ANALIZË: Në sektorin publik 19,3% janë shqiptarë – a do të ketë punësime të reja sipas “Marrëveshjes së Ohrit”?
Sipas nivelit të arsimit, 68% nga 1.688 njerëzit e punësuar sipas “Marrëveshjes së Ohrit” janë me përgatitje të lartë profesionale, ndërsa 32% janë me arsim të mesëm. Sipas të dhënave të “Portalb”-it në listën e të punësuarve të cilët me vite të tëra kanë qëndruar në shtëpi, mirëpo kanë marrë rrogë nga buxheti, ka ekonomistë dhe juristë të diplomuar, profesorë, detektivë, psikologë, ekologë, regjisorë, punëtorë socialë. Operacioni për “aktivizimin” e këtyre të punësuarve që moti në sektorin publik filloi. Një pjesë e institucioneve i pranojnë të punësuarit “e ri” sipas modelit të “transferimit”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Do t’i kushtohet kujdes përfaqësimit të drejtë gjatë konkurseve të reja për punësime…
DO T`I KUSHTOHET KUJDES PËRFAQËSIMIT TË DREJTË
Një pjesë e institucioneve tashmë janë duke i marrë punëtorët administrativë të cilët kanë qenë të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit. Nga qeveria sqarojnë se në fazën e parë janë përfshirë 958 njerëz, ndërsa 90% e tyre tashmë e kanë pranuar detyrën e re të punës që u është ofruar. Nuk do të ketë korrigjim të rrogave që i kanë marrë deri tani – thotë për “Portalb”-in zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.
“Koeficienti i rrogës është përcaktuar që më parë me sistematizimin e institucioneve. Kjo do të thotë se rrogat mbeten të njëjta sikurse edhe deri tani, për shkak se të punësuarit transferohen në bazë të përgatitjes aktuale profesionale, gjegjësisht në përputhje me sistematizimin horizontal. Në qoftë se institucioni ka nevojë për vend të ri pune, gjegjësisht në qoftë se dëshiron që punëtorin e angazhuar administrativ ta punësojë në vend tjetër të punës me rrogë më të lartë, duhet të shpallë konkurs të ri publik, të kërkojë pëlqim nga Ministria për Financa, d.t.th. duhet të ndiqet procedura sikurse për çdo punësim tjetër të ri” – thotë Hoxha.
Sipas dinamikës së planifikuar, në fazën e parë në punë kthehen 958 njerëz, ndërsa në fazën e dytë 730, që d.t.th. se gjithsej 1.688 persona duhet të shpërndahen në administratën publike dhe në gjithë sektorin publik. Deri tani rreth 10% e grupit të parë akoma nuk e kanë pranuar ofertën për shpërndarje në vendin e punës, mirëpo pritet se në fund të gjithë operacionit do të zgjidhet statusi i të gjithë të punësuarve, gjegjësisht të gjithë t’i nënshkruajnë kontratat e ofruara.
“Në përgjithësi, kërkojmë kuadro për riorganizimin të brendshëm të administratës, të cilët i plotësojnë kushtet për ta marrë ndonjërën nga pozitat udhëheqëse, që kjo të bëhet menjëherë. Diku mund të mos jetë e pranueshme ajo që u ofrohet dhe atëherë do të zbatohen dispozitat ligjore me të cilat këta njerëz do të vendosen në transfer-listë. Kjo nuk do të thotë se do të përjashtohen nga puna, por do të vihen në dispozicion për institucionet tjera. Do të pranojnë oferta ashtu siç pranojnë edhe të tjerët që gjenden në listën për transferime në administratën publike” – deklaroi ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave për shkallën e arsimit, 1.147 e të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit janë me përgatitje të lartë arsimore kundrejt 541 personave që kanë arsim të mesëm. Numri më i madh i tyre, ose 281 veta janë juristë të diplomuar, 160 janë teknikë me arsim të mesëm, 157 janë profesorë të gjuhës, 125 janë ekonomistë të diplomuar, 90 kanë diplomuar në biznes-administratë. Në listë ka edhe profesione të tjera: 7 menaxherë për doganë dhe shpedicion, 12 teologë, 16 kriminologë, 15 profesorë të kulturës fizike, 4 regjisorë, mirëpo ka edhe ekologë, dizajnues dhe një defektolog.
Me përfundimin e këtij operacioni të riaktivizimit të të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit, nuk përfundojnë edhe punësimet sipas “çelësit etnik”. Nga qeveria thonë se punësimet e ardhshme duhet të jenë në përputhje me rregullativën ligjore duke e respektuar të drejtën për përfaqësim të drejtë.
“Në këtë moment ka institucione në të cilat akoma nuk janë arritur përqindjet e parapara të përfaqësimit të drejtë, mirëpo ka edhe institucione ku këto përqindje janë tejkaluar. Është me rëndësi të dihet se gjatë shpalljes së konkurseve për punësim do të duhet të veprohet në përputhje me rregullativën ligjore dhe duke e zbatuar “balancuesin”, i cili tregon se si është gjendja me përfaqësimin etnik nëpër institucione” – thonë nga qeveria.
Përderisa përgatitet faza e dytë e zgjidhjes së statusit të 730 të punësuarve të tjerë sipas Marrëveshjes së Ohrit, tani për tani, sipas numrit të të punësuarve që janë marrë nga institucionet, kryesojnë institucionet financiare, gjykatat, dogana dhe policia. Kështu, Ministria për Punë të Brendshme mori 50 të punësuar, Drejtoria doganore 30, ndërsa Drejtoria për udhëheqjen e librave amë në kuadër të Ministrisë për Drejtësi mori 26 të punësuar. Në Ministrinë për Punë të Brendshme do të shkojnë 19 veta, në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë 52 të punësuar, një pjesë prej tyre në Byronë për zhvillimin e arsimit, ndërsa një pjesë në Inspektoratin shtetëror të arsimit. Prokuroria publike mori 26 njerëz të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa transferime do të ketë edhe në gjykatat themelore në Shkup, Gostivar, Tetovë, Dibër dhe Kumanovë. Të punësuar do të marrin edhe Fondet për shëndetësi dhe për sigurim pensional, si dhe një numër i agjencive shtetërore: Agjencia për administratë, Agjencia për punësim, AKE-ja, Agjencia për kadastër, Agjencia për energjetikë dhe të tjera. Drejtoria për të hyra publike do të marrë 39 të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa transfere ka edhe në shëndetësi, kulturë dhe në sektorin social.
PËR TË “PUNËSUARIT” JANË HARXHUAR NGA 10 MILION EURO
Sipas të dhënave më të reja nga dokumenti “Raporti vjetor nga Regjistri i të punësuarve në sektorin publik”, në fund të vitit të kaluar, në institucionet e sektorit publik ka pasur pak më shumë se 109.000 të punësuar, përcjellë Portalb.mk.
“Nga 109,304 të punësuar, 82,374, gjegjësisht 75.36% janë maqedonas, 21,112, gjegjësisht 19.31% janë shqiptarë, 2,012, gjegjësisht 1.84% janë turq, 994, gjegjësisht 0.91% janë serbë, 1,245, gjegjësisht 1.14% janë romë, 429, gjegjësisht 0.39% janë boshnjakë, 408, gjegjësisht 0.37% janë vllahë, ndërsa 730, gjegjësisht 0.67% janë të tjerë ose nuk janë deklaruar. Sa për krahasim, në Raportin nga Regjistri i të punësuarve për të punësuarit për vitin 2016 gjendja ka qenë e këtillë: 82,900, gjegjësisht 75.15% kanë qenë maqedonas, 21,279, gjegjësisht 19.29% kanë qenë shqiptarë, 1,781, gjegjësisht 1.61% kanë qenë turq, 1,272, gjegjësisht 1.15% kanë qenë serbë, 1,216, gjegjësisht 1.10% kanë qenë romë, 479, gjegjësisht 0.43% kanë qenë boshnjakë, 478, gjegjësisht 0.43% kanë qenë vllahë, ndërsa 907, gjegjësisht 0.82% kanë qenë të tjerë ose nuk janë deklaruar” – thuhet në raportin e sapo publikuar të MSHIA-së.
Edhe pse rrogat e 1.688 të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit janë pjesë e shumës së përgjithshme për rroga që është planifikuar në buxhet, në mungesë të të dhënave zyrtare, konsiderohet se për këta të punësuar që kanë qëndruar në shtëpi, për çdo vit janë harxhuar edhe deri në 10 milionë euro. Vendimet e para sipas Marrëveshjes së Ohrit u ndanë në vitin 2009.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari