Ministria e Jashtme, përgënjeshtrim i rremë i kërcënimit çek për rikthimin e vizave
Më 19 tetor, duke reaguar ndaj një artikulli të botuar në gazetën EUObserver që raportonte se presidenca çeke e BE kërkoi rikthimin e vizave me Shqipërinë e Serbinë, Ministra e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përgënjeshtroi ekzistencën e ndonjë dokumenti “të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.” Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky dokument ekziston, duke përmendur Shqipërinë si vendi i dytë më problematik në rakordimin e politikave të vizave me BE në Ballkanin Perëndimor, dhe këshillon, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, mundësinë e pezullimit të udhëtimit pa viza.
Patris Pustina
Artikulli i EUObserver u botua në 13 tetor 2022 me titullin “Presidenca çeke konsideron ndalimin e udhëtimit pa viza për Ballkanin Perëndimor për shkak të emigrimit të paligjshëm.” Artikulli i referohet një memorandumi të brendshëm nga presidenca çeke e BE, e cila shpreh shqetësim mbi faktin që Serbia dhe Shqipëria nuk kanë arritur plotësisht rakordimin e politikave të vizave me ato të BE, gjë që kontribuon në numrin në rritje të emigrantëve që hyjnë në BE nga kjo rrugë.
Si zgjidhje të mundshme për këtë problem, presidenca çeke parashtroi mundësinë e presionit diplomatik ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, dhe rojeve kufitare të dërguara nga BE në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nëse këto përpjekje dështojnë, Praga nuk hezitoi të propozojë pezullimin e udhëtimit pa viza nga Serbia dhe Shqipëria. Raportimit të artikullit i bënë jehonë, më 18 tetor, dhe disa deklarata të opozitës.
Duke iu përgjigjur opozitës më 18 tetor, kreu i qeverisë Rama u shpreh në rrjetin social Twitter se “vizat nuk ka gjasë të vihen”.
Postimi në Twitter i Kryeministrit Edi Rama
Për të bërë gjithçka më të besueshme, vetëm një ditë më pas, në 19 tetor, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) botoi një deklaratë për mediat ku mohonte “lajmin e pavërtetë për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë”.
Screenshot e deklaratës së Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Në këtë deklaratë, Ministria pohoi se “nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.”
Për të verifikuar vërtetësinë e kësaj deklarate, më 4 nëntor “Faktoje” kontaktoi autorin e shkrimit të EUObserver, i cili na vuri në dispozicion memorandumin e brendshëm, të cilit i referohej artikulli.
Memorandumi në fjalë, me temë “Evolucionet e fundit në rrugën e migrimit të Ballkanit Perëndimor: shkëmbim pikëpamjesh”, i është dërguar nga Presidenca çeke Këshillit të Europës më 11 tetor.
Memorandumi dërguar nga Presidenca çeke Këshillit të Europës më 11 tetor.
Në faqen 2 të këtij dokumenti presidenca çeke konstaton se “Serbia, dhe deri diku Shqipëria, nuk ka përparuar mjaftueshëm në rakordimin e politikave të vizave me ato të BE.” “Shqipëria,” vijon dokumenti, “vjen e dyta pas Serbisë në mos-përafrimin e politikave të vizave me atë të BE.” Ka aktualisht 19 vende nga të cilët mund të udhëtohet në Shqipëri pa viza, por jo në BE.
Në aneksin bashkëngjitur dokumentit përmendet edhe çështja e kërkesave të pabaza për azil nga qytetarët shqiptarë. Për më tepër, projekti i qeverisë shqiptare për të tërhequr investitorë me “pasaportat e arta” është shqetësues për BE sepse mund të lehtësojnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionit në vend.
Ndërkohë, në propozimet e veprimeve që duhet të ndërmerren presidenca çeke ka listuar një sërë veprimesh të mundshme. Por, në rast se përpjekjet diplomatike dështojnë, këshillohet në dokument, “BE duhet të jetë e përgatitur dhe të konsiderojë një listë masash të tjera që mund të përdoren, duke përfshirë edhe në kontekstin e mekanizmit të pezullimit të vizave.”
“Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe MEPJ, për t’u interesuar nëse Ministria ishte në dijeni të ekzistencës së këtij dokumenti dhe për të kërkuar një koment mbi çështjen. Kërkesës për informacion iu bashkangjit edhe dokumenti.
MEPJ u përgjigj, duke iu shmangur thelbit të çështjes, se dokumenti “është dokument i brendshëm i Këshillit dhe është “limite” vetëm për shtetet anëtare te BE-se. Si i tillë, nuk mund të komentohet egzistenca ose jo e dokumentit nga MEPJ.” Ajo shtoi se “në këtë moment, nuk egziston asnjë rrezik që mekanizmi i pezullit të vizave të vihet në lëvizje për Shqipërinë.”
Përgjigjia e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme
Pas zbulimit të dokumentit të brendshëm, për të cilin mesa duket MEPJ, nuk ishte në dijeni, mbetet që ajo të korigjojë apo tërheqë deklaratën për shtyp të datës 19 tetor, ku e etiketoi artikullin e EUObserver dhe lajmet në shtypin shqiptar që e shoqëruan atë “lajme të rreme, lehtësisht të verifikueshme për mediat apo forcat politike”. Deri në një korigjim të qëndrimit të saj publik, rezulton se është MEPJ ajo që po shpërdan lajme të pavërteta.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari