Manipulim me shiringa jo-mjekësore për të hedhur dyshim në vaksinimin kundër koronës

Screenshot nga videoja që qarkullon në rrjetet sociale

Nëpër rrjetet sociale qarkullon një video, përmes së cilës pretendohet t’iu dëshmohet njerëzve për mënyrën e rrejshme të vaksinimit. Por, në video shihet qartë se kjo lloj shiringe, nuk iu ngjan aspak shiringave mjekësore. Gjilpëra është shumë e trashë dhe mund të shihet shumë qartë që e njëjta nuk mund të depërtojë fare në lëkurë. Videoja origjinale në fakt është postuar nga ‘Crimson Hands FX’ në YouTube në 11 shkurt 2021, kompani me bazë në Florida që prodhon rekuizita dhe pajisje të ndryshme filmash. Manipulimi bëhet në kohë kur popullata duhet të vaksinohet kundër virusit vdekjeprurës COVID -19, me qëllim që të shkaktohet mosbesim në procesin e vaksinimit, shkruan Krithink.

Screenshot nga videoja që qarkullon në rrjetet sociale

Linku origjinal i videos: Gjilpërat mediatike që përdoren para mediave për manipulimin e njerëzve!

Data e publikimit: 21.03.2021

Data e recensimit: 03.04. 2021

Bëhet fjalë për ‘rreng’-shiringë 

Shiringa në fakt është e ashtuquajtur ‘rreng’ apo ‘truk – shiringë’ dhe nuk bëhet fjalë për shiringa, të cilat kanë për qëllim manipulimin e masës për vaksinimin. Shpërndarja e videos dhe përshkrimi që i është bërë, në realitet ka pasur për qëllim manipulimin, pasi edhe pse nuk është e vërtetë, qëllimi është t’u thuhet atyre që e shikojnë se “ata që marrin vaksinë vetëm japin përshtypjen se po e marrin, pasi lëngu nuk futet në trup”. Kjo lloj shiringe është thjeshtë një ‘pajisje’, që mund të përdoret për video të caktuara, e cila shitet nga kompania amerikane Crimson Hands FX, së bashku me sende të tjera. Pra edhe vetë autori i vërtetë që e ka postuar videon ka pasur për qëllim thjeshtë reklamimin e këtij produkti, destinuar për fushën e artit.

Si u bë kjo shiringë burim i teorive konspirative

Kjo video fillimisht u ngarkua në Youtube, më 11 shkurt nga kompania që përmendëm më sipër (Crimson Hands FX). Ndërkohë, më pas kjo video filloi të shpërndahet në rrjetet sociale në më shumë vende të botës. Më 9 mars, një person i quajtur Mamuka Kobaladze e kishte postuar po të njëjtën në profilin e tij në Facebook.

Bashkëngjitur me videon, autori i postimit shkruan: “Nuk mendoj se duhet sqarim, ju me siguri e kuptoni vetë”. Ndërkohë më pas në koment thotë: “Shiringë false që përdoret nga zyrtarët e pasur dhe të lartë për të mashtruar njerëzit”. Ky postim është shpërndarë 70 herë. Nga ana tjetër, kjo video është bërë virale edhe në faqet e Facebook-ut në gjuhën shqipe. Në një faqe në Facebook kjo video është postuar më datë 21 mars, në mbishkrimin e së cilës thuhet: “Gjilpërat mediatike që përdoren para mediave për manipulimin e njerëzve!” dhe është shpërndarë 180 herë, përmban 20 komente dhe 226 reagime.

Konceptet e manipulimit

Autorët që kanë shpërndarë këtë video me apo pa vetëdije kanë bërë një sërë manipulimesh, por që ne kemi veçuar dy më të theksuarat, për të cilat mund të informoheni në Doracakun e Crithinkut.

Manipulimi bëhet në kohë kur popullata duhet të vaksinohet kundër virusit vdekjeprurës COVID -19, me qëllim që të shkaktohet mosbesim në procesin e vaksinimit.

Prova selektive – Në këtë rast, me vetë faktin e shpërndarjes së videos është prirur tregimi i fakteve që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës. Pavarësisht faktit që mund të identifikohet lehtë se bëhet fjalë për truk-shiringa, sërish kjo është paraqitur si dëshmi edhe pse e izoluar.

Arsyetimi rrethor-  Shpërndarësit e kësaj videoje priren të dëshmojnë vërtetësinë e një
pretendimi nën supozimin së është e vërtetë, gjegjësisht, se personat në pozita të larta në të vërtetë nuk marrin vaksina, por vetëm mashtrojnë publikun.

Për lexuesit

Shikoni me vëmendje dhe do të kuptoni se shiringa që shikoni në video nuk ka të bëjë asgjë me atë mjekësore. Prandaj, jo çdo video që qarkullon në internet mund të merret si e vërtetë. Verifikoni informacionet që shikoni. Edhe nëse nuk njihni gjuhën angleze apo ndonjë gjuhë tjetër, nga ku mendoni se mund të gjeni më shumë informacione që verifikojnë vërtetësinë e diçkaje që lexoni e që s’mund ta gjeni në gjuhën tuaj amë, sot interneti ofron mundësi të mëdha edhe për të përkthyer disa fjali sa për të ‘googluar’. Prandaj përpara se t’i merrni ‘bruto’ gjërat që lexoni gjetkë, mundohuni të vërtetoni saktësinë e të njëjtës.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari