Nuk është e vërtetë se numri i rasteve të reja është më i madh se vjet në këtë kohë

Клиника за инфективни болести и фебрилни состојби - Скопје Фото:

Numri i rasteve të reja nuk është më i lartë tani sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse bëhet një krahasim i këtyre dy periudhave, arrihet në përfundimin se këtë vit ka pasur pothuajse dy herë më pak raste të reja në pothuajse katër herë më shumë testime, shkruan Vërtetmatës. 

Në një postim në Fejbuk  thuhet se në periudhën e njëjtë të vitit që shkoi ka pasur numër më të vogël të rasteve të reja me koronavirus se sa tani. Kjo nuk është e vërtetë.

Postimi konsiston në një foto nga një shkrim në portalin Infomaks me titull: „Më shumë të infektuar se vjet në këtë kohë“. Në ndërkohë në postim insinuohet se për këtë fajin e kanë vaksinat.

E kush e bën dallimin? Të vaksinuarit. Tmerri i vërtetë na pret muajve të ardhshëm. Vetëm mos harroni që për çdo të vdekur dhe të shtruar në spital të pyesni nëse është vaksinuar. 

Por, si është gjendja faktike?

Numri i rasteve të reja tani nuk është më i lartë se vitin e kaluar në të njëjtën kohë. Artikulli është botuar më 31 korrik. Situata më 31 korrik 2020, pra vitin e kaluar ishte si vijon:139 raste të reja me Kovid-19 nga 1377 testime. Situata më 31 korrik të vitit 2021 (këtë vit), është 81 raste nga 5315 testime. Nëse bëhet një krahasim i këtyre dy periudhave, arrihet në përfundimin se këtë vit ka pasur pothuajse dy herë më pak raste të reja në pothuajse katër herë më shumë testime.

Këtë informacion e gjeni në Ministrinë e Shëndetësisë, ku situata me  koronavirusin azhurnohet çdo 24 orë. Të dhënat konfirmojnë se përfundimi se ka më shumë persona të infektuar se vitin e kaluar është plotësisht i gabuar dhe në këtë mënyrë publikut i imponohen përfundime të gabuara.

Përveç faktit se numrat realë nuk përputhen me atë që thuhet në postim, gjithashtu gabimisht pretendohet edhe se numri i personave të sapo infektuar është më i madh për shkak të vaksinave, ndërsa që vaksina është një infeksion mendojnë edhe një pjesë e përdoruesve të rrjeteve sociale që kanë komentuar në këtë postim.

Faktet tregojnë se edhe pse procesi i vaksinimit është në rrjedhë e sipër, jo e gjithë popullata është e vaksinuar, e as nuk është arritur imunitet kolektiv. Nga Мinistria e shëndetësisë informojnë se deri më 2 gusht, me një dozë të vaksinës kundër Kovid-19 është vaksinuar 31% e popullatës mbi 18 vjet. Tek personat mbi 50 vjet mbulimi me një dozë është 50,6 %, tek personat mbi 60 vjet 61,2 %, ndërsa tek personat mbi 70 vjet 64,9 %.

Kjo do të thotë që në periudhën e ardhshme do të ketë raste të reja të virusit, sidomos për shkak të pranisë së llojit Delta në vendin tonë, i cili është më ngjitës dhe përhapet më shpejt. Përveç kësaj, edhe dikush që është imunizuar plotësisht me dy doza të vaksinës mund të infektohet sepse vaksinat nuk mbrojnë 100% kundër infeksionit, por përqindja e efekasitetit të tyre nënkupton mbrojtje nga zhvillimi i formave të rënda të sëmundjes, shtrimi në spital dhe vdekshmëria.

Por, numri i rasteve të reja nuk mund të jetë si pasojë e vaksinës. Nuk është e saktë se vaksinat e përhapin virusin. Në faqen në internet të UNICEF në pjesën e përgjigjeve të pyetjeve më të zakonshme në lidhje me vaksinat kundër koronavirusit thuhet se asnjë nga vaksinat aktuale nuk përmban virus të gjallë që shkakton Kovid-19. Kjo do të thotë që vaksina nuk mund të na sëmurë me Kovid-19. Simptomat e lehta të raportuara nga njerëzit e vaksinuar (dhimbje, skuqje në vendin e injektimit, dhimbje koke dhe ethe) janë vetëm dëshmi se është aktivizuar sistemi imunitar. Këtë e konfirmon  edhe Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC).

Edhe në tekstin  e „Infomaks“, që në postim është ndarë vetëm si foto pa link që të çon deri tek ai, thuhet që në vendet ku virusi është tejet i përhapur dhe ka numër të madh të rasteve të reja, më së shumti e vuajnë të pavaksinuarit. Në artikull askund nuk thuhet se vaksinat janë shkaktarë të rasteve të reja, që do të shërbente për të nxjerrë një përfundim të tillë në postimin në Facebook.

Nëpërmjet një prezantimi të rremë të të dhënave që mund të verifikohen shumë lehtë dhe pretendimeve të pavërteta se vaksinat e shkaktojnë virusin, publiku po manipulohet për të hequr dorë nga vaksinimi. Ky postim është pjesë e një fushate më të gjerë kundër vaksinave bazuar në informacione të pasakta dhe pretendime të pabaza.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari