Madje 60,5% të amvisërive nuk mund t’i plotësojnë nevojat mujore!
Mbi 56.000 familje disponojnë me 1.278 euro në vit ose me vetëm 106 еuro në muaj. Ky grup i familjeve praktikisht është më i varfëri, ndërsa analiza e burimeve të parave që janë në dispozicion tregon se vetëm 14,8% e mjeteve janë realizuar nga marrëdhënia e punës, ndërsa 44,4% janë mjete nga pensionet dhe 14,5% para nga kompensimet sociale.
Pothuajse 30% e amvisërive disponojnë me rreth 100 euro në muaj, dhe këto familje kryesisht mbështeten në të ardhurat nga pensionet, transferet sociale dhe paratë nga jashtë. Analiza më e re, gjegjësisht anketa “Shpenzimet e amvisërive në vitin 2015”, të cilën e publikoi Enti për statistika tregon se dallimi ndërmjet mjeteve që janë në dispozicion të familjeve është mbi 11 herë, njofton analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Vetëm 6,3% e amvisërive të anketuara kanë thënë se në tërësi mund t’i plotësojnë nevojat e tyre mujore për jetesë. Ka dallim të madh edhe në mënyrën se si i shpenzojnë paratë të varfërit dhe të pasurit.
Jetë me 100 еuro ose me 1.200 еuro….
Sipas anketës më të re të Entit të statistikor, mbi 56.000 familje disponojnë me 1.278 euro në vit ose me vetëm 106 еuro në muaj. Ky grup i familjeve praktikisht është më i varfëri, ndërsa analiza e burimeve të parave që janë në dispozicion tregon se vetëm 14,8% e mjeteve janë realizuar nga marrëdhënia e punës, ndërsa 44,4% janë mjete nga pensionet dhe 14,5% para nga kompensimet sociale. Për dallim nga kjo kategori “e parë” e amvisërive sipas mjeteve që i kanë në dispozicion, amvisëritë më të pasura disponojnë me 14.555 еuro në vit ose 1.212 еuro në muaj, që është pothuajse 12 herë më shumë se sa familjet më të varfëra, njofton Portalb.mk.
Аnaliza e të dhënave nga hulumtimi i publikuar, të cilën e bëri “Portalb”-i tregon se pothuajse 40% e amvisërive disponojnë me mjete më pak se 19.500 denarë, që është pothuajse edhe nën rrogën mesatare në vend.
Nga ana tjetër, 20% e amvisërive disponojnë me 49.000 denarë ose më shumë se aq në muaj.
Si, sa dhe për çka shpenzohet buxheti familjar…
Ka dallime të mëdha në mënyrën se si shpenzohen paratë e familjeve më të varfëra dhe më të pasura, tregon hulumtimi i statistikës.
“Sipas qëllimit të shpenzimit, nga mjetet e përgjithshme që janë përdorur nga kategoria e parë e amvisërive (të cilat disponojnë me më pak mjete), 77,6% shpenzohen për ushqim dhe pije joalkoolike. Te amvisëritë e grupit të dhjetë (të cilat disponojnë me sasinë më të madhe të parave), për këtë qëllim shpenzohen 22,7% e parave” – tregon hulumtimi, njoftonPortalb.mk.
Mirëpo, nga mjetet e përgjithshme që i shpenzojnë më të pasurit, madje 4,6% i shpenzojnë për restorane dhe hotele, ndërsa te më të varfërit kjo shumë është 0,2%. Në shuma absolute, dallime të mëdha ka edhe në lartësinë e parave që shpenzohen për shëndet.
“Amvisëritë që disponojnë me nivelin më të ulët të mjeteve (64.085 denarë në vit) për shëndet shpenzojnë 3.112 denarë. Amvisëritë që në vit shpenzojnë 1.209.789 denarë, për këtë qëllim ndajnë 49.895 denarë” – tregon analiza komparative e hulumtimit.
Vetëm 6,3% e amvisërive me gjendje të përmirësuar financiare…
Në pyetjen “Cili është mendimi juaj për vitin aktual financiar në krahasim me gjendjen para një viti”, 6,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se ajo është përmirësuar shumë ose pak. Ja si janë rezultatet nga kjo pyetje e parashtruar:
Shumë më e mirë 0,3%
Pak më e mirë 6,5%
E njëjtë 51,6%
Pak më e keqe 25,3%
Shumë më e keqe 16,3%
Anketa e Entit shtetëror për statistika nxjerr në pah edhe një informatë. Në fakt, vetëm 4% e familjeve me të ardhura mujore munden në tërësi t’i plotësojnë nevojat themelore për jetesë.
Në pyetjen “A i plotësojnë të ardhurat mujore nevojat”, të anketuarit janë përgjigjur:
Në tërësi i plotësojnë 4,0%
Kryesisht i plotësojnë 35,0%
Kryesisht nuk i plotësojnë 37,0%
Aspak nuk i plotësojnë 23,5%
Anketa tregon se 0,3% e amvisërive akoma nuk janë të kyçur në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimit, vetëm 14,8% kanë instalim për ngrohje qendrore, kurse 58,2% lidhje telefonike. Nga ana tjetër, 13,2% e amvisërive jetojnë në banesë prej 20 deri në 50 metra katrorë, 14% jetojnë në banesë prej 50 deri në 60 metra katrorë, ndërsa 20 për qind jetojnë në banesë prej 101 deri në mbi 120 metra katrorë, Portalb.mk.
Gjatë viteve të kaluara ekonomistët dhe sociologët alarmuan se Maqedonia bëhet shoqëri me pabarazi gjithnjë e më të thellë sociale dhe me dallime gjithnjë e më të mëdha klasore. Sipas ekonomistëve, shkaku kryesor për këtë është shpërndarja jo e drejtë e të ardhurave kombëtare, gjegjësisht edhe pse ekonomia ofron rezultate pozitive të rritjes ekonomike, trendin e këtillë e ndjejnë ata që disponojnë e pjesën më të madhe të pasurisë. Garnitura në pushtet, si pjesë të politikave të saj tatimore që duhet të stimulojnë punësime të reja e futi tatimimin e sheshtë. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se për të pasur drejtësi nevojitet tatimim progresiv, që nënkupton tatime më të larta për më të pasurit.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari