Nuk është e vërtetë se mbajtja e maskave shkakton vonesa në të folur te fëmijët

Në rrjetet sociale është përhapur pretendimi se mbajtja e maskave mbrojtëse për shkak të COVID19 ka bërë që të rritet numri i bebeve të cilët kanë probleme me të folurit. Postimi bën thirrje që të refuzohet mbajtja e maskave dhe luhet me ndjenjat e lexuesit duke i përdorur fëmijët. Mjekët në botë, por edhe ata te ne, thonë se nuk ka asnjë burim faktik ku mbështet ky pretendim prandaj prindërit duhet të kenë primar mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe fëmijëve, shkruan Portalb.mk.

Recensojmë një postim i cili përhap të pavërteta rreth efekteve anësore nga mbajtja e maskës mbrojtëse. Postimi që recensojmë është shpërndarë në rrjetin social “Facebook” nga faqja me emrin “Rezistenca”. Bëhet fjalë për një video e shoqëruar me fjalinë:  Maskat që vendosin prindërit i shkaktojnë bebeve vonesa në të folur, doktoresha thotë që ka rritje të këtij problemi me 364%. Mos përdorni maska, as vetë as fëmijëve mos i vini.

Pretendimet e bëra në këtë postim janë të pavërteta dhe të nxjerra nga konteksti. Në fakt e njëjtë përmbajtje pak javë më parë ishte përhapur në gjuhën angleze.

 

Pretendimet i referohen një raporti të botuar nga “The National Pulse“, me titullin “RAPORT: Mbajtja e maskave shkaktoi mbi 350% rritje të vonesave tek të folurit e fëmijëve”. Jaclyn Theek, drejtoresh e klinikës dhe specialiste e të folurit në North Palm Beach tha për mediat se klinika e saj ka pasur “një rritje prej 364% të pacientëve bebe dhe vogëlush të cilët kanë shfaqur vonesa në të folur“. Theek shtoi se: “Nuk ka ende asnjë hulumtim që thotë se mbajtja e maskave mund të shkaktojë vonesa në të fol. Por, padyshim, jam i sigurt se është një faktor.”

Pasi ky pretendim u bë viral agjencia botërore e lajmeve Reuters kërkoi që qëndrim zyrtar nga Instituti i të folurit dhe të të mësuarit në North Palm Beach, megjithatë përgjigje nuk morën. Reuters kontaktoi ekspertë nga Shoqata Amerikane e të folurit, gjuhës dhe dëgjimit, të cilët thanë se provat e deritanishme nuk japin përgjigje e cila e mbështet teorinë në fjalë.

“Për momentin, nuk ka asnjë provë që përdorimi i maskave nga të rriturit kur flasin me fëmijët parandalon ose vonon të folurit. Pavarësisht përdorimit të maskës, disa fëmijëve do t’ju duhet më shumë kohë për të arritur pikat kryesore të të folurit dhe gjuhës dhe disa mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore. Pretendimi që qarkullon në mediat sociale nuk ka bazë shkencore dhe në mënyrë të panevojshme alarmon  prindërit dhe anëtarët e familjes në një kohë kur maskat po shpëtojnë jetë”, tha për Reuters Dr. Diane Paul nga Drejtorja e Çështjeve Klinike në Patologjinë e të folurit

Nuk ka asnjë institucion që rekomandon apo detyron mbajtjen e maskave te bebet

Sipas Supspecialistit Pediatër – Neonatolog Vullnet Bekteshi, pretendimi se mbajtja e maskave  shkakton vonesa në të folur tek bebet është thjeshtë një propagandë e re në fushatën e gjerë dezinformuese rreth pandemisë COVID19.

Dr. Vullnet Bekteshi/ burimi i fotografisë: facebook

Nuk ka studim adekuat që vërteton se efekt anësor i maskave mundet të jetë vonesa në të folur tek fëmijët, mendoj se bëhet fjalë për një propagandë në lidhje me mosbesimin e sëmundjes. Një arsye tjetër pse mendojë se teoria në fjalë është vetëm propagandë është fakti se OBSh rekomandon që maskat të mbahen vetëm na hapësirat publike ku është e pamundur distanca fizike dhe jo në ambiente shtëpiake apo familjare. Pastaj fëmijët nën moshën 5 vjeçare nuk janë të obliguar të vendosin maskë mbrojtëse. Unë si mjek pediatër në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, deri më sot nuk kam hasur raste të tilla, pra raste ku një fëmijë ka vonesa në të folur për shkak të maskave mbrojtëse nga COVID19“, deklaroi Dr. Vullnet Bekteshi.

Dr. Vullneti shton se fëmijët nuk janë imun nga infektimi me COVID19, prandaj prindërit duhet ta kenë parasysh këtë fakt dhe nëse vërejnë simptoma të sëmundjes tek fëmija patjetër të kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Virusi përcillet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me pikat respiratore të personit të infektuar (që shkaktohet përmes kollitjes ose teshtitjes) dhe përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara me virus të atyre pikave respiratore. Virusi korona mbijeton në sipërfaqe edhe për disa orë, por mund të shkatërrohet me mjete të thjeshta të dezinfektimit. Simptomat mund të jenë ngritje të temperaturës, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto simptoma janë të ngjashme me gripin, i cili paraqitet shumë më shpesh se sëmundja e shkaktuar nga virusi korona. Për këtë arsye nevojitet të bëhet testimi, me qëllim që të verifikohet nëse ndonjë person ka virusin korona ose jo. Infektimi me koronavirus nuk i anashkalon fëmijët prandaj prindërit duhet ta kenë parasysh këtë fakt. Nëse tek fëmija vëreni rritje të temperaturës, kollitje ose frymëmarrje të vështirësuar, menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore”, u shpreh Dr. Vullnet Bekteshi.

Sipas Dr. Vullnet Bekteshit, mjaftë shqetësues për fëmijët është përhapja e variantit të ri Omicron i cili ka tendenca të lartë ti infektojë fëmijët.

“Në lidhje me mutacion e ri Omikron që përhapet më shpejt dhe ka inkubacion më të shkurt duhet të dihen disa ndryshime krahasuar me virusin e parë-corona virus. Por simptomat e zakonshme të coronavirusit kanë ndryshuar pak gjatë pandemisë në përgjigje të varianteve të reja dhe vaksinave. Mjekja që e para  dha alarmin për variantin Omicron ka pohuar se ai shkakton simptoma të ndryshme. Dr. Angelique Coetzee, kryetare e Shoqatës Mjekësore të Afrikës së Jugut, tha se simptomat kryesore të Omicron që ajo kishte parë te të rinjtë ishin: Lodhje, dhimbje trupi, dhimbje koke. Por edhe disa simptoma jo specifike siç janë : gërvishtje e fytit, vjellje, barkqitje, skuqje..etj”, përfundoi Dr. Vullnet Bekteshi.  

Në raportin e fundit të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, nga data 14 deri më 20 shkurt me COVID19 në vendin tonë janë infektuar 327 vogëlush të grup moshës 0 deri më 9 vjeç.

Pse është e rëndësishme mbajtja e maskave mbrojtëse gjatë pandemisë

Me shfaqjen e pandemisë me COVID19, masa për vendosjen e maskave mbrojtëse është një nga masat e para të miratuara në mbarë botën për të ndaluar përhapjen e virusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht rekomandoi që maska ​​të mbanin vetëm të sëmurët dhe përkujdesësit e tyre, por më vonë i ndryshoi rekomandimet e saj si rezultat i hulumtimit të kryer mbi efektivitetin e maskave. Kështu në qershor të vitit 2020, ОBSH i azhurnoi udhëzimet e saj për mbajtjen e maskave mbrojtëse në luftën kundër përhapjes së koronavirusit dhe rekomandoi që qeveritë të inkurajojnë popullatën të mbajë maska ​​në vende publike ku ekziston rreziku i transmetimit të koronavirusit.

Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) më 12 mars të vitit 2021 publikoi një studim që analizon efektivitetin e mbajtjes së maskave. Hulumtimi nxorri në pah se vendet që vendosën masa të detyrueshme për mbajtjen e maskave kanë një shkallë më të ulët të rasteve të reja dhe numrit të vdekjeve nga Kovid-19.

Me ardhjen e variantit më të fundit të virusit Omikron, thirrjet për mbatjejn e maskave janë intensifikuar, sepse sipas ekspertëve, ky lloj po përhapet me një ritëm të paparë. Këtë e theksoi ОBSH e cila bëri thirrje për mbajtjen e maskave, mirëmbajtjen e higjienës dhe ruatjen e distancës.

OBSH ka publikuar një dokument ku në mënyrë të detajuar shpjegon nevojën dhe detyrimin për mbajtjen e maskave në grup-mosha të ndryshme, ku mes tjerash thuhet:

“Mbajtja e maskave është një çështje komplekse dhe duhet të konsiderohet si pjesë e një pakete masash për mbrojtjen dhe parandalimin e transmetimit të Kovid-19. Udhëzuesi i përkohshëm i publikuar nga OBSH rekomandon që fëmijët nën moshën 5 vjet të mos mbajnë maska. Për fëmijët e moshës nga 6-11 vjet, duhet të merret një qasje e bazuar në rrezikun aktual, duke marrë parasysh nivelet e transmetimit në komunitet, aftësinë për të ruajtur distancën fizike dhe ventilimin. Për fëmijët mbi 12 vjet, duhet të zbatohen të njëjtat masa si ato që zbatohen për të rriturit në çdo hapësirë ​​të mbyllur ku njerëzit qëndrojnë bashkë për periudha më të gjata kohore në kontekstin e transmetimit të vazhdueshëm të virusit në komunitet”. 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.