Nuk është e vërtetë se do paguani 50 euro nëse doni ta merrni vaksinën

Përmbajtja që recensojmë mashtron lexuesit me një titull sensacional ndërkohë brendia e tekstit përveç se bie ndesh me titullin krijon huti dhe çorientim te lexuesi. Në këtë përmbajtje përveç se është nxjerrë nga konteksti situata aktuale me COVID19 në Zvicër, lexuesit krejt në fundit i theksohet fakti se bëhet fjalë për Zvicrën, shkruan Portalb.mk.

“Prej tani do të paguani 50 euro nëse doni që ta merrni vaksinën, gjithashtu dhe…” është titulli i përmbajtjes që recensojmë. Përmbajtja dezinformuese është shpërndarë në fb nga faqja me emrin “TV7 SHQIP” dhe në pak kohë ka grumbulluar qindra pëlqime dhe dhjetëra shpërndarje në rrjetet sociale.

Titulli i produktit mediatik që recensojmë është sensacional dhe i dyshimtë, megjithatë tërheq interesin e lexuese për ta klikuar linkun. Brendia e produktit meditiak përveç se nuk plotëson asnjë kriter gazetaresk profesional është e mbushur me një sërë informacionesh të rreme. Në tekst pretendohet se:

“Javën e kaluar ministri i Shëndetësisë, Alain Berest, njoftoi se për të inkurajuar më shumë njerëz të vaksinohen, kuponë prej 50 frangash”.     

Ky pretendim, i paraqitur në një fjali të formuluar gabim, përveç se çorientues është edhe ironik. Në asnjë vend ku flitet dhe raportohet në gjuhën shqipe nuk ka një ministër të Shëndetësisë me emrin Alain Breset. Pretendimi i radhës që pason në tekst bie në kundërshtim me vet titullin që na prezantohet kjo përmbajtje. Përderisa në titull theksohet se duhet të paguhet 50 euro vaksina kundër COVID19, në tekst thuhet se: 

“Kuponë prej 50 frangash do ti jepen kujtdo që bind një person të vaksinohet”. 

Nga buron dezinformata dhe cila është e vërteta?

Dezinformata në fjalë buron nga keq-interpretimi i situatës aktuale me COVID19 në Zvicër. Alain Berset është ministër i Shëndetësisë në Zvicër. Për ta rritur interesimin e qytetarëve për tu vaksinuar në Zvicër po promovohen politika të ndryshme motivuese, një ndër politikat e fundit në këtë drejtim është njoftimi se shteti zviceran do dhurojë bonuse prej 50 frangash çdo personi i cili bind një tjetër që të vaksinohet. Kjo politikë u propozua na ministri Breset më 1 tetor dhe iu dërgua kantoneve për konsultim. Më 13 tetor, kantonet zvicerane i thanë prerazi jo kësaj ideje me arsyetimin se se bonusi do të zemëronte ata që tashmë ishin vaksinuar, ose shumë të tjerë do i shtynte drejt idesë sa më gjatë të rrinë pa u vaksinuar aq më shumë do të rriten bonuset.

Ministri zviceran i Shëndetësisë Alain Berset – i cili ishte një nga arkitektët e idesë – tha se refuzimi i bonusit nuk ishte “i befasishëm”. Skema e bonusit prej 50 frangash ishte vendosur t’i kushtonte vendit 150 milionë franga, megjithëse Berset tha se kjo ishte një pikë në oqean krahasuar me koston javore prej 50 milionë frangash të skemës së testimit falas të vendit, e cila u anulua më 10 tetor.

Një politikë tjetër për të rritur motivin e qytetarëve për tu vaksinuar ishte dhe plani “Java e vaksinimit”. Plani përfshin një “javë vaksinimi” mbarëkombëtare për të shkëmbyer informacion në lidhje me sigurinë dhe përfitimet e vaksinave. Në kuadër të këtij plani 170 autobusë të rinj vaksinimi që do të udhëtojnë në mbarë shtetin zviceran ndërsa 1700 persona do të jenë në dispozicion për tu përgjigjur në telefon, në internet ose personalisht ndaj çdo qytetari që ka paqartësi ose keqkuptime rreth çështjes së vaksinimit.

Përveç fushatës informative Zvicra po zhvillon edhe një fushatë tjetër realizon edhe një fushatë argëtuese me koncerte muzikore dhe aktivitete të ndryshme me qëllim që të ngrejë vetëdijen e njerëzve për tu vaksinuar.

Tweet- Alain Berser, Ministër i Shëndetësisë në Zvicër

Zvicra është një ndër vendet evropiane me shkallën më të ulët të vaksinimit

Në një prononcim për transmetuesin publik zviceran SRF, ministri zviceran i Shëndetësisë Berset tha se shkalla aktuale e vaksinimit vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet tjera evropiane.

Berset tha se arsyeja nuk ishte e qartë, por mund të jetë sepse Zvicra ka vuajtur më pak nga pandemia sesa vendet e tjera.

“Shumë vende vuajtën shumë keq, me spitale të mbingarkuar dhe skena tmerri në njësitë e kujdesit intensiv. Në këto vende, gatishmëria për t’u vaksinuar është shumë më e lartë. Në Zvicër, gjithashtu, shkalla e vaksinimit priret të jetë më e lartë në kantonet që e përballuan më rëndë”, u shpreh ministri zviceran Alain Berset.

Zvicra ka arritur të vaksinojë 66% të popullsisë së përgjithshme, ose 5,78 milion banorë zviceran janë vaksinuar me dy doza të vaksinës. Kjo përqindje vlerësohet e ulët nga autoritetet zvicerane duke pasur parasysh faktin se Zvicra ishte një ndër vendet e para që filloi procesin e vaksinimit me ritme të shpejta por që më vonë pati një ngecje të pashpjegueshme. Nga Organizata Botërore të Shëndetësisë thonë se është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen me qëllim që të arrihet imuniteti i tufës.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.