Me fotot e shkëputura nga një video e vjetër pretendohet se Prigozhin është gjallë

Фото: Принтскрин видео

Fotot e shpërndara në këtë postim në Facebook janë në fakt prerje nga një video e një ngjarje të ndodhur në vitin 2014. Pra pretendimi se Prigozhin është gjallë bazuar në këto foto është i palogjikshëm dhe i pasaktë.

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se lideri i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin është ende gjallë dhe për të mbështetur këtë pretendim, janë bashkangjitur disa foto të Prigozhin. Por kjo nuk është e vërtetë.

PRIGOZHIN NGJALLET.

FUND GËNJESHTRAVE TË CNN, thuhet në postim.

Në atë pretendohet se udhëheqësi i njësisë paraushtarake Wagner, Prigozhin, është gjallë pasi u njoftua se ai kishte vdekur në një aksident avioni në fund të muajit të kaluar. Më 23 gusht, një avion privat në pronësi të grupit mercenar Wagner u rrëzua gjatë rrugës nga Shën Petersburg për në Moskë dhe zyrtarët e kompanisë thanë se shefi i tyre, Prigozhin, ishte në mesin e dhjetë pasagjerëve në listë.

Avioni Embraer Legacy u rrëzua pranë Kuzhnekino, një lagje në rajonin Tver. Në aeroplan ishin 10 persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit. Sipas raporteve fillestare, të gjithë në aeroplan vdiqën, njoftoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Situatave të Emergjencave më 23 gusht.

Por një postim në Facebook pretendon se ai është “ringjallur”, pra nuk ka vdekur në rrëzimin e avionit, por është gjallë. Si dëshmi e këtyre pretendimeve janë publikuar pesë fotografi në të cilat shihet Prigozhin si dhe presidenti rus Vladimir Putin. Nga fotot mund të konstatohet se ato janë bërë në një pritje ku janë të pranishëm disa persona, disa prej tyre liderë botërorë duke mbajtur gota shampanjë në duar.

Duke kërkuar nëpër foto, kuptuam se ato ishin në fakt të prera nga një video. Kjo video është një përmbledhje e inserteve të videos nga një ngjarje e ndodhur nëntë vjet më parë, kështu që pretendimi se Prigozhin është gjallë bazuar në fotot e paraqitura në postim është i palogjikshëm dhe i pasaktë.

Gjegjësisht, në një pjesë të videos shihet se si Putin po bisedon me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, si dhe me Dimitri Medvedev, i cili shërbeu si president dhe kryeministër i Rusisë. Ajo kornizë nga videoja, me gjithë Prigozhin në sfond, dhe krejtësisht të njëjtën atmosferë, veshje të të pranishmëve dhe vendin e shfaqjes, mund ta vëreni në një video tjetër, të vjetër 9 vjeçare, pra e publikuar në vitin 2014. Në këtë video thuhet se lokacioni është Soçi dhe duke pasur parasysh se është publikuar në vitin 2014, me gjasë kjo pritje është bërë me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore që janë mbajtur në Soçi në vitin 2014.

Ky është një fakt i mjaftueshëm për të hedhur poshtë pretendimin se Prigozhin është gjallë nga fotot e publikuara.

Në të gjitha këto pamje, Prikozhin mund të shihet në sfond, duke shpërndarë gota shampanjë për disa nga të pranishmit, përfshirë Putinin. Kjo nuk është e pazakontë duke pasur parasysh se ai u quajt edhe “kuzhinieri i Putinit” sepse ai bëri emër si pronar i kompanive të hotelierisë dhe restoranteve dhe si furnizues i ushqimeve dhe pijeve për ngjarjet zyrtare në Kremlin. Një nga fotot e tij më të famshme është ajo në të cilën ai i shërben ushqim presidentit rus. Më pas ai mori nofkën “kuzhinier i Putinit”.

Në fakt, ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush, e kuptoi së fundmi se gjatë vizitës së tij në Shën Petersburg në vitin 2006, darkën e shtroi Yevgeny Prikozhin. Duke folur përmes video-lidhjes në konferencën e Strategjisë Evropiane të Jaltës në Kiev, Bush u pyet për vdekjen e kreut të Grupit Wagner, të cilit ai u përgjigj se nuk e dinte deri vonë se kishte ngrënë ushqim që i ishte servirur nga Prigozhin.

U trondita kur pashë një foto ditën tjetër të samitit të G8 në Shën Petersburg, ku Prikozhin ishte djali që më shërbente ushqim. Ai ishte kuzhinier. E vetmja gjë që di është se mbijetova, tha ish-presidenti amerikan.

Edhe pse rrëzimi i aeroplanit të Wagner ka shkaktuar teori të ndryshme konspirative nëse Prikozhin ishte apo jo në avion, ky postim po përhap informacione të rreme, duke pretenduar se ai është gjallë bazuar në fotografitë nëntëvjeçare. Prandaj, ne e vlerësojmë këtë postim si të pavërtetë.



 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.