ANALIZË: Borxhi publik nën presion – çfarë kredish merr qeveria?
Shkruan: Aneta Dodevska
Vetëm për dy vjet, si rezultat i tre kredive për qëllim të caktur, qeveria mori borxh prej 335 milionë eurosh. Këto kredi, që kryesisht janë marrë nëpërmjet Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, do të shfrytëzohen për ndërtimin e rrugëve dhe për gasifikim. Poashtu, shteti do të marrë borxh edhe 500 milionë euro të tjera, me të cilat qeveria do ta mbulojë minusin në arkën shtetërore, gjegjësisht do t’i financojë shpenzimet e rregullta buxhetore. Për pesë vjet, borxhi i përgjithshëm publik është rritur për dy miliardë euro ose për 27,2%, sa që ishte në vitin 2010, dhe tani arriti nivelin prej 3,9 miliardë eurosh ose 43,9% të PBB-së, njofton analiza javore ekonomike e Portalb-it.
Borxh me anë të eurokambialit – 500 milionë euro...
Qeveria solli vendim, që mungesa e parave në arkën shtetërore për vitin e ardhshëm të financohet nëpërmjet borxheve nga jashtë. Deri në fund të vitit 2015 qeveria do të emetojë eurokambialin e ri në vlerë prej 500 milionë eurosh. Afati për pagesë është 10 vjet, ndërsa do të emetohet nëpërmjet përfaqësisë së “Deutsche Bank” në Londër. Eurokambiali do të listohet dhe me të do të tregtohet në bursën irlandeze të letrave me vlerë.
“Еurokambiali emetohet për mbështetje të buxhetit për vitet 2015 dhe 2016 dhe për rifinancimin e obligimeve që maturojnë për pagesë nga borxhi shtetëror i Maqedonisë. Vlera e përgjithshme nominale e eurokambialit është deri në 500 milionë euro ose në kundërvlerë në dollarë amerikanë. Ministria për Financa paguan kamatë për eurokambialin një herë në vjet”, shkruan në vendimin e qeverisë të publikuar në gazetën zyrtare.
Këtë marrje të huasë jashtë vendit qeveria e paralajmëroi me buxhetin e vitit 2016, mirëpo sipas një pjese të ekonomistëve, problematike janë dy çështje: e para, lartësia e huasë dhe e dyta, tempoja me të cilën qeveria e rriti nivelin e borxhit publik.
Kredi nga “Duetsche Bank” dhe “Erste Bank” për gasifikim – 90 milionë euro…
Kredia në vletë prej 90 milionë eurosh të cilën qeveria do ta marrë nga “Deutsche Bank” dhe “Erste Bank” është në grupin e huave më të mëdha të dedikuara për këtë vit. Paratë duhet të përfundojnë për financimin e gasifikimit të aksit Shtip-Negotinë-Manastir dhe aksit Shkup-Tetovë-Gostivar. Sipas Kontratës së publikuar të huasë, afati i pagesës së kredisë është 7 vjet me grejs-periudhë të përfshirë prej 3 vitesh. Përqindja e kamatës do të përcaktohet në ditën e nënshkrimit të Kontratës. Megjithatë, pikërisht ky huazim, të cilin qeveria e vlerësoi si kyç për realizimin e investimeve në sektorin energjetik, sipas opozitës u vlerësua si i dëmshëm.
“Me këtë huazim, shteti për kamata do të shpenzojë mbi 10 milionë euro. Ndërsa refuzimi i qeverisë që të bashkëpunojë me Bankën botërore që të marrë kredi me kushte të volitshme ka edhe një qëllim tjetër, e ajo shihet nga vetë ligji, ku ka nen me të cilin parashihet që këto para të mund të harxhohen për ta mbështetur buxhetin. Stavreski me këtë veprim dëshiron që këto para t’i harxhojë vetëm për korruptimin e votuesve në zgjedhjet që do të mbahen në prill”, vlerëson Kire Naumov, kryetar i Komisionit për financim në LSDM.
Si shpenzime plotësuese të kësaj kredie theksohen: pagesa e provizionit të njëhershëm në lartësi prej 1,50% pas nënshkrimit të Kontratës për marrjen e huasë, edhe atë para tërheqjes së parë të parave kurse për shumën e mjeteve të patërhequra të huasë do të paguhet provizion prej 2,47%.
Kredi nga BERZH-i për aksin rrugor Shtip – Radovish – 64 milionë euro...
Në tetor përfunduan negociatat edhe për një hua tjetër që numërohet në dhjetëra milionë euro. Qeveria nga Banka evropian për rindërtim dhe zhvillim do të huazojë 64 milionë euro, kredi të dedikuar për ndërtimin e rrugës së shpejtë prej Shtipi deri në Radovish në gjatësi prej 39 kilometrash dhe gjerësi prej 11,4 metrash.
“Ky projekt është pjesë e politikës së qeverisë për përmirësimin e kualitetit të infrastrukturës rrugore në Republikën e Maqedonisë. Bartës i projektit do të jetë NP për rrugët shtetërore. Vlera e paraparë e projektit është 64 milionë euro. BERZH-i është në procedurë e sipër për të siguruar mjete të pakthyeshme në vlerë prej 625.000 еurosh për angazhimin e konsultantëve që do t’i ndihmojnë ndërmarrjes publike gjatë implementimit të projektit”, theksojnë nga qeveria.
Huaja është marrë me afat të pagesës prej 15 vitesh. NP-ja për rrugët shtetërore do t’i paguajë BERZH-it provizion të njëhershëm në lartësi prej 1% nga vlera e huasë dhe provizion në lartësi prej 0,5% nga pjesa e patërhequr e huasë në nivel vjetor.
Kredi nga BERZH-i për rrugën Shtip-Koçanë – 181 milionë euro...
Vitin e kaluar qeveria nënshkroi kontratë me Bankën evropiane për rindërtim dhe zhvillim për marrjen e huasë prej 160 milionë eurosh, mirëpo në korrik të këtij viti këtë shumë e rriti për 21 milionë euro të tjera, me çka kjo kredi për ndërtimin e aksit rrugor Shtip-Koçanë arriti në 181 milionë euro. Bartës i kësaj huaje është NP-ja për rrugë shtetërore, ndërsa paratë janë pjesë e Programit për rrugë kombëtare.
Mjetet shtesë, siç informoi qeveria, nevojiten për financimin e rrugës së re të shpejtë në gjatësi prej 28km ndërmjet Shtipit dhe Koçanës. Në fakt, në vend të rikonstruimit dhe rehabilitimit të rrugës ekzistuese magjistrale është vendosur që ajo të jetë rrugë gjysmëautostradë – rrugë e shpejtë.
Borxhi publik – në fokusin e parashikimit vjeshtor të KE-së...
Tempoja e rritjes së borxhit, mirëpo edhe krijimi i borxheve të ndërmarrjeve publike ishte pjesë edhe e Parashikimit ekonomik vjeshtor të BE-së.
Sipas Brukselit zyrtar, startegjia afatmesme fiskale e Qeverisë së Maqedonisë, vlerësohet si shumë optimiste.
“Me propozim-buxhetin për vitin 2016, i cilin do të realizohet në vit zgjedhor, parashihet rritje e shpenzimeve të përgjithshme për pothuajse pesë përqind, që është reflektim i rritjes plotësuese të pensioneve, transfereve sociale dhe rrogave në sektorin publik. Për dy vite, sipas të gjitha gjasave, deficiti i përgjithshëm do të rritet më shumë se sa që pritej më parë. Me shpërndarjen ambicioze të punëve publike të infrastrukturës, nevojat për financimin e qeverisë dhe të ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht të Ndërmarrjes publike për rrugët shtetërore, sipas të gjitha gjasave do të mbeten në nivel të lartë”, thuhet në parashikim dhe potencohet se efikasiteti i arkëtimit të të ardhurave publike mbetet në nivel të lartë.
Për pesë vjetë, borxhi i përgjithshëm publik u rrit për dy miliardë euro edhe prej 27,2%, sa ishte në vitin 2010, tani arriti në nivelin prej 3,9 miliardë eurosh ose 43,9% të PBB-së.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari