese?

Doza përforcuese (booster) është dozë shtesë e vaksinës e dhënë pasi mbrojtja e siguruar nga dozat origjinale ka filluar të ulet me kalimin e kohës. Zakonisht, përforcues merrni kur imuniteti nga dozat fillestare fillon të bie. Doza përforcuese është krijuar për t’i ndihmuar njerëzit të ruajnë nivelin e imunitetit për periudha të gjata kohore ose kur bëhet fjalë për një lloj të ri të virusit, siç është lloji delta që qarkullon tani.

Në fund të gushtit, Pfizer & Biontek apeluan se do të ulet efektiviteti i vaksinës së tyre kundër koronavirusit gjashtë muaj pas vaksinimit dhe rekomanduan dozë përforcuese për të gjithë njerëzit mbi moshën 16 vjeç.

Megjithëse shumë vende kanë filluar vaksinimin me dozën e tretë të qytetarëve të caktuar, ende po debatohet në mbarë botën nëse dhe kush ka nevojë për imunizimin shtesë duke pasur parasysh shkallën e ulët të vaksinimit në shumë vende, veçanërisht në Afrikë ku është shfaqur gjithashtu, një lloj i ri i koronavirusit i quajtur omicron.

Në Gjermani, mesatarisht, ka më shumë njerëz që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës së koronavirusit, sesa në vendet e varfra dozën e parë. Statistikat janë 5.6 për qind e gjermanëve me dozë “përforcuese”, kundrejt 4.6 për qind me një dozë të vetme në 27 vendet më të varfra në botë.

Pak ditë më parë u mor vendimi për të bërë të detyrueshme dozat përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë të rriturit në Francë që duan të hyjnë në ambiente publike si restorante, kafene, kinema dhe muze nga fillimi i vitit të ardhshëm.

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.


 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari