Dezinformata për vaksinimin e detyruar dhe trillime për kinse helmim të nxënësve

Фото: скриншот од дел од објавата

Nuk ka asnjë plan apo komplot për vaksinimin e detyruar të fëmijëve dhe helmimin e tyre me vaksina, siç pretendohet në postimin në Facebook që po e recensojmë, duke përhapur mesazhe shqetësuese dhe duke nxitur panik tek prindërit. Imunizimi për të rinjtë e moshës 12-18 vjeç kryhet vetëm pas aplikimit paraprak, me pëlqimin e prindit dhe në pikat e vaksinimit, ndërsa për fëmijët nën 12 vjeç për momentin nuk rekomandohet asnjë vaksinë kundër Covid-19.

 

Postimi në Facebook përhap mesazhe shqetësuese në lidhje me vaksinimin e detyruar të nxënësve dhe “sakrifikimin” e tyre pa dijeninë e prindërve të tyre, duke nxitur frikë dhe panik, por edhe mosbesim në institucionet dhe programin e vaksinimit. Ky njoftim manipulues nënkupton ekzistencën e një “komploti” nga shteti, i cili planifikon të rrezikojë shëndetin e fëmijëve, gjë që është krejtësisht e pavërtetë.

“Do të vijnë pa paralajmëruar, me siguri të lartë policore, si atentatorë dhe do t’ua vaksinojnë fëmijët me dhunë”, i paralajmëron prindërit autori i postimit.

Gënjeshtër me pretendime pa asnjë fakt

Ky pretendim është i pasaktë dhe i pakuptimtë, dhe autori nuk e njeh aspak sistemin ligjor dhe procesin e imunizimit. Ose, ai është mbështetës i mësimdhënies online për nxënësit, dhe jo i modelit me prani fizike dhe në mënyrë të fshehtë proklamon qëndrimin e tij.

Së pari, vaksinat në vend nuk janë të detyrueshme, por vullnetare, megjithëse autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për imunizim masiv, përfshirë në mesin e të rinjve, pas rritjes së rasteve të të sëmurëve dhe të vdekurve në këtë grup të popullsisë.

Kjo përsëritet vazhdimisht nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili thekson se edhe pse disa vende e aplikojnë vaksinimin e fëmijëve kundër Covid-19 si të detyrueshëm dhe nuk do të pranojnë fëmijë të pavaksinuar në shkollë, kjo tek ne nuk do të ndodhë.

Së dyti, aktualisht nuk ka vaksinim të fëmijëve nën moshën 12 vjeç. Pfizer është ende duke punuar në prova klinike për grupet e moshës 5 deri në 11 vjeç dhe 6 muaj deri në 5 vjet, gjithashtu kërkimet janë duke u zhvilluar edhe nga Moderna. Për momentin, vaksinat janë në dispozicion vetëm për të rinjtë prej 12-18 vjeç, të cilët duhet të regjistrohen paraprakisht përmes sistemit të vaksinimit, ndërsa vaksinat aplikohen ekskluzivisht në pikat e vaksinimit. Deri më tani, nuk ka njoftim për vaksinim të organizuar në shkolla, që do të thotë se njoftimi përhap informacion të rremë dhe të pasaktë.

Dhe së treti, për vaksinimin e të miturve, përfshirë vaksinën kundër Covid-19, kërkohet pëlqimi i prindërve, që do të thotë se askush nuk mund të “detyrojë”, siç thuhet në njoftim, të vaksinojë nxënësit e mitur, dhe të paktën autoritetet shëndetësore dhe policore, përgjegjëse për respektimin e rregullave dhe ligjeve.

Autori i postimit nuk ndalet këtu duke përhapur të pavërteta, por vazhdon me mesazhe edhe më shqetësuese për prindërit:

Fëmijët zemërbutë si qengjet, do t’ua helmojnë të gjithë. Ndërsa mësuesit thjesht do të thonë se ashtu i kanë urdhëruar. Heshtni prindërit me frikacakërinë tuaj, sakrifikoni fëmijët tuaj …

Nuk ka helmim të fëmijëve, aq më pak nga vaksinat. Me vaksinat e gjetura deri tani kundër shumë sëmundjeve, janë parandaluar një numër epidemish dhe janë zhdukur sëmundjet infektive të rrezikshme, me të cilat janë shpëtuar dhe shpëtohen shumë jetë. Ekspertët shëndetësorë, nga ana tjetër, po tregojnë vazhdimisht përfitimet dhe sigurinë e vaksinave, përkundër rreziqeve të mëdha të koronavirusit.

Në botë, si dhe në vendin tonë, të miturit e moshës 12-18 vjeç vaksinohen me vaksinën Pfizer, e cila kohët e fundit mori miratimin e plotë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për njerëzit mbi 16 vjeç. Paralelisht, ajo vazhdon të jetë e disponueshëm nën autorizimin për urgjencë (EUA) edhe për individët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Vaksina tregoi 100% efikasitet në provat klinike me pjesëmarrësit në këtë grupmoshë dhe u tolerua mirë. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), ndërkohë, kohët e fundit miratoi përdorimin e vaksinës Moderna për fëmijët midis moshës 12 dhe 17 vjeç.

Miratimi i kësaj vaksine (Pfizer) është moment historik derisa ne vazhdojmë të luftojmë pandeminë Covid-19. Ndërsa kjo dhe vaksinat e tjera kanë përmbushur standardet rigoroze, shkencore për autorizimin për përdorim urgjent si vaksina e parë e aprovuar nga FDA kundër Covid-19, publiku mund të jetë i sigurt se kjo vaksinë plotëson standardet e larta të sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë së prodhimit; dhe plotëson kërkesat e miratimit të FDA-së, tha komisionerja e FDA, Xhenet Vudkod.

Edhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) gjithashtu rekomandon prej 12 vjeç e lart duhet të marrë vaksinën kundër Covid-19, për t’u mbrojtur kundër virusit, pasi vaksinimi masiv është mjet kyç për të ndaluar pandeminë dhe për të krijuar kushtet për imunitet kolektiv. UNICEF gjithashtu apelon se vaksinat janë vendimtare për të vënë nën kontroll pandeminë.

Këto fakte konfirmojnë se në asnjë rast nuk mund të flitet për helmimin e fëmijëve me vaksina, siç nënkuptohet në postimin që po e recensojmë.

 

Institucionet: Nuk ka diskriminim rreth vaksinave dhe fëmijëve

Qëndrime të tilla kundër vaksinave ishin gjithashtu të pranishme dy vjet më parë gjatë epidemisë së fruthit, kur shumë prindër kundërshtuan vendimin e qeverisë që fëmijët e pavaksinuar të mos ishin në gjendje të ndiqnin mësimin. Mbi reagimet e prindërve, paditë dhe ankesat e tyre, si Gjykata Kushtetuese e RMV-së ashtu edhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi arritën në përfundimin se ky vendim nuk përbën diskriminim në asnjë bazë dhe se nuk është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Fillor.

Faktet janë të dukshme se vaksina për fëmijët as nuk detyrohet, as nuk zbatohet fshehurazi ose nuk përdoret për të helmuar nxënësit, prandaj këtë postim ne e vlerësojmë si të rremë dhe manipulues, i cili minon luftën kundër vaksinimit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës së re. Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe imunizimi masiv është i nevojshëm për të parandaluar raste të rënda dhe vdekje, veçanërisht tek të rinjtë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari