Mandati katërvjeçar i Teuta Arifit – njëra palë e lavdëron, të tjerët numërojnë projektet e parealizuara

Foto: Meta

Qytetarët e Tetovës në vitin 2013 për herë të parë i besuan mandatin një gruaje të qeverisë me pushtetin lokal dhe me paratë publike. Katër vite më vonë opinioni është ndarë kur bëhet fjalë për mandatin e kryetares Teuta Arifi. Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se Arifi, e cila përveç kryetare e komunës së Tetovës është edhe zëvendës kryetare e BDI-së, suksesshëm ka menaxhuar me qytetin nën Sharr, ndërsa të tjerët e kritikojnë për atë se nuk janë realizuar premtimet e saja kryesore zgjedhore

Shkruan: Drilon Saliu

Organet më të larta të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) vendosën që Teuta Arifi të tentojë për herë të dytë të bëhet kryetare e Tetovës. Në pozicionin e kryetares së komunës Arifi erdhi pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Gjatë mandatit të saj katër vjeçar, përkrah sfidave për realizimin e programit të saj parazgjedhor, ajo kishte edhe sfida të paparashikuara, siç ishin vërshimet në Shipkovicë, Reçicë të Madhe, Poroj, por edhe problemin me ndotjen e madhe e ajrit gjatë muajve të dimrit në Tetovë dhe rrethinë.

SHQIP
 Opinioni është i ndarë kur bëhet fjalë për mandatin e saj katërvjeçar. Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se Arifi se suksesshëm ka menaxhuar me qytetin nën Sharr, ndërsa të tjerët, vlerësojnë të kundërtën. Përderisa Arifi dhe simpatizuesit e saj krenohen me: zgjidhjen e problemit shumëvjeçarë me ujin, problemin me deponinë dhe qendrën e re transportit, menaxhimin me krizat, aktivitetet kulturore, parqe të reja. Në anën tjetër, një pjesë e opinionit edhe opozitës e kritikojnë për: projektet e parealizuara për transportin publik, shkolla e çerdhe të pa ndërtuara, zgjidhjen e pjesshme të problemit të deponisë, infrastrukturën e keqe dhe shumë premtime tjera të parealizuara. 

MENDIME TË NDRYSHME

Arianit Xhaferi, aktivist dhe kryetar i “Eko Guerila”, pyetjes së “Vërtetmatësit”,  se si e vlerëson mandatin katërvjeçar të Arifit në Komunën e Tetovës, i përgjigjet:

Nuk janë mbajtur shumë nga premtimet e rëndësishme ku u bazuan qytetarët për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës, duke nisur nga transparenca financiare e cila është pothuajse zero. deponia e egër ka qenë një nga problemet më të mëdha të Tetovës për të cilën u tha se do zgjidhej në mënyrë të shpejtë dhe efikase, por u prit që të digjej pjesa më e madhe e mbeturinave për ta larguar krejtësisht nga qyteti. U premtuan parkingje nëntokësore të cilat nuk u realizuan kurrë. U premtua rregull në komunikacion ndërkohë që qyteti është në kaos të madh. U premtua organizimi i transportit publik por s’ka as “A” nga autobusët që do duhej të bartnin qytetarët në punët e tyre të përditshme. 

Sipas analistit Bujar Plloshtani, tetovarët në vitin 2013 aspak nuk kanë dyshuar që të votojnë një grua për të parën e qytetit në Komunë, duke shpresuar për menaxhim më të mirë:

Mandatin për të parën e komunës së Tetovës, qytetarët ia besuan për herë të parë një femre të drejtonte me autoritetet lokale dhe të menaxhonte me mjetet publike të qytetarëve, për të cilën mendoj se qytetarët e Tetovës treguan pjekurinë e nevojshme që zgjodhën për drejtuese zonjën Teuta Arifi. Parimisht tregoi në njëfarë mënyre kulturën e qytetarëve të komunës së Tetovës se nuk e kanë fare problem të zgjedhin edhe ndryshe nga garat e mëhershme.

Përsëri, ai thekson se mungesa e transparencës së Buxhetit të Komunës, është një prej arsyeve për pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve:

Mandatin e punës së znj. Teuta Arifi brenda këtyre 4 viteve qeverisjeje me komunën e Tetovës e kam parë si një formë mjegulle që nxitej më tepër të përformonte, sesa të rezultonte si një punë e kryer e domosdoshme për interesin e çdo qytetari. Qeverisja e saj mendoj se ishte e njëanshme me bashkëpunëtorët e saj.Programi i saj nuk shkëlqeu as sa ishte i nevojshëm për qytetarët e Tetovës. Po të analizohet puna e komunës së Tetovës që është qeverisur nga znj. Teuta Arifi, gjithnjë sipas meje, komuna nuk e tregoi publikisht sesi është shpenzuar ky buxhet, madje dhe në sa borxh është zhytur komuna e Tetovës. Transparenca në këtë drejtim ka munguar para qytetarëve.

Duke analizuar angazhimin e kryetares Arifi, Plloshtani thotë se:

Mandati i kryetares Arifi nuk përfundoi as solemnisht, ajo nuk arriti të kryejë shumë punë të cilat i përmendi në fushatën parazgjedhore. Do t’i ndaja këto projekte që sipas meje janë me rëndësi thelbësore për qytetarët: 

  • mungesa e kanalizimit në disa lagje;
  • mungesa e investimeve kapitale;
  • mungesa e investimeve për zhvillim të prodhimit;
  • mungesa e transportit urban;
  • mungesa e garazhave nëntokësore
  • mungesa e transparencës për menaxhimin e paratë publike;
  • mungesa e një zgjidhjeje afatgjate për problemin me deponinë. 

Nga ana tjetër, Nijazi Muhamedi është i mendimit se kryetarja e Tetovës ka trashëguar probleme me kosto të mëdha nga e kaluara dhe mungesa e investimeve nuk është plotësisht faji i saj, veçanërisht në situatën kur pushteti lokal varët shumë nga ai Qeveria:

Të flasim realisht, jo gjithçka është faj i saj. Ky ka qenë një mandat i rëndë për mbijetesë financiare të Tetovës, Komuna e cila si edhe komunat e tjera në Maqedoni, nuk mund që të ketë investime me vetëm 5-6 përqind të të hyrave të saja, ndërsa 94 përqind derdhen në qeverinë qendrore nga e cila pastaj “kërkohen” me shumë vështirësi “bllok-dotacione”. Kishte vështirësi të përfundojnë projektet, siç është projekti me ujin e pijshëm që është kërkesë 27 vjeçare e tetovarëve, projekt të cilin e kanë keqpërdorë të gjithë partitë politike që kanë qeverisur me Komunën e Tetovës, gjatë të cilës janë keqpërdorur donacione si qeveritare dhe të huaja.Nuk është vetëm rasti i furnizimit me ujë, por edhe probleme të tjera ekologjike dhe turistike. Problemet e kësaj Komune, përveç si qytetarë, votues, i njoh shumë thellë edhe nga puna ime si gazetarë dhe qëndrime e mija nuk janë të motivuara politikisht, as nga Teuta Arifi, as nga pretendentët e tjerë për kryetar komune, aq më pak nga këshilltarët. Duke pasur parasysh kontekstin me të cilin ka punuar komuna, me të gjithë pengesat institucionale, me borxhe të trashëguara dhe me keqpërdorime të mëparshme nga garniturat lokale, as edhe “Skënderbeu” nuk do të mund që të qeveriste, lëre më Teuta Arifi. Ndërsa e njëjta i pret edhe kandidatin në vazhdim për Tetovë, kuptohet, nëse situata mbetet e njëjtë. 

Kur bëhet fjalë për premtime të parealizuara të Arifit, Muhamedi  thotë se disa prej tyre janë të dukshme, si për shembull qendra kulturore multifunksionale.

Duke e njohur atë dhe përgatitjen e sajë kulturore, besojë se ky projekt ka qenë vizioni i saj, por me siguri ka pasur mospajtueshmëri me prioritetet e partisë. Konteksti me të cilin vepron qeveria lokale e bën që projekti i premtuar të varet nga mëshira e Qeverisë dhe “donacioneve” të saja. Qeveria ka bllokuar shumë iniciativa, andaj kur dihet centralizimi i madh i kulturës, atëherë ky është nja faktor kyç për mossuksesin e projektit. Për në fund do të dëshiroja të theksoj se Arifi duhet që të aktualizojë projektet e saja edhe në programin zgjedhor në këto zgjedhje pa kompleksin se “nuk janë realizuar”, sepse për Tetovës këto projekte janë të rëndësisë së lartë si një qendër e madhe urbane dhe studentore, shton ai.

 

MUNGESË E INVESTIMEVE KAPITALE

Analisti Selim Ibrahimi, vlerëson se përgjithësisht “komunat me shumicë shqiptare janë trashëguar nga një shumicë e keqe partiake duke lënë pasoja te qytetarët”: 

Drejtuesit e komunave shqiptare e kanë një ADN të përbashkët të qeverisjes dhe këtu padyshim bëjnë pjesë të gjitha kandidatët e partive shqiptare pra edhe kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës znj.Teuta Arifi. Komunat shqiptare janë të trashëguara nga një udhëheqje dhe keqmenaxhim partiak duke lënë pasoja tek banorët. Borxhi i trashëguar, korrupsioni dhe nepotizmi janë një ndër tre karakteristikat e drejtueseve shqiptarë të komunave. Investimet që datojnë që nga koha e ish-Jugosllavisë janë një ndër kapitali i dukshëm me të cilët drejtuesit komunalë mund të lavdërohen.Ka raste ku duhet thënë se kanë punuar dhe kanë bërë përpjekje për të sjell investime,por shumica e tyre kanë dështuar në vjeljen e fondeve ndërkombëtare. Ndërtimet e paorganizuara, infrastruktura e dëmtuar, ajri, ujësjellësi , vërshimet, deponia dhe një seri probleme tjera e kanë përshkruar Komunën e Tetovës.

Ibrahimi shton disa arsye të cilat sipas tij, ka ardhur deri të mungesa e investimeve kapitale në qytet:

E para, centralizimi i burimeve është një ndër pengesat që Kryetarët e Komunave nuk arrijnë t’i përmbushin kërkesat e banorëve.Pasi Shkupi ,qeveria qendrore i merr të gjitha tatimet dhe i shpërndan ato në baza etnike. E dyta, mungesa e kuadrit profesional nëpër komuna shihet si një ndër dështimet e tyre. Stafi partiak dhe familjarë duhet mënjanuar për të arritur rezultate konkrete. E treta, kryetarët e komunave janë nën varësi ideologjike prej kryetarit të partisë dhe klaneve tjera të biznesit. Në rast se do të vazhdojë ky trend edhe gjatë këtij mandati , atëherë pasojat do të ndjehen tek qytetarët-votuesit. Në fakt ky menaxhim e favorizon jo transparencën dhe rrit keqpërdorimin e mjeteve financiare. 

Në fushatën promovuese në vitin 2013 Teuta Arifi ju drejtua qytetarëve: “Tetova meriton më ndryshe. Unë e shoh Tetovën si një qytet të urbanizuar me infrastrukturë efikase, linja të rregullta të transportit publik, parkingje të nëntokësore, mjedis të pastër hapësinor dhe parqe të mirëmbajtur”. Tani në zgjedhjet e vitit 2017 ajo filloi fushatën në të cilën do mundohet që t’ju dëshmoj qytetarëve të saj, se meriton të jetë përsëri kryetare e Komunës së Tetovës, ndërsa qytetarët vlerësimin e tyre se sa janë të kënaqur me qeverisjen e saj do ta japun me 15 tetor, duke mos përjashtuar rrethin e dytë zgjedhor.

*****

Vërtetmatësi ka analizuar disa nga premtimet kryesore t Teuta Arifit të dhëna në në platformën “Bashkë Ndërtojmë”, me të cilën doli në zgjedhjet lokale në vitin 2013, të cilat mund t’i gjeni në linkun në vazhdim.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.