Çfarë e pengon ofrimin e shërbimit cilësor të transportit urban në Shkodër
Ofrimi i shërbimit cilësor të transportit urban në Shkodër duket një mision i pamundur, pavarësisht angazhimeve të njëpasnjëshme nga pushtetit vendor. Ky shërbim ofrohet i cunguar në territorin e qytetit me mbi 110 mijë banorë, kryesisht për shkak të informalitetit të shkaktuar nga mjetet e palicensuara. Drejtoria e policisë së Shkodrës la pa përgjigje pyetjet nëse po merren masa për shkelësit, ndërkohë që disa kategori nuk po e marrin dot shërbimin falas të këtij transporti, për shkak të anomalive.
Emi Kalaja
Në muajin tetor kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia i kërkoi përfaqësuesit të kompanisë së transportit urban, Melidion Dervishi, që qytetarëve t’u ofrohet shërbim sa më cilësor dhe pa vonesa. Kërkesa zyrtare së bashku dhe me porosinë për shtimin e dy linjave të tjera Kiras-Stacioni i trenit dhe unazën u bë gjatë prezantimit të 5 autobusëve të rinj, investim ky i vetë kompanisë.
Screenshot i postimit të Bashkisë Shkodër
Nisur nga kjo deklaratë me interes të madh në komunitet ne bëmë një verifikim se sa i realizueshëm është ofrimi i shërbimit me standarde të transportit urban në Shkodër.
Nga komunikimi me Drejtuesin e Kompanisë së transportit urban në Shkodër Melidion Dervishi mësuam se shërbimi cilësor bëhet real, nëse transporti i shërbimit urban nuk do përballej me informalitetin.
“Mbi 50 furgonë na ndërhyjnë në linjën qytetase të transportit urban. Ato e kanë vendndalimin të përcaktuar tek ish parku pranë zjarrfikëseve, por parkojnë pa kriter dhe marrin pasagjerë kudo. I kam të dokumentuara me foto dhe video, thuajse cdo ditë”- thotë Melidon Dervishi i cili ka edhe një listë me targat e furgonëve që operojnë në mënyrë informale, të cilën ia ka dërguar drejtorisë së Sherbimeve Publike në Bashkinë Shkodër.
Si përgjigje ai ka marrë një angazhim të vakët ku thuhet:
“Informaliteti është një problem që njihet, por do përpiqemi ta luftojmë”.
Furgonë të palicencuar që marrin pasagjerë në stacionin e autobusit, Shkodër, nëntor 2022
Ndërkohë Dervishi thekson se shërbimi urban po neglizhohet, duke sjellë një dëm edhe për komunitetin. Sipas tij, që në vitin 2015 nuk akordohen subvencionet për studentët apo kategorinë e invalidëve. Studentët kërkojnë abonetë, çdo vit shkollor që fillon, por është e pamundur nga ana jonë t’i pajisim, sepse subvencionet mungojnë.
“Kompensimi i invalidëve është që në vitin 2014, që supozohet të bëhet edhe nga 4 mijë invalidë pune të regjistruar në bashkinë Shkodër, rreth 1600 janë përdorues aktivë. Në qoftëse ato do subvencionoheshin çdo muaj me minimumin e transportit me vajtje dhe ardhje, i takon 1800 lekë të reja në muaj per çdo person. Ne jemi thjesht operatorë dhe u takon institucioneve përkatëse të ndjekin procedurat e kompensimit të tarifave për invalidët si dhe miratimin, sipas çmimeve përkatëse të aboneve për studentë.”-shton Dervishi.
Ne iu drejtuam drejtorisë së policisë Shkodër të cilës i kërkuam të dhëna në lidhje me mjetet që oprojnë në mënyrë informale.
Kërkesa për informacion drejtur drejtorisë së Policisë Shkodër
Deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje nga drejtoria e policisë së Shkodrës. Ndërkohë operatorët e transportit publik sqarojnë për Faktoje se edhe naftën e shtrenjtuar pas luftës në Ukrainë, e paguajnë me të njëjtin çmim si konsumatorët dhe jo si kompani transportesh.
“Unë, si kompani mund të realizoj kërkesat e kryetarit të Bashkisë vetëm nëse heq furgonët dhe sistemohet trafiku në qytet. Kemi kërkuar dhe stacione të reja autobusësh, pasi ato aktualët janë në gjendje mjerane”- thonë operatorët për Faktoje duke sqaruar se mjetet e reja respektojnë kriteret ekologjike, në lidhje me ndotjen e ajrit.”
B.D është përdoruese e rregullt e shërbimit urban për të shkuar në punë. Ajo ankohet për mosrespektim të orareve nga mjetet e transportit urban çka është kthyer në shqetësim për shumë qytetarë në Shkodër.
“Oraret janë kaotike, herë vonon autobusi 40 minuta dhe herë vijnë tre autobus për 30 min, megjithatë shërbimi është përmirësuar ndjeshëm. Si autobusë janë të mirë, ka kondicionim, i mbajnë pastër dhe ka ulëse mjaftueshëm”.
Ndërkohë, për informalitetin ankohen edhe operatorë të shërbimit të linjës së licencuar të furgonëve Shkodër-Rrethina, të cilët kanë protestuar pak kohë më parë.
“Na mbyti informaliteti dhe çmimi i lartë i naftës. Nuk marrim asnjë zgjidhje, pavarësisht ankesave. Jemi 13 fugona ne linjën “Rrethina Trans” që bëjmë këtë linjë. Paguajmë rregullisht liçensën çdo muaj, deri tani e kemi patur bileten 50 lek sedilja, çmimi i naftës është 250 lekë dhe po durojmë ëdhe informalitetin. Ta llogarisi policia tani si punojmë ne” – thotë një prej shoferëve që protestoi kundër informalitetit.
Shërbimi i transportit urban në Shkodër kryhet me sipërmarrje private të licensuar, ku Bashkia Shkodër ka përcaktuar pikat e ndalimit dhe oraret në linjat si më poshtë:
Linja Bahçallek-Fermentim-Bahçallek
06:00-14:00 çdo 15 min.
14:00-22:00 çdo 20 min.
Linja Qendër-Shirokë-Zogaj-Qendër
Nisja: 06:15; 07:30; 12:30; 13:30
Kthimi: 06:45; 06:30;13:30;14:30
Gjithashtu ndërlidhja midis qendrës dhe njësive të tjera administrative të Bashkisë Shkodër kryhet përmes transportit privat të liçensuar nga Bashkia sipas orareve dhe stacioneve përkatëse.
Përpara 2015-s në Shkodër u zbatua zgjerimi i linjave të autobusëve ku u shtua lidhja e lagjeve Kiras – Stacion i Trenit, por ajo shërbeu si fazë eksperimentale disamujore dhe më pas u ndërpre.
Qytetarët e Shkodrës, vazhdojnë të vuajnë mungesën e transportit në më shumë se gjysmën e territorit, të qytetit më të madh verior. Më të prekurit nga mungesa e këtij shërbimi, janë të moshuarit, nxënësit e shkollave dhe mësuesit, apo ata që i drejtohen vendit të punës me mjete alternative si taksi, makina private, biçikletë apo në këmbë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari