Nuk ka dëshmi se një injeksion misterioz është përgjegjës për vdekshmërinë e lartë në shtëpitë e pleqve në Angli

Фото: Принтскрин видео

Shkaqet e vdekshmërisë së lartë në shtëpitë e pleqve në Angli janë komplekse dhe sistematike dhe vetë fakti që këta banorë të shtëpive të pleqve janë në moshë më të thyer, kanë sëmundje bashkëshoqëruese i bën ata më të ndjeshëm ndaj Kovidit. Nëse analizohet Raporti i Amnesty International, te  këta faktorë ka ndikuar edhe reagimi i pamjaftueshëm i sistemit shëndetësor me një mungesë të testeve dhe pajisjeve mbrojtëse. Asnjë burim zyrtar apo jozyrtar nuk flet për një “injeksion misterioz” si shkaktar të vdekjes të personave në shtëpitë e pleqve në Angli, shkruan Vëretëmatësi.

Në 20 nëntor të vitit 2021, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut u organizua një protestë ku morën pjesë qytetarë të cilët kundërshtojnë masat e propozuara nga Komisioni për sëmundje infektive drejtuar Qeverisë, sipas të cilave administratorët e pavaksinuar duhet të dëshmojnë Kovid statusin e tyre para se të hyjnë në vendin e punës ose me një test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë, ose të dëshmojnë se e kanë kaluar sëmundjen jo më shumë se 45 ditë më parë, ose me një certifikatë vaksinimi për pranimin e të paktën një doze të vaksinës. Gjatë mbrëmjes, para Kuvendit fjalë morën më shumë persona, ndërsa njëra nga folëset, këngëtarja Tanja Carovska, tha se në Angli, në fillim të pandemisë me Kovid -19 në prill të vitit 2020, të gjithë personat që ndërruan jetë në shtëpitë e pleqve kanë vdekur sepse u ishte dhënë një “injeksion”.

Carovska informacionin e saj e ka bazuar në diçka që i ka thënë një “infermiere në Angli”.

“Që në fillim të kësaj të keqeje, kur na mbyllën në të gjithë Anglinë, rastësisht takova një infermiere që punonte në një shtëpi të pleqve atje që më shpjegoi se u ishin caktuar protokolle, se po ndërronin vazhdimisht dorezat dhe maskat. Kështu ishte në prill të vitit 2020 kur filluan bllokimet. Ajo më tha se punon si infermiere në një shtëpi pleqsh. E pyeta nëse ishte e vërtetë që po vdisnin kaq shumë njerëz. Ajo më tha po, se u kishin vdekur pothuajse gjysma e të moshuarve në shtëpi dhe se u kishin thënë që të përgatiteshin t’i humbasin të gjithë. I thashë se si është e mundur që ta dinë këtë para se të ndodhte. Si sëmuren? Ajo tha se nëse shfaqnin ndonjë simptomë, nëse kolliten të gjithëve u japin një injeksion. Dhe nga ai injeksion që u jepet të gjithëve, askush nuk ka mbijetuar.” tha Carovska.

Por, një injeksion i tillë misterioz nuk është shkaku i numrit të madh të vdekjeve në shtëpitë e pleqve në Angli në fillim të e pandemisë së Kovid 19 në vitin 2020. Kur shikon  Raportin e Amnesty International për vitin 2020, i cili i referohet trajtimit të të moshuarve në shtëpitë e pleqve gjatë periudhës së pandemisë me Kovid, në të janë evidentuar shkaqe të tjera të vdekshmërisë së lartë.

Sipas asaj që thuhet në raport, nga 2 marsi deri në 12 qershori të vitit 2020, në shtëpitë e pleqve të Angli janë regjistruar 28.186 raste të vdekjes, me 18.500 vdekje të konfirmuara nga Kovidi të regjistruara në këto shtëpi gjatë periudhës në fjalë. Për Amnesty International, menaxhuesit e shtëpive të pleqve kanë përshkruar një dështim të plotë të sistemit të reagimit në gjashtë javët e para të pandemisë. Ata kanë pritur udhëzime për veprim, nuk kanë pasur akses në teste të mjaftueshme edhe pse u është dashur të pranojnë pacientë të lëshuar nga spitalet, për të cilët nuk kanë ditur nëse janë pozitiv apo negativ për Kovid-19. Sipas raportit të Amnesty International më tronditës është fakti që më 17 mars, vetëm katër ditë pasi OBSH shpalli pandemi globale, qeveria kishte urdhëruar që 25.000 pacientë të liroheshin nga spitalet dhe të zhvendoseshin në shtëpi pleqsh, përfshirë edhe ata që ishin të infektuar ose të dyshuar me Kovid-19.

“Në 2 prill, në të njëjtën ditë kur OBSH konfirmoi se kishte raste para-simptomatike me Kovid 19 (pacienti mund të jetë i infektuar me Kovid  disa ditë përpara se të shfaqë simptoma), qeveria e përforcoi qëndrimin e saj sipas të cilit  për ta transferuar pacientin nga spitali në një shtëpi pleqsh nuk kishte nevojë që ai të kishte test negativ. Disa menaxherë të shtëpive të pleqve i thanë Amnesty International se në shtëpitë e tyre nuk kishin pasur raste me Kovid 19 para se të merrnin pacientët e liruar nga spitali. Menaxheri i shtëpisë së pleqve në Yorkshire tha se për shkak se panë përvojat në Spanjë dhe Itali, më 28 shkurt ata ndaluan vizitat dhe blenë pajisje mbrojtëse. Sipas tij, deri më 28 mars nuk kishin pasur raste pozitive, kur në shtëpinë e tyre u transferua një pacient nga spitali e i cili ka qenë i infektuar me Kovid 19.” thuhet në Raportin e Amnesty International.

Sipas organizatës, këto dhe vendime të tjera të qeverisë kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të personave të moshuarve në shtëpitë e pleqve gjatë pandemisë, veçanërisht të drejtën e tyre për të jetuar, shëndet dhe mosdiskriminim.

“Qeveria solli një sërë masash shokuese të papërgjegjshme me të cilat personat e vendosur në shtëpitë e pleqve i lanë të vdesin. Shkalla e lartë e vdekshmërisë mund të ishte shmangur plotësisht, por kjo është një skandal i përmasave monumentale, tha Kate Allen, drejtoreshë e Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo shtoi se pacientët u lëshuan nga spitalet pa u testuar, kështu që mijëra të moshuar u dërguan në shtëpitë e pleqve duke e rrezikuar veten dhe shëndetin e të tjerëve atje, si dhe stafin që kujdesej për ta.” thuhet në Raport.

Sipas Amnesty International, numri zyrtar i pranimeve në spitale të të moshuarve nga shtëpitë e pleqve gjatë pandemisë në Britani, në mars dhe prill të vitit 2020 ka shënuar një rënie për 11.800 krahasuar me vitet e mëparshme.

“Amnesty ka pranuar më shumë raportime nga i gjithë vendi në të cilat thuhej se mjekët kanë refuzuar të hynë në shtëpitë e pleqve dhe se kanë qenë në dispozicion vetëm për konsulta përmes telefonit ose video lidhjeve, pavarësisht nga simptomat e të moshuarve.” thonë ata.

Në 6 korrik, në të gjitha shtëpitë e pleqve për personat mbi 65 vjeç u  mundësuan testime të rregullta për të moshuarit. Në Raport përmendet edhe fakti që nuk kanë mundur të sigurojnë pajisje mbrojtëse për punonjësit në shtëpitë e pleqve.

“Që nga fillimi i pandemisë me Kovid, në shtëpitë e pleqve në Angli dhe Uells ka pasur 173.974 raste të vdekjes (vala e parë zgjati nga 17 marsi i vitit 2020 deri më 12 shtator të vitit 2020). Kjo është një rritje prej 19.5 përqind krahasuar me mesataren pesëvjeçare. Nga këto vdekje, 43.341 ishin si pasojë e Kovidit.” shkruan  Zyra e Statistikave Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Si shkaqe të mundshme të vdekjes, ata theksojnë vonesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe testimet në valën e parë, mungesën e vaksinave. Shkaku kryesor i vdekjes në valën e parë nga data 17 mars deri më 12 shtator të vitit 2020 tek meshkujt e vendosur në shtëpi pleqsh ishte Kovidi ndërsa tek gratë ishte demenca dhe sëmundja e Alzheimerit.

“Demenca dhe Alzheimeri ishin sëmundjet bashkëshoqëruese më të shpeshta në mesin e vdekjeve nga Kovidi, qoftë tek meshkujt apo tek femrat.” thonë ata.

Tabela e mëposhtme e Zyrës së Statistikave Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar tregon numrin e vdekjeve sipas javëve duke filluar nga 20 marsi i vitit 2020 deri në prill të vitit 2021. Vdekjet si pasojë e Kovidit janë shënuar me blu të errët.

Sipas zyrës zyrtare të statistikës në Mbretërinë e Bashkuar, numri më i lartë i vdekjeve në valën e parë mund të jetë për shkak të aksesit të vonuar në shërbimet shëndetësore, mungesës së pajisjeve mbrojtëse në fillim të pandemisë, mungesës së testeve të shpejta, mungesës së vaksinave në fillim të pandemisë.

Në valën e parë nga marsi deri në shtator të vitit 2020, meshkujt në shtëpitë e pleqve në moshë nga 75 deri në 79 vjeç kishin shkallën më të lartë të vdekshmërisë si pasojë e Kovid 19. Gratë në moshë nga 75 deri në 79 vjeç kishin gjithashtu shkallën më të lartë të vdekshmërisë në këtë valë. Rreth  86 përqind e të vdekurve nga Kovidi kanë pasur të paktën një sëmundje bashkëshoqëruese, kryesisht demencë ose sëmundjen e Alzheimerit.

Nga të gjitha të dhënat e mësipërme, është e qartë se shkaqet e vdekshmërisë së lartë në shtëpitë e pleqve në Angli janë komplekse dhe sistematike dhe vetë fakti që këta banorë të shtëpive të pleqve janë në moshë më të thyer, kanë sëmundje bashkëshoqëruese i bën ata më të ndjeshëm ndaj Kovidit. Nëse analizohet raporti i Amnesty International, në këta faktorë ka kontribuar edhe reagimi i pamjaftueshëm i sistemit shëndetësor përballë mungesës së testeve dhe pajisjeve mbrojtëse. Vlerësojmë se nuk ka dëshmi se një “injeksion misterioz” si shkaktar të vdekjes të personave në shtëpitë e pleqve në Angli.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.