Dhjetë dezinformatat më të mëdha për vaksinat në vitin 2021

фото: pixabay.com

Me ardhjen e koronavirusit dhe përhapjen e tij të shpejtë për shkak të së cilit edhe u shpall pandemi, komuniteti shkencor u përkushtua për të gjetur vaksina që do të mbrojnë shëndetin e njeriut dhe do të ndalojnë përhapjen e virusit. Deri më tani, janë zhvilluar disa lloje të ndryshme vaksinash dhe vendet vendosin vetë se me cilën vaksinë do të imunizojnë popullsinë. Çdo vaksinë e licencuar testohet në mënyrë rigoroze në disa faza përpara se të miratohet për përdorim dhe kontrollohet rregullisht pas prezantimit. Është e rëndësishme të dini se përfitimet e vaksinave tejkalojnë rreziqet e zhvillimit të sëmundjes së rëndë Covid-19 dhe shtrimit në spital. Megjithëse vaksinat kundër Covid-19, si çdo vaksinë apo ilaç tjetër, mund të kenë disa efekte anësore, ato janë shumë të rralla. Por, kjo ka kontribuar në ndarjen masive të të pavërtetave rreth tyre dhe në intensifikimin e narrativave kundër vaksinave. Në vazhdim, lexoni dezinformatat më të mëdha që u përhapën për vaksinat në vitin 2021.

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

1. Vaksinat të infektojnë me Covid-19

Vaksinat nuk shkaktojnë sëmundje të koronavirusit, sepse asnjëra nga vaksinat e miratuara nuk përmbajnë virusin aktiv. Përkundrazi, vaksina kundër Covid-19 mbron qytetarët nga forma e rënda dhe redukton shtrimin në spital dhe vdekshmërinë. Sidoqoftë, pretendime të tilla u bënë virale gjatë gjithë vitit 2021.

Koronavirusi infekton kryesisht të pavaksinuarit, ndërsa qytetarët e vaksinuar të infektuar me Covid-19 nuk e kanë marrë atë nga vaksinat.

Vaksina nuk përmban asnjë pjesë të gjallë apo aktive të virusit Covid-19. Nuk do të shkaktojë test pozitiv, me të cilin testohet infeksioni aktiv me Covid-19, shkruan faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë që synon të rrëzojë mitet rreth vaksinimit.

Se vaksina nuk infekton me Covid-19, por e mëson sistemin tonë imunitar se si të njohë dhe luftojë virusin, pohon edhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

 

2. Vaksina do ta ndryshojë ADN-në tuaj

Në vitin 2021 mund të lexonim shumë herë se vaksinat kundër Covid-19 janë terapi gjenetike, dhe se ato ndryshojnë ADN-në e njeriut. Por, kjo nuk është e vërtetë.

Vaksinat mRNA nuk ndryshojnë ADN-në tuaj në asnjë mënyrë dhe për këtë arsye nuk mund të shkaktojnë kancer. Vaksinat e ARN-së (mRNA) i mësojnë qelizat se si të bëjnë proteinë që shkakton përgjigje imune nëse dikush infektohet. mRNA-ja që injektohet në trupin tuaj nuk ndërvepron me ADN-në tuaj. Pasi mRNA-ja ka kryer punën e saj, qelizat tuaja e zbërthejnë atë dhe e pastrojnë nga trupi juaj. Nuk ka efekte të përhershme të mRNA-së në vaksinë, shkruan në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, zyrtarisht ka konfirmuar se vaksina kundër kovidit nuk ndërvepron në asnjë mënyrë me ADN-në tonë.

 

3. Vaksinat ndikojnë në fertilitet dhe shkaktojnë sterilitet

Një nga gënjeshtrat më të mëdha për vaksinat që ka shkaktuar kaq shumë vëmendje dhe dyshime te vaksinat, është se ato ndikojnë në fertilitetin e burrave dhe grave dhe se mund të shkaktojnë sterilitet.

Nuk ka asnjë provë që vaksinat ndikojnë në fertilitetin tek burrat ose gratë, as që ato ndikojnë në procesin e konceptimit, fetusit ose foshnjës së porsalindur nëse nëna e vaksinuar është ende duke e ushqyer me gji.

Gratë që përpiqen të mbeten shtatzënë, nuk duhet të shmangin shtatzëninë pas vaksinimit, sipas Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve nga Britania e Madhe. Universiteti Johns Hopkins ka dalë me të dhëna të ngjashme, duke pretenduar se nuk ka arsye për të vonuar planifikimin e shtatzënisë pas procesit të vaksinimit.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thotë se ato që duan të mbeten shtatzënë në të ardhmen mund të vaksinohen sepse vaksinat nuk shkaktojnë infertilitet.

Njoftime të tilla dhe të ngjashme që pretendojnë se vaksinat shkaktojnë sterilitet janë vetëm një nga mënyrat se si lëvizjet kundër vaksinës përpiqen, nëpërmjet informacioneve të rreme dhe frikësimit, të bindin qytetarët që të mos vaksinohen.

 

4. Me vaksina do t’ju çipojnë

Në rrjetet sociale kanë dalë thirrje që qytetarët të mos vaksinohen, pasi dyshohet se vaksinat përmbajnë çipa që do të përdoren për monitorimin e popullatës. E vërteta është se përbërësit e vaksinave janë të njohura dhe janë informacion publik, dhe asnjëra vaksinë nuk përmban mikroçip.

Doza e vaksinës është më pak se një mililitër. Doza standarde e “Pfizer” përmban 0.3 mililitra. Ky vëllim nuk është i mjaftueshëm për të vendosur mikroçip, edhe nëse dikush dëshiron ta bëjë atë.

Nuk ka asnjë provë shkencore për të mbështetur teorinë se. nëpërmjet vaksinës futet çip në trupin e njeriut.

 

5. Vaksinimi magnetizon trupin tuaj

Është gënjeshtër e plotë që vaksinat shkaktojnë veti magnetizuese, pavarësisht numrit të madh të fotove dhe videove që janë publikuar që tregojnë objekte metalike të ngjitura në shpatullat e njerëzve.

Ndryshe nga këto pretendime, e vërteta është se asnjë nga vaksinat e miratuara nuk përmban përbërës magnetizues. Hekuri është një nga metalet më të zakonshme që përdoret në magnet, por as hekuri dhe as ndonjë metal tjetër nuk përmendet në listën e vaksinave të ndonjë prodhuesi. Por edhe nëse vaksinat përmbajnë metale, ato nuk do të shkaktonin reaksion magnetik. Sasia e metalit që duhet të gjendet në vaksinë për të tërhequr magnet, është shumë më e madhe se sasia që mund të jetë e pranishme në një dozë të vogël të vaksinës.

Pavarësisht se sa video dhe foto në internet keni parë të njerëzve që ngjisin lugë, çelësa dhe produkte të tjera metalike, magnetët nuk funksionojnë në atë mënyrë. Ngjitja e këtyre sendeve mund të jetë për disa arsye, që nuk kanë të bëjnë fare me vaksinat, siç është për shembull, djersa e njeriut.

 

6. Vaksinat janë helm

Dezinformata e përhapur ishte se vaksinat janë plot me helme, toksina dhe përmbajnë oksid grafeni. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë provë për këto pretendime, as nuk ka ndonjë hulumtim përkatës mjekësor që mund ta konfirmojë këtë.

Vaksinat janë të sigurta, efektive dhe të zhvilluara në platforma të sigurta. Para aplikimit të tyre, janë kryer një sërë testesh të cilat treguan se përfitimet e vaksinës janë shumë më të mëdha sesa efektet anësore.

 

7. Vaksinat përmbajnë gjak të fëmijëve dhe foshnjave të vdekura

Një nga përpjekjet e lëvizjeve kundër vaksinës për të bindur sa më shumë njerëz që të mos vaksinohen, ishin edhe njoftimet sensacionale se vaksinat përmbanin inde nga foshnjat e vrarë dhe gjak nga fëmijët.

Jo, vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë qeliza nga fetuset e abortuara. Megjithatë, për të bërë disa nga vaksinat kundër Covid-19, linjat qelizore të fetusit u përdorën në testime dhe kërkime.

Linjat e qelizave fetale janë shumë të ndryshme nga indet e fetusit. Ato përdoren ndonjëherë në zhvillimin, vërtetimin ose prodhimin e vaksinave – duke përfshirë vaksinat kundër Covid-19.

Edhe pse për prodhimin e vaksinës u përdorën linja qelizore fetale, të cilat u përsëritën në laborator gjatë procesit të prodhimit, vetë vaksina nuk përmbante inde nga fetusi.

Nga ana tjetër, produktet e gjakut nuk janë fare pjesë e përbërjes, as nuk janë të përfshira në testimin e vaksinës dhe as në prodhimin e saj.

8 . Vaksinat lidhen me rrjetin 5G

Teoria e konspiracionit se rrjeti 5G dhe mikroçipet në vaksina janë përpjekje e kombinuar për të kontrolluar popullatën – ku lëviz, çfarë bën, çfarë blen, madje edhe ideja se çipat joekzistues do të kontrollojnë procesin e të menduarit të individit të vaksinuar – është e pavërtetë. Teknologjia 5G në komunikim, dhe vaksinimi në shëndetësi nuk kanë asnjë lidhje. Dhe siç e kemi shpjeguar tashmë më lart, vëllimi i vaksinave është aq i vogël sa nuk ka as një shans teorik për të vendosur çip në to.

 

9. Vaksinat shkaktojnë mutacione të virusit

Është gjithashtu i pasaktë pretendimi se vaksinat shkaktojnë variante të reja në kovidit, gjegjësisht se për shkak tyre virusi ndryshon. E vërteta është se vaksinat zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së virusit, dhe kështu mundësinë që ai të ndryshojë për të krijuar variante të reja. Provat shkencore sugjerojnë gjithashtu, se një numër mutacionesh të virusit u shfaqën përpara se të zhvillohej vaksina. Më 20 dhjetor 2020 kanë ekzistuar të paktën 7 variante, pra mutacione të virusit, ndërsa vaksinimi as nuk kishte filluar.

Refuzimi i vaksinimit, nga ana tjetër, nuk do të kufizojë evolucionin e virusit.

 

10. Vaksinat janë të pasigurta, eksperimentale dhe nuk mbrojnë

Në përpjekje për të ndryshuar mendjen e sa më shumë njerëzve që të mos vaksinohen, ndërkohë që rrezikojnë shëndetin publik, lëvizjet kundër vaksinës kanë shkruar pa pushim gënjeshtra në rrjetet sociale se vaksinat nuk janë miratuar, se ato po testohen te njerëzit dhe se ato nuk janë efektive. Këto pretendime janë të pasakta.

Nuk është e vërtetë që vaksinat janë eksperimentale. Disa vaksina janë ende në fazën eksperimentale, por për ato të miratuara për imunizim, si nga OBSH, ashtu edhe nga rregulloret kombëtare të çdo vendi, faza eksperimentale ka përfunduar dhe ato janë miratuar plotësisht për përdorim.

Siç informojnë nga OBSH, ekzistojnë masa shumë të rrepta për të siguruar që vaksinat kundër Covid-19 të jenë të sigurta. Ashtu si të gjitha vaksinat, këto vaksina kalojnë nëpër një proces testimi rigoroz, me shumë hapa, duke përfshirë prova në shkallë të gjerë (Faza III), në të cilat marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Vaksinat kundër Covid-19 ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjes duke zhvilluar përgjigje imune ndaj virusit SARS-Cov-2. Zhvillimi i imunitetit nëpërmjet vaksinimit nënkupton rrezik të reduktuar të zhvillimit të sëmundjes dhe pasojave të saj. Ky imunitet ju ndihmon të luftoni virusin nëse jeni të ekspozuar ndaj tij. Vaksinimi mbron edhe njerëzit përreth jush.

 

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.


 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari