Marrja në kontroll nga KFOR e veriut të Kosovës, një tezë në dëm të saj

epa09491040 Albin Kurti, (R), Prime Minister of the Republic of Kosovo and Edi Rama, (L), Prime Minister of Albania react during a press conference following their meeting in Pristina, Kosovo, 27 September 2021. Prime Minister of Albania Edi Rama is on a one-day official visit in Kosovo. EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ

Territori në veri të Kosovës duhet të mbahet nën kontroll nga trupat e KFOR, sipas kryeministrit Rama, që i mëshoi kësaj deklarate edhe në seancën parlamentare për votimin e rezolutës, ku dënohej sulmi i 24 shtatorit në Banjskë. Por kjo tezë, e artikuluar edhe nga presidenti i serbisë Vuçiç pas aktit terrorist në Banjskë nuk qëndron, bazuar edhe në një reagim të vetë KFOR-it për Faktoje.  Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se si presidenti i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit në OKB, Rama duhet të rezervohej nga teza të tilla pasi ato janë në dëm të Kosovës.

Jona Plumbi

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, kryeministri Edi Rama përsëriti disa herë tezën se Veriu i Kosovës duhet të kontrollohet plotësisht nga KFOR-i.

Përsëris qëndrimin tim për domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të Veriut të Kosovës nga KFOR-i.” – tha Kryeministri Rama në fjalimin e seancës plenare ku pritej të votohej rezoluta për Kosovën, që dënonte sulmin terrorist në Banjskë. Pas sulmit në Banjskë, përpara se numri dy i listës serbe Millan Radojçiç të merrte përgjegjësinë e sulmit, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç hodhi tezën e kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR.

*postimi i Vuçiç për KFOR, 26 shtator
*publikimi i Ramës për KFOR, 28 shtator

Deklarata kaloi kufijtë e rajonit dhe zuri vend në mediat ndërkombëtare, ku ndër të tjera gjatë intervistës për “The Financial Times” kryeministri Rama e quajti Veriun e Kosovës “tokë të askujt”.

Por çfarë nënkupton marrja e kontrollit nga KFOR-i në Veriun e Kosovës nga pikpamja e funksionimit të strukturave të sigurisë ë këtij shteti?

Faktoje kërkoi informacion nga vetë KFOR për mundësinë që ky mision të marrë në kontroll Veriun e Kosovës. KFOR theksoi ekskluzivitetin e forcave të rendit të Republikës së Kosovës.

Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

– KFOR për Faktoje.

Si presidenti i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri Rama do duhej ta njihte këtë fakt, argumenton Ilir Kalemaj, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili i konsideron të dëmshme këto teza.

Deklarata të tilla, shpesh në kufijtë e papërgjegjshmërisë, prishin shumë punë, po të merret parasysh edhe fakti që Shqipëria është antare e Këshillit të Sigurimit me mandat 2-vjeçar. Madje në muajin që janë bërë këto deklarata, Shqipëria kishte edhe kryesimin e përkohshëm të Këshillit të Sigurimit. Një nga kriteteret e një shteti sovran sipas Konventës së Montevideos është pikërisht kontrolli efektiv mbi të gjithë territorin”. – thekson Kalemaj.

Të njëjtin mendim ndan edhe diplomati Agim Nesho, ambasador i mëhershëm i Shqipërisë në OKB dhe në SHBA. Nëse Serbia do të çonte një kërkesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përmes Rusisë apo Kinës, sipas tij, duke kërkuar legjitimimin e kësaj ndërhyrjeje në sovranitetin e Kosovës nga shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do e dëmtonte shumë Kosovën.

Shprehja e përdorur nga kryeministri Rama që Veriu i Kosovës është “tokë e askujt” [no man’s land] është një shprehje e paramenduar prej tij për të justifikuar kërkesat e Serbisë që Veriu i Kosovës është brenda të ashtuquajturit konfliktit të ngrirë dhe autoritetet e Kosovës nuk janë të afta për ta menaxhuar territorin e tyre.” – argumenton Nesho.

Në fakt, sulmi terrorist i 24 shtatorit, tregoi se reagimi i Kosovës ishte në standardin e duhur, sipas studiuesit Ilir Kalemaj.

Reagimi i shtetit të Kosovës, veçanërisht i policisë dhe njësive elitë të ndërhyrjes së saj ishin në nivelin e kërkuar dhe të krahasueshëm me standardet më të mira europiane. Gjithashtu reagimi politik, ishte i matur dhe korrekt, gjë që bëri që shumë kancelari perëndimore, por edhe vende të Ballkanit Perëndimor si Kroacia ta dënonin si një sulm të orkestruar dhe mirëfinancuar dhe me evidenca për mbështetje nga Beogradi” – argumenton Kalemaj.

Duke iu rikthyer tezës së përsëritur të Ramës në lidhje me rolin e KFOR në Veriun e Kosovës, diplomati Nesho, komenton ndër të tjera:

“Mendoj se është qëndrim që e mban në lojë zotin Rama për arsye se akoma vazhdon në disa segmente edhe të politikës perëndimore, në SHBA dhe BE, ku Rama është vetëparaqitur me Vuçiç-in si aktorët kryesorë të menaxhimit të krizave ballkanike.”

Përfundim

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se “KFOR duhet të rimarrë në kontroll Veriun e Kosovës” është në rastin më të mirë e nxituar dhe në rastin më të keq e qëllimtë, vlerësojnë ekspertët. Ata bien në një mendje se deklarata në fjalë (që koincidon me të njëjtën tezë të Vuçiç), nuk i shërben aspak Kosovës. Fakt është se  KFOR është mision paqeruajtës, dhe jo ligjzbatues. Marrja në kontroll e Veriut të Kosovës jo vetëm nuk përputhet me misionin e KFOR të përcaktuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, por siç theksojnë ekspertët, do cënonte sovranitetin e shtetit të Kosovës, të njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.