Deri kurë ekonomia do të varet prej një sektori?

Maqedoni me rritje vjetore prej 4,5 për tre muaj mund të arrijë Evropën


PPB-ja për kokë banori e vlerëson fuqinë ekonomike të popullatës. PBB-ja për kokë banori është rreth 370 euro në muaj, që do të thotë 1.500 еuro në muaj për një familje katër prej katër anëtarëve. Sa familje te ne kanë të ardhura mujore prej 1.500 еurosh në muaj? PBB-ja në vete i përfshin edhe profitet e firmave, edhe amortizimin që e paguajnë ato për investimet e tyre, edhe shërbimet që ua ofron shteti qytetarëve pa paguar ata nga xhepi i tyre (siguria, shëndetësia, arsimi). Prandaj, ka dallim të madh ndërmjet PBB-së dhe të ardhurave që i ka në dispozicion popullata (gjegjësisht të ardhurat që njerëzit i marrin në dorë). Sasia e të ardhurave që janë në dispozicion është shumë më e vogël, rreth 50-60% e PBB-së, gjegjësisht rreth 2.500 еuro për kokë banori, thotë ekonomisti Branimir Jovanoviq.

 

Shkruan: Aneta Dodevska


Në kushte të paqartësisë politike, ekonomia edhe në tremujorin e dytë shënoi përqindje pozitive të rritjes – rritje modeste prej 2,2%. Shtylla kyçe në të cilën bazohet PBB-ja edhe më tutje është ndërtimtaria, sektor në të cilin ka rritje prej 31%. Për dallim nga sektori qytetar, pothuajse në të gjithë sektorët tjerë është regjistruar rënie, shkruan në analizën javore ekonomike për Portalb.mk. Një pjesë e ekonomistëve presin që deri në fund të vitit, rritja të ngadalësohet, për shkak se firmat, gjegjësisht sektori privat, si rezultat i gjendjes së përkeqësuar financiare dhe të likuiditetit, nuk do të arrijnë t’i realizojnë projektimet e parapara qeveritare.


EKONOMIA RRITET – STANDARDI NGELET I “GRIRË”

Trendet negative në industrinë për përpunimin e ushqimit, në xehetari, në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve, regjistroi statistika shtetërore në tremujorin e dytë ekonomik. Për dallim nga këto sektorë, ndërtimtaria edhe më tutje dominon, si shtyllë bartëse e rritjes ekonomike. Përqindje pozitive ka edhe në veprimtaritë administrative dhe ato ndihmëse shërbyese, ndërsa rritje minimale ka në tregti. Marrë në përgjithësi, në tremujorin e dytë ekonomia shënoi rritje prej 2,2 për qind, nivel që është minimumi më i lartë se sa rritja në tremujorin e parë, mirëpo më e ulët se sa rritja në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur PBB-ja u rrit për 3,4%. Një pjesë e ekonomistëve presin që rritja ekonomike në periudhën e ardhshme të ngadalësohet.

“Në kushte të krizës politike, është normale që të vijë deri te zvogëlimi në pjesën e të ardhurave nga konsumimi (konsumimi personal dhe ai publik), zvogëlimi i porosive, veçanërisht nga jashtë, pasta zvogëlimi i aktivitetit të përgjithshëm investues, ndërsa nëse kriza politike zgjatet, ka rrezik real për zhvendosjen e kapitalit në zona më të sigurta për investim. Nuk pres rritje më të madhe të PBB-së se sa 1% deri në 1,5% në tremujorin e dytë dhe atë të tretë. Pres një lëvizshmëri më të madhe në aktivitetin ekonomik nëpërmjet injektimit të mjeteve plotësuese nga buxheti në ekonomi, që janë siguruar nga huat e marra në terrenin vendor dhe atë të huaj. Me ato para do të sigurohen mjete për pagimin e obligimeve, për porosi të reja, për pagesën e subvencioneve dhe për lloje të tjera të pagesave nga buxheti, mirëpo kjo nuk do të mjaftojë për të pasur një lëvizshmëri më të madhe të aktivitetit ekonomik”, thotë për Portalb.mk, profesori universitar, Sami Bislimi.

Paqartësia politike në vitin 2015 përfundoi me rritje ekonomike prej 3,7%, kryesisht të mbështetur në sektorin e ndërtimtarisë, i cili në nivel vjetor shënoi rritje prej 16,8%. Për dallim nga ndërtimtaria, gjatë vitit të kaluar, bujqësia, industria e përpunimit të ushqimit, administrata publike dhe mbrojtja nuk shënuan përqindje pozitive. Prodhimi mesatar i brendshëm bruto ishte 4.401 еuro, që do të thotë se aq para ka pasur në dispozicion çdo banor i vendit gjatë vitit të kaluar. 

PBB NUK PASQYRON RRITJEN EKONOMIKE

Еkonomistët thonë se rritja ekonomike duhet të analizohet duke bërë krahasime me parametra të tjerë, gjegjësisht sa kjo rritje realisht e përmirëson standardin jetësor, si është shpërndarja dhe cili është relacioni në raport me huat e marra, gjegjësisht a është borxhi publik në funksion të rritjes së PBB-së.

“PPB-ja për kokë banori e vlerëson fuqinë ekonomike të popullatës. PBB-ja për kokë banori është rreth 370 euro në muaj, që do të thotë 1.500 еuro në muaj për një familje prej katër anëtarëve. Sa familje te ne kanë të ardhura mujore prej 1.500 еurosh në muaj? PBB-ja në vete i përfshin edhe profitet e firmave, edhe amortizimin që e paguajnë ato për investimet e tyre, edhe shërbimet që ua ofron shteti qytetarëve pa paguar ata nga xhepi i tyre (siguria, shëndetësia, arsimi). Prandaj, ka dallim të madh ndërmjet PBB-së dhe të ardhurave që i ka në dispozicion popullata (gjegjësisht të ardhurat që njerëzit i marrin në dorë). Sasia e të ardhurave që janë në dispozicion është shumë më e vogël, rreth 50-60% e PBB-së, gjegjësisht rreth 2.500 еuro për kokë banori” – deklaroi për Portalb.mk së fundmi ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Problem shtesë për këtë vit është edhe alarmi për jolikuiditet që e dërgoi sektori privat. Në fakt, anketa e Odës Ekonomike të Maqedonisë tregoi se 42% e firmave kanë problem për arkëtimin e pagesave të obliguara, ndërsa në listën e borxhlinjve është edhe vetë shteti dhe sektori publik.

Problemi me jolikuiditetin është afatgjatë, vetëm se tani doli në sipërfaqe, fillimisht për faktin se gjatë trazirave të këtilla politike, çdokush tenton t’i shtyjë pagesat e obligimeve, porositë, blerjet, e kjo ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e të ardhurave, më saktë të parave të gatshme. Përndryshe, gjendja me likuiditetin varet nga sasia e parave që janë në qarkullim, si dhe nga shpejtësia e qarkullimit të parave. Zgjidhja është injektimi i sasisë shtesë të parave ose shpejtimi i qarkullimit të parave, thotë profesori Bislimi.

ÇEREK SHEKULLI PAVARËSI ME GJASHTË VITE KRIZË

Përqindja më e lartë e rritjes ekonomike u regjistrua në vitin 2007, edhe atë 6,5%. Praktikisht, ky është edhe niveli më i lartë i matur i rritjes ekonomike që nga viti 1993. Sipas të dhënave nga institucionet kompetente, vendi gjatë gjithë kësaj periudhe nuk arriti të realizojë përqindje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Në fakt, gjatë këtyre 25 viteve, madje gjashtë vite janë në shenjën e krizës, me përqindje negative të rritjes ekonomike.

Sipas projektimeve të Bankës Popullore, sipas skenarit pesimist, pritet që rritja e ekonomisë këtë vit të jetë 1,6%. Në skenarin optimist të BPRM-së, si dhe në bazë të projektimeve të qeverisë, rritja e PBB-së pritet ta tejkalojë nivelin prej 3 për qind.

Ekonomia e Maqedonisë me vite të tëra lufton për përqindje të këtilla të rritjes ekonomike, të cilat shumë ngadalë ose fare nuk reflektohen mbi standardin jetësor. Sipas një hulumtimi të paradokohshëm të Bankës Botërore, vendi do të ketë nevojë për rritje prej 4,5% në periudhë prej tre dekadash që të afrohemi deri te mesatarja evropiane. Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë tani janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% në krahasim me mesataren evropiane.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.