Mbarëvajtja e dialogut Kosovë – Serbi, jo “në kurriz” të Kosovës

*imazhi i përdorur në artikull është marrë nga web-i

Vendimi i shtetit të Kosovës për të nisur zbatimin e ndërrimit të targave të automjeteve në “RKS”, është një vendim i ligjshëm dhe nuk shkel asnjë marrëveshje dy-palëshe. Pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për shtyrjen e afatit të këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi datën 21 Prill 2023 si afatin përfundimtar të zbatimit të këtij ligji. Pavarësisht zhgënjimit të shprehur nga SHBA dhe BE, që kërkuan shtyrjen deri në 31 gusht dhe akuzave të zyrtarëve serbë për paligjshmëri, vendimi i Kosovës është plotësisht i ligjshëm.

Jona Plumbi

Në 1 nëntor 2022 qeveria kosovare nisi lëshimin e paralajmërimeve për shoferët e makinave që lëvizin, kryesisht në veri të Kosovës, me targa të ndryshme nga ajo me akronimin “RKS”. Rreth 10,000 automjete lëvizin sot me targa që ky shtet i konsideron të paligjshme dhe për të cilat, parashtroi një tranzicion me tre faza, deri në ndryshimin e plotë të tyre në 21 prill 2023.

Fillimisht, vendimi i qeverisë së Kosovës parashikonte se makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, të ndryshme nga RKS, nuk do mund të kalojnë kufirin apo të qarkullojnë në Kosovë pas 31 tetorit. Ky afat u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, të cilët kërkuan nga Kosova shtyrjen me 10 muaj të zbatimit të vendimit.

Kurti e shtyu vendimin me 6 muaj. Kjo i zhgënjeu partnerët amerikanë dhe ata europianë. Por ndërsa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky është një veprim i ligjshëm i Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, për Bashkimin Europian kjo është në shkelje të marrëveshjes së vitit 2016 për lirinë e lëvizjes, e cila është e detyrueshme për të dy shtetet, Kosovë dhe Serbi.

Reagimi i Serbisë

Edhe Serbia ka reaguar pas vendimit të Kurtit për shtyrje deri në Prill 2023 të afatit të fundit për ndryshimin e targave të makinave. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç njoftoi vendosjen në gatishmëri të ushtrisë serbe me urdhër të presidentit Aleksandër Vuçiç, për shkak të situatës në Kosovë.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës e kanë “luftuar” vendimin e qeverisë kosovare duke thënë se nuk do t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targat RKS. “Do dëgjojmë shtetin tonë [Serbinë] dhe drejtuesit tanë”, tha Nikola Vitoroviq, qytetar i Mitrovicës së Veriut për REL.

Kjo kundërshti e përsëritur e qytearëve në veri të Kosovës, e nisur që në verën e këtij viti kur Kosova vendosi zbatimin e kësaj nisme, është nxitur edhe nga zyrtarët serbë si drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili “duartrokiste” mos-regjistrimin e targave nga serbët e Kosovës.

Petkoviç e quajti “jo ligjor dhe të dhunshëm” vendimin e Kosovës për targat dhe se qëllimi i këtij vendimi është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.

Marrëveshjet Kosovë – Serbi për lirinë e lëvizjes

“15 Shtatori 2021 ishte afati i fundit për përmbylljen e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa të ndryshme nga ajo RKS.”- kështu e nisi deklaratën në parlament kryeministri Albin Kurti, kur shpjegoi vendimin e qeverisë së tij.

Në fakt, marrëveshja fillestare për lirinë e lëvizjes mes Prishtinës dhe Beogradit është arritur në Bruksel në vitin 2011. Pika 6 e saj thotë se autoritetet në Kosovë do vijojnë vlefshmërinë e targave KS për një periudhë pesë vjeçare, në përfundim të së cilës çështja do rishikohet nga të dy palët (me lehtësimin e BE nëse kërkohet).

Pesë vjet më vonë, në 14 shtator 2016 palët dakordësohen sërish në Bruksel që “Kosova të zgjasë vlefshmërinë e targave KS për pesë vjet të tjera” dhe që “regjistrimi i automjeteve me targat e Kosovës të fillojë në janar 2017 dhe të zgjasë 12 muaj”. Edhe pse marrëveshja parashikon rishikimin e çështjes nga palët në përfundim të afatit 5-vjeçar, Kosova dhe Serbia nuk kanë dakordësuar një tjetër marrëveshje për targat, siç duket edhe nga dokumentat e publikuara në faqen zyrtare të zyrës për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e Serbisë.

Regjistrimi i targave në Kosovë nuk nisi në janar 2018, ndërsa afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së targave “KS” tashmë ka përfunduar. Ndaj në mungesë të një marrëveshjeje tjetër mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, zbatimi I vendimit të qeverisë “Kurti” nuk mund të quhet “i paligjshëm”.

Njëkohësisht, duke marrë parasysh se marrëveshja e vitit 2016 parashikonte një periudhë 12 mujore tranzicioni për zbatimin e targave “RKS”, edhe koha e lënë nga qeveria e Kosovës – nga njoftimi i këtij vendimi në parlament në shtator 2021, deri në ndalimin e plotë të targave të ndryshme nga “RKS” në 21 Prill 2023 – e tejkalon periudhën e tranzicionit 12 mujor.

*imazhi i përdorur në artikull është marrë nga web-i

Faktoje.al

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.