Nuk është e vërtetë që vaksinat nga disa seri shkaktojnë vdekshmëri më të lartë se ato nga seri të tjera
Kufizimet e sistemit VAERS janë se nuk ka asnjë grup të të pavaksinuarve për krahasim, ai nuk mund të përllogarisë se sa shpesh shfaqen efektet anësore dhe në përgjithësi nuk mund të përcaktojë nëse është vaksina ajo që e ka shkaktuar efektin anësor, shkruan Vërtetëmatësi.
Рo recenzojmë një postim në Facebook, që thotë se vaksinat kundër Kovid-19 janë “toksike”. Këtë përfundim autorja e postimit e bazon në sistemin e raportimit të efekteve anësore të vaksinave në Shtetet e Bashkuara, VAERS, ku praktikisht çdokush mund të raportojë efekte anësore, përfshirë edhe vdekjen, pa dëshmi për një lidhshmëri shkak-pasojë mes vaksinës dhe vdekjes ose efektit anësor. Në postimin që po e recenzojmë pretendohet se disa seri vaksinash janë më vdekjeprurëse se seri të tjera të vaksinave, sepse në VAERS, për ato seri që autori i deklaron si “më vdekjeprurëse”, është raportuar një numër më i lartë vdekjesh.
Megjithatë, në pretendimet e bëra në postimin që po recenzojmë, ka një sërë aspektesh problematike, të cilat çojnë në përfundime të pasakta, si për shembull fakti që vaksina është toksike. Për shembull, thuhet se për një seri vaksinash janë raportuar vetëm një ose dy vdekje ndërsa për seritë e tjera me qindra. Ndërkohë nuk thuhet se sa doza vaksinash ka në serinë e parë dhe të dytë. Pa këtë informacion, nuk është e mundur të nxirren përfundime se një seri vaksinash shkakton dy dhe një seri tjetër vaksinash shkakton njëqind vdekje. Sidomos për shkakun se diferenca në doza midis serisë së parë dhe të dytë mund të jetë në mijëra vaksina. Pastaj, raportimi i vdekjeve në sistemin VAERS nuk është një tregues i një lidhshmërie shkak-pasojë midis vaksinës dhe vdekjes. Sa për ilustrim, një seri vaksinash mund tu administrohet vetëm të moshuarve, e cila do të kishte një shkallë më të lartë vdekshmërie edhe pa vaksinim.
Është anashkaluar edhe një kontekst tjetër i rëndësishëm. Qëllimi kryesor dhe themelor i sistemit të raportimit VAERS është zbulimi i shpejtë i ngjarjeve të rralla të padëshiruara. Me fjalë të tjera, i gjithë ky grup raportesh dhe raportimesh të efekteve anësore është i dobishëm vetëm në përgjithësi dhe shumë më pak në raste individuale.
Edhe Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve ka publikuar një videо që në vitin 2015, në të cilën në mënyrë të detajuar ka shpjeguar se si duhet përdorur sistemi VAERS.
Në këtë video në minutën 11 e 35 sekondа thuhet:
Kufizimet e sistemit VAERS janë se nuk ka asnjë grup të të pavaksinuarve për krahasim, ai nuk mund të përllogarisë se sa shpesh shfaqen efektet anësore dhe në përgjithësi nuk mund të përcaktojë nëse është vaksina ajo që e ka shkaktuar efektin anësor.
Përveç kësaj nuk janë marrë parasysh edhe këto fakte të cilat vetë sistemi i ka cilësuar si shënime:
Ata që administrojnë vaksinën inkurajohen të raportojnë në VAERS probleme të rëndësishme shëndetësore pas vaksinimit, pavarësisht nëse besojnë apo jo se shkaku është vaksina. Raportimet mund të përfshijnë informacione jo të plota, të pasakta, të rastësishme ose të paverifikuara. Numri i raportimeve nuk duhet të interpretohet ose përdoret për të nxjerrë përfundime në lidhje me ekzistencën, ashpërsinë, intensitetin, shpeshtësinë ose shkallën e problemeve të lidhura me vaksinën, dhe të dhënat e VAERS duhet të interpretohen në kontekst të informacioneve të tjera shkencore.
Zëdhënësja e Administratës së ushqimit dhe barnave në SHBA, Alison Hunt për vërtetuesit e fakteve në SHBA ka deklaruar:
Rastet e raportuara të VAERS janë raportime të paverifikuara. Fakti që dikush raporton një efekt anësor në VAERS nuk nënkupton se është vaksina ajo që e ka shkaktuar efektin. Nëse do të kishte një rritje të numrit të vdekjeve, kjo sigurisht që do e kishte gjithë vëmendjen e autoriteteve.
Vaksina Pfizer është e njëjtë në të gjitha vendet, prodhohet në procese të kontrolluara nga qeveritë kombëtare dhe rregullatorët ndërkombëtarë dhe nga vetë prodhuesi.
Vaksina e Pfizer është miratuar si nga OBSH, ashtu edhe nga EMA dhe rregullatorët amerikanë të barnave. Ka të njëjtën përbërje në të gjitha vendet. Në testimet klinike vaksinën e pranuan 23.000 njerëz mbi moshën 12 vjeçare dhe sipas testimeve klinike u vlerësua se ajo duhet miratuar, gjë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara ku Pfizer ka marrë miratim për përdorim të përhershëm. Nga 11 dhjetori i vitit 2020 këtë vaksinë e kanë marrë miliona njerëz. Autoritete serioze kombëtare kontrollojnë të gjitha seritë e vaksinave nga aspekti i rregullshmërisë dhe cilësisë, ndërkohë që ato kontrollohen edhe nga vetë prodhuesi “Pfizer”.
Këto kontrolle përfshijnë kontrolle në laboratorët kombëtarë dhe më pas vaksinat marrin certifikatën e tyre për secilën seri të lëshuar dhe prodhuar, gjë që tregon se rregullatorët kombëtarë në vendet ku administrohet vaksina gjithashtu i kanë kontrolluar dhe miratuar dozat për përdorim përpara se t’i administrojnë ato tek popullata e tyre.
Shembulli i parë është me organin rregullator të barnave në Australi (Тherapeutic Goods Administration). Australia teston në mënyrë të pavarur cilësinë e vaksinës Pfizer fillimisht me lëshimin e certifikatës dhe më pas me testim laboratorik të çdo serie të vaksinës Pfizer të prodhuar në Australi. Në këtë link mund të shihni se të gjitha vaksinat e Pfizer të administruara deri më tani në Australi, të cilat janë shpërndarë disa herë në data të ndryshme, e kanë kaluar këtë testim dhe janë certifikuar. Australia nuk është vendi i vetëm që i bën këto kontrolle të çdo serie të vaksinave Pfizer (dhe të çdo prodhuesi tjetër). Të njëjtin proces e bën edhe Маlajzia.
Siç kemi shkruar edhe më parë, çdo seri e vaksinave në Maqedoninë e Veriut kontrollohet me certifikata nga laboratorë të pavarur, analiza dhe mendime të ekspertëve. Kjo i përjashton informacionet e pavërteta të prezantuara në postimin që po e recenzojmë për toksicitetin e supozuar të vaksinës.
Për shkak të faktit se sistemi VAERS nuk duhet të përdoret si tregues për përllogaritjen e shkallës së vdekshmërisë nga vaksinat, si dhe për faktin se nuk është vërtetuar asnjë lidhshmëri shkak-pasojë midis serisë së vaksinave dhe numrit të vdekjeve (nuk thuhet se nga sa vaksina ka në një seri, as se kush i ka pranuar ato vaksina, mos ndoshta u janë dhënë pacientëve me kancer në fazën e fundit, të moshuarve, etj.), vlerësojmë se postimi që po e recenzojmë nuk është i vërtetë. Nuk ka asnjë dëshmi për toksicitet të vaksinës. Pra, kur mungojnë të dhënat për numrin e vaksinave të disponueshme në seritë e përmendura, nuk është e mundur të thuhet as edhe nëse vdekshmëria është brenda kufirit normal që do të ndodhte pa vaksinat.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari