Fushat e djegura me grurë në Michigan “shiten” si në Ukrainë
Një lajm i publikuar nga portalet, ku thuhet se rusët po djegin fushat me grurë në Ukrainë, nuk është i vërtetë. Faktoje verifikoi se kjo foto është kryer në SHBA dhe nuk ka asnjë lidhje me luftën dhe shkatërrimet që po ndodhin në Ukrainë si rezultat i agresionit rus.
Publikimi i pamjeve të fushave më grurë që po digjen nga zjarri në mediat online ngjall sigurisht shqetësim tek çdo lexues i shqetësuar për një çështje mjaft të ndjeshme. Si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit shërbejnë edhe titujt bombastikë të portaleve që e kanë publikuar këtë foto. Njëri prej tyre, portali “Rrugapress.al”, e shoqëron foton me titullin: “Rusët po na djegin bukën,’ pamje tragjike nga fushat e grurit në Ukrainë”. Një alarm që ngjall panik jo vetëm te qytetarët e thjeshtë, por rrezikon të krijojë shqetësim edhe për tregtarët dhe prodhuesit e bukës, të cilët Ukrainën e kanë furnizuesin kryesor të grurit.
Screenshot artikulli i publikuar nga portali
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm dhe të zbulojë më tej se artikulli i portalit i referohet një postimi të bërë në Facebook nga politikani dhe gazetari Ihor Lutsenko. Por, si në shumë raste të tjera, nuk është bërë një verifikim i thjeshtë për të parë se ku janë këto fusha me grurë.
Gjatë një kërkimi të bërë në Google rezulton se kjo video është ngarkuar në YouTube më 18 korrik 2022 dhe në përshkrimin e bërë thuhet se pamjet janë filmuar në ‘Crystal Township në Montcalm County’, Michigan, SHBA. “Një zjarr ka rënë teksa fermerët po korrnin grurin e këtij viti. Nuk pati të lënduar apo humbje të pajisjeve bujqësore. Nuk dihet dëmi në të korra”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin e bërë krahas pamjeve të publikuara. Pamjet janë xhiruar nga Larry Johnson, i cili më 30 korrik, nëpërmjet një postimi në Facebook kishte publikuar linkun e videos në Youtube. Ky konstatim i vendndodhjes së fushës së djegur konfimohet më tej edhe nga Associated Press dhe USATODAY.
Shumë media të tjera online në Shqipëri e kanë publikuar këtë artikull, duke iu referuar postimeve të bëra nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Disa nga portalet që e kanë publikuar janë: abcnews.al, voxnews.al, kosovapost.net, gazetadita.al, shqipmedia. Kriza e grurit për shkak të konflktit Rusi-Ukrainë bëri që shumë përdorues të rrjeteve sociale, por edhe media online të binin pre e këtij lajmi të rreme. Verifikimi i burimeve të informacionit dhe kontrolli i fakteve janë shumë të rëndësishme para se të shpërndani një lajm apo një informacion që është publikuar masivisht.
Burimi: Faktoje
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari