ANALIZË: Маqedonia ta shohë dhe interesin ekonomik te fqinjët!
Македонија ја промени стратегија кон соседите – од дефанзива премина во офанзива, но сега овие обновени релации треба да се искористат и за зајакнување на економските, оценуваат аналитичарите. По Грција и Бугарија, сега очекувањата се дека треба да се обрати внимание и на географски блиските, Косово и Албанија, со оглед на тоа што овие соседи се значаен пазар за Македонија, пишува Portalb.mk во новата неделна анализа.
Маqedonia e ndryshoi strategjinë ndaj fqinjve – prej defanzivës kaloi në ofensivë, mirëpo tani këto relacione të ripërtërira duhet të shfrytëzohen edhe për përforcimin e raporteve ekonomie, thonë analistët. Pas Greqisë dhe Bullgarisë, tani pritjet janë se duhet t’u kushtohet vëmendje edhe vendeve të afërta gjeografike, Kosovës dhe Shqipërisë, duke pasur parasysh se këto fqinj janë një treg i rëndësishëm për Maqedoninë,shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Shkruan: Aneta Dodevska
Pas takimit ministror në Athinë, vlerësimet janë se bashkësia ndërkombëtare do ta rrisë presionin mbi fqinjin jugor për zhbllokimin e integrimeve euroatlantike të vendit. Jo vetëm që qeveria e re dëshiron të demonstrojë një qasje më agresive për ngrohjen e raporteve ndërfqinjësore me vendet e rajonit, por tashmë krijohen kushte reale për mbylljen e disa nga çështjet e hapura me një pjesë të fqinjëve.
ÇKA PAS VIZITAVE NË GREQI DHE NË BULLGARI?
Një pjesë e diplomatëve të mëparshëm konsiderojnë se takimet në Athinë megjithatë mund të çojnë një hap përpara në zgjidhjen e problemeve.
“Duke pasur parasysh se vizita u inicua nga ana e palës greke, e në të ishte përfshirë edhe takimi i ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë me kryetarin e Greqisë, Prokopis Pavllopollus, si dhe me përfaqësues të opozitës (“MPJ-ja në hije e Greqisë”), pritjet janë se do të përsëritet qëndrimi i fortë dhe i harmonizuar i Greqisë nga të gjithë faktorët relevantë politikë se pragu që duhet të kërcehet dhe që do të thotë “de-facto” dhe “de-jure” integrim i Republikës së Maqedonisë në strukturat euroatlantike janë kushtet që i vendos shteti helen. Megjithatë, vizita ka rëndësi të madhe simbolike si shprehje e lëvizjes nga pozita e “status-quo”-së së të dyja palëve. Disa gjëra u përmendën për herë të parë që kur u paraqit problemi, siç janë fjalët “kompromis” dhe “identitet”, ndërsa në deklaratat për mediet, MPJ-ja maqedonase foli në “gjuhën maqedonase”. Më i rëndësishëm është paralajmërimi se Maqedonia përsëri gjendet në rrugën e maratonës që çon drejt NATO-s dhe BE-së dhe është e vendosur që ta ecë atë, pa marrë parasysh se sa herë do të ketë “rënie-ngritje” gjatë saj” – thotë për Portalb.mk diplomati Gjorgji Filipov.
Maqedonia më nuk mund të jetë vëzhgues “memec” i integrimeve të bllokuara euroatlantike. Mirë është që vendi ta ndryshojë strategjinë – thonë profesori Mersel Bilalli.
“Mendoj se qasja e re politike ndaj politikës së jashtme dhe raporteve ndërfqinjësore dallon krejtësisht nga politika e deritanishme destruktive që kishte për qëllim të krijojë probleme të reja me fqinjët, në vend që t’i zgjidhë ato aktualet. Shumica e vendeve të botës kanë ndonjë problem me fqinjët ose vendet e rajonit, mirëpo roli i politikës dhe i diplomacisë është që të sillet në mënyrë konstruktive ndaj tyre dhe t’i zgjidhë ato në faza ose së paku ato të mos jenë pengesë për bashkëpunim dhe afrim. P.sh. Kina ka probleme të rëndësishme me Tajvanin, shumë më të ndërlikuara se sa problemi ynë me Greqinë, mirëpo kjo nuk paraqet pengesë që ato të bashkëpunojnë në të gjitha fushat në vlerë prej qindra miliarda dollarë në vit dhe problemi mbetet nën hije. Japonia dhe Rusia kanë konteste të moçme rreth disa ishujve, mirëpo lidhjet e afërta e amortizojnë këtë” – thotë profesori Bilalli
DUHET TË NDJEKIN KOSOVËN DHE SHQIPËRINË
Përveç me Greqinë dhe me Bullgarinë, Maqedonia duhet të gjejë interes më të madh ekonomik edhe në bashkëpunimin me fqinjët e tjerë, në mesin e tyre edhe me Shqipërinë dhe Kosovën.
“Prioritet gjithmonë është, fillimisht vendosja e marrëdhënieve të kënaqshme, nëse nuk ka mundësi për marrëdhënie të mira ose të shkëlqyeshme politike, e pastaj lidhja infrastrukturore. Lidhja infrastrukturore vetvetiu paraqet bazë për përmirësim të raporteve. Lidhja fizike gjithmonë mund të ndihmojë për rritjen e besimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira politike, ekonomike dhe ndërnjerëzore, ndërfqinjësore. Duhet insistuar për të gjitha variantet e mundshme të lidhjes: rrugë, hekurudha, linja fluturimi, lidhje telekomunikuese, lidhje ujore, largpërçues elektrikë, gazsjellës, naftësjellës. Pastaj vijnë këmbimet në fushën arsimore dhe shkencore, si dhe në atë kulturore dhe sportive, dhe bashkëpunimi i medieve. Rritja e këmbimit në këto drejtime do të kontribuonte për tejkalimin e paragjykimeve dhe kultivimin e paternalizmit të disa strukturave politike, të cilat dëshirojnë të jenë në nivel shpirtëror dhe mendor mbi popullin shqiptar që jeton në Maqedoni dhe ta trajtojnë si të papjekur që vetë t’i zgjidhë çështjet që lindin në përditshmërinë politike në Republikën e Maqedonisë” – konsideron Filipovi.
Për Maqedoninë, edhe pse Kosova paraqet një treg të rëndësishëm për plasimin e mallrave dhe të shërbime, megjithatë lidhja infrastrukturore është lënë pas dore, konsideron profesori Bilalli..
“Urgjentisht në drejtim të Kosovës duhet të fillojë ndërtimi i autostradës, për shkak se dalëngadalë e humbim tregon kosovar. Atë e fitojnë serbët, të cilët edhe përkundër problemeve të mëdha, megjithatë ndërtojnë projekte të rëndësishme të përbashkëta. Gruevski për arsye të thjeshta marketingu e injoroi këtë autostradë, edhe përkundër humbjes së tregtisë së vlefshme me qindra miliona euro. Gjoja paska kërkuar koncesioner për autostradë të gjatë 10 km, që është thjesht një budallallëk. Ndërsa me Shqipërinë duhet të lidhemi në mënyrë më bashkëkohore që produktet tona më lehtë t’i plasojmë në atë treg, i cili me shpejtësi është duke e zhvilluar turizmin detar” – thotë profesori Bilalli.
Në publik, reflektim të madh pati takimi në nivel të kryeministrave në Sofje, ndërmjet Zaevit dhe Borisovit. U paralajmëruar Marrëveshje për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, e cila nga VMRO-DPMNE-ja opozitare u vlerësua si rrezik potencial për identitetin kombëtar. Një pjesë e analistëve konsiderojnë se nevojiten hapa të kujdesshëm në politikën e jashtme.
“Politikë është pragmatike, lojë e të mundshmes. Ndonjëherë duhet të lëvizni me kujdes, milimetër pas milimetri, mirëpo me rëndësi është që të shkoni përpara. Mendoj se Bullgaria është një fqinj i rëndësishëm, anëtare e NATO-s dhe e BE-së, dhe mund të ndihmojë shumë në qoftë se ndërtojmë besim dhe miqësi. Çdo gjë do “të bjerë në vend” pas një kohe, ndërsa me logjikën e Gruevskit, gjërat vetëm komplikohen” – thotë Bilalli.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari