Gostivari me stacion filtrues të ujit
Projekti: Përfundimi i stacionit të filtrimit për qytetin e Gostivarit, (Gostivar); Vlera: 12 milion denarë; Afati i realizimit: 2014;
ARSYETIM:
Ndërtimin e stacionit filtrues për Komunën e Gostivarit u premtua disa herë nga ana e Bashkimi Demokratik për Integrim. Fillimisht në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2013, pastaj dhe në Platformën zgjedhore të vitit 2014 (faqe 266). Si afat të fundit për përfundimin e punimeve në Platformë është dhënë viti 2015. Deri më tani (21.02.2017) ky premtim është i plotësuar me vonesë.
Më 31.05.2013 Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në një takim që realizoi me një delegacion nga Ambasada e Zvicrës dhe drejtorin i ndërmarrjes publike “Komunalec” u premtua që projekti për ndërtimin e stacionit filtrues për Komunën e Gostivarit do të fillojë në vjeshtë (2013).
“Bëhet fjalë për një projekt që qeveria zvicerane e ka paraparë të realizoje në periudhën 2013-2016. Projekti parasheh zgjedhjen e një konsultanti zviceran, i cili do të punoje për realizimin e master planit për sistemin për ujë për pije në Gostivar dhe ndërtimin e një rezervuari për ujë për mbi dymijë metra kub ujë dhe në të ardhmen të mund të rritet deri në 20 mijë m3. Rezervuari do të nderohet në fshatin Vërtok në afërsi të stacionit të filtrimit i cili është ndërtim e sipër”. (burimi: Ueb faqja zyrtare-K0muna e Gostivarit, 31.05.2013)
Megjithatë, punët ndërtimore për instalimin e tubacionit që do të lidhte Stacionin Filtrues me gypin ekzistues kryesor të rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Gostivarit me rrethinë kanë filluar pak me vonesë nga ajo që ishte premtuar, gjegjësisht më 23.04.2015.
“Në fshatin Vërtok fillojmë me punët për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, gypit të vjetër të djathtë që ne në NP “Komunalec” e kemi evidentuar, ku do të bëhet lidhja e gypit të djathtë, deri te Stacioni Filtrues dhe i njëjti ujë pastaj prapë duhet të kthehet tеk i njëjti gyp për ta furnizuar qytetin me ujë të pastër”. (burimi: Ueb faqja zyrtare-K0muna e Gostivarit, 23.04.2015)
Nga ndërmarrja e cila do t’i realizonte punët në terren, NN “Pellagonia” nga Gostivari kishte theksuar se me kontratë është paraparë që punët të përmbyllen brenda 60 ditësh.
Ndërkaq, stacioni i filtrimit në Gostivar nuk kishte arritur të përfundohet në afatin e paraparë në kontratë, i njëjti është lëshuar në përdorim më 29.12.2015.
“Projekti ka kushtuar 2 milion euro dhe u investua nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Komuna e Gostivarit bëri blerjen e tokës ku u ndërtua objekti i Stacionit Filtrues, si dhe në ndërtimin e Trafo Stacionit nga ku objekti furnizohet me energji elektrike. Ndërmarrja Publike Komunale ka bërë ndërlidhjen e gypave të ujit me Stacionin Filtrues. Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Komunale investuan rreth 100 mijë euro për përfundimin e këtij projekti kapital për banorët e Gostivarit” (burimi: TV2 Gostivar, Telegrafi; 29.12.2015)
Projekti për ndërtimin e stacionit të filtrimit (sipas Platformës zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim zgjedhjet 2014, faqe 260) duhej të kishte përfunduar në vitin 2014, por kjo gjë nuk ndodhi. Edhe pse projekti u përfundua me vonesë (29.12.2015), sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, këtë projekt e vlerësojmë si i plotësuar.
BURIME:
- Platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014 (faqe 260);
- |31.05.2013| Projekti për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit do të filloje të realizohet në vjeshtë (Ueb faqja zyrtare-K0muna e Gostivarit, shikuar më 21.02.2017)
- | 23.04.2015| Filluan punimet për instalimin e tubacionit që do të lidhë stacionin filtrues me rrjetin e ujësjellësit, investimi mbi 200 mijë euro (Ueb faqja zyrtare-K0muna e Gostivarit, shikuar më 21.02.2017);
- |29.12.2015| Lëshohet në përdorim Stacioni Filtrues në Gostivar (TV2 Gostivar, shikuar më 21.02.2017);
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari