Lëvizjet e shtuara të KFOR-it nuk ndërlidhen me situatën në veri

*Përgatiti: Ridona Berisha

Një procedurë normale të misionit të KFOR-it në Kosovë që ndërlidhet me kontigjentin e saj dhe përmbushjen e detyrave që i burojnë prej mandatit, disa media kanë tentuar ta keqinterpretojnë duke e ndërlidhur me zhvillimet në veriun e populluar me shumicë serbe.

Këto informata fillimisht i ka verifikuar platforma Hibrid.info dhe tekstet i ka vlerësuar si “click-bait”.

Me 16 gusht 2023, KFOR-i njoftoi se do të rrisë lëvizjen e trupave dhe automjeteve të saj në Kosovë, por askund nuk përmendet se  kjo ka të bëjë me tensionet në veri, ashtu siç u pretendua nga portalet Sot.com.alTeSheshiKercova.com.

Në titullin e këtyre portaleve të publikuara një ditë pas njoftimit të KFOR-it, më 17 qershor 2023, thuhej- “Tensionet në Veri, KFOR del me njoftimin e fundit: Ditët në vijim…”

Ndërsa në përmbajtje të artikullit komentohej njoftimi i KFOR-it dhe arsyet e shtimit të lëvizjeve. Kjo përmbajtje e artikullit nuk përshtatet me titullin, përmes të cilit portalet kanë pretenduar se si rezultat i tensioneve në veri, KFOR ka shtuar lëvizjen.

Pra ky artikull është “clickbait” i shkruar për përfitime financiare pasi titulli nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Përmes artikujve të tillë rreth një çështje për të cilën publiku ka interes të madh, synohet të tërheqet vëmendja duke vendosur tituj sensacional.

Image

Ndërsa në njoftimin e KFOR-it dërguar mediave shkruan se, “Në ditët në vijim do të ketë rritje të lëvizjeve të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës, për shkak të procedurave normale të pranim-dorëzimit të kontingjenteve. Po ashtu do të bëhen ushtrime për të testuar dhe ruajtur aftësitë operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i përgatitjes dhe gatishmërisë për të gjitha njësitë në terren.”

Image

Gjithashtu, nga KFOR-i kanë treguar se mund të këtë ngarkesa në trafik duke iu bërë thirrje shoferëve që të kenë kujdes nëse janë afër autokolonave ushtarake.

“Derisa këto stërvitje do të mbahen në atë mënyrë që të minimizohet shqetësimi dhe ndikimi te popullata lokale, është e mundur që të ketë ngarkesa të trafikut dhe të vërehen lëvizjet e ushtarëve. Për këtë, KFOR-i këshillon gjithë shoferët që të kenë veçanërisht vëmendje nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake”, shkruan në njoftim. Mbështetur në këtë njoftim, nuk mund të arrihet në përfundimin siç bënë disa portale se lëvizjet e KFOR-it janë si rezultat i tensioneve në veri.

Raportimet e tilla që ndërlidhen me ngjarjet në veri kanë qenë të shpeshta që prej 29 majit kur pati përplasje mes protestuesve të dhunshëm dhe KFOR-it. Ato nisën pas vendosje së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale në tri komunat veriore, nën asistencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës.  Epiqendra e tensioneve ishte në Zveçan ku si pasojë e përleshjeve mbetën të plagosur rreth 25 pjesëtarë të KFOR-it. Edhe pas ndërmarrjes së hapave për shtensionimin e situatës në veri, KFOR-i vazhdon të garantojë sigurinë përreth objekteve komunale në Leposaviq e Zveçan.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.