АNALIZA: NATO – ombrellë e sigurt edhe për ekonominë
Pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut – NATO, në disa nga vendet e sapo pranuara, statistikat shënuan një rritje të investimeve të huaja direkte dhe për 30%. Disa ekspertë thonë se anëtarësimi i Maqedonisë do të reflektohet pozitivisht në stabilitetin e përgjithshëm politik dhe ekonomik.., shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Shkruan: Aneta Dodevksa
Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, para së gjithash paraqet garanci sigurie, por ky kriter është një nga çelësat për marrjen e vendimeve për investime, komentojnë ekspertët për “Portalb“-in.
Shumica e vendeve që janë anëtare të NATO-s janë edhe anëtare të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i fundit i NATO-s u bë vitin e kaluar kur Mali i Zi u bë anëtari i 29 i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Nga rajoni, anëtare të NATO-s janë edhe Shqipëria dhe Kroacia, të cilat iu bashkuan NATO-s në vitin 2009, pas samitit të vitit 2008, në të cilin Maqedonia u bllokua nga Greqia.
Pas hyrjes në NATO, investimet e huaja vjetore në Shqipëri u rritën edhe për një miliard euro (p.sh. në vitin 2016) dhe arritën rreth 10% të (Prodhim i Brendshëm Bruto) PBB-s. Investimet e ndryshojnë direkt pasqyrën e papunësisë – dhimbjen më të madhe të rajonit.
Para do kohësh, ministri për ekonomi dhe financa i Shqipërisë, duke i cituar të dhënat nga Instituti për statistika, theksoi se në vend është regjistruar niveli më i ulët historik i papunësisë prej 12.5%..
IHD në % e PBB
Para anëtarësimit Pas anëtarësimit
SHQIPËRIA 5,5% 9,1%
BULLGARIA 7,0% 19,7%
MALI I ZI 9,8% 11,2%
RRITJE TË PAPUNËSISË
Pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, sinjali i parë i parë pozitiv do t’u dërgohet investitorëve të huaj, thotë Ismet Ramadani, kryetar i OJQ-së Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë, që do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në gjendjen me papunësinë.
Anëtarësimi në NATO automatikisht do të jetë një sinjal i mirë për kompanitë e mëdha, veçanërisht ato korporata që punojnë në shumë tregje të botës. Mu për ato është e rëndësishme nëse vendi në të cilin ata duan të investojnë është anëtar i aleancës ose jo, që do të nënkuptonte siguri për kapitulin e tyre, gjithsesi nëse vlerësojnë se kanë interes ekonomik për të investuar. Do t’i përmendi disa shembuj për efektin në ekonomi nga anëtarësimi në NATO:
Kur Bullgaria u bë anëtare e NATO-s në 2004, kishte saldo të investime të huaja prej 7.5 miliardë eurosh, ndërsa një vit më vonë ky nivel arriti vlerën 11.5 miliardë euro. Tani komentohet se Bullgaria akoma ngec prapa vendeve të tjera të BE-së, dhe se ajo përballet me largim të popullatës, mirëpo duhet përkujtuar se ku ishte ky vend para se të hyjë në NATO dhe cilat ishin parametrat e saj ekonomikë. E njëjta vlen edhe për Shqipërinë. Pas anëtarësimit në NATO, investimet u rritën në 8.5 miliardë euro, kjo ka ndodhur edhe me Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë. Të gjitha këto vende me siguri kanë ende probleme dhe përballen me sfida ekonomike, por është me rëndësi të shihet se a kanë bërë hap përpara në krahasim me gjendjen para anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut – thotë Ramadani.
SHPEJTËSIA VARET PREJ REFORMAVE TË BRENDSHME
Disa ekonomistë thonë se pas integrimeve euroatlantike, në disa vende, procesi i përparimit ekonomik shkon ngadalë dhe se kursi i politikave varet edhe nga vullneti politik dhe vendosmëria për reforma e politikëbërësve brenda çdo vend
Nuk duhet të harrojmë se NATO-ja është aleancë ushtarake dhe se qëllimet e saj janë mbrojtëse dhe jo zhvillimore-ekonomike. Është gabim të pritet se anëtarësimi në NATO do të sjellë disa përfitime të menjëhershme dhe të drejtpërdrejta ekonomike për vendin, por nuk duhet harruar fakti se stabiliteti i mbrojtjes dhe siguria mund të ndikojnë në mënyrë indirekte pozitivisht në situatën ekonomike në vend. Po ashtu duhet ditur se standardet e NATO-s sugjerojnë financimin e mbrojtjes së vendit me të paktën 2 për qind të PBB-së në vit, që në rastin tonë është rreth 200 milionë euro, e ne tani ndajmë 110-120 milionë euro. Pra, shpenzimet nga buxheti padyshim do të duhet të rriten për rreth 80-90 milionë euro, që nuk janë pak para.
Është e vërtetë se vendet fqinje edhe me hyrjen në BE dhe/ose NATO nuk arritën dukshëm ta përmirësojnë performancën e tyre ekonomike, dhe me gjasë kjo na pret edhe neve në afat të gjatë. Ajo që është me rëndësi ta kuptojmë është fakti se situata jonë ekonomike para së gjithash do të varet nga aftësia jonë për ta udhëhequr mirë ekonominë, e jo nga pritjet joreale se situata do të përmirësohet automatikisht. NATO-ja është vetëm një nga parakushtet e mira, por jo edhe garanci për gjendje të mirë ekonomike në cilindo qoftë vend – thotë profesori universitar dhe një nga ish-ministrat e financave, Nikolla Popovski.
Rasti me Bullgarinë fqinje është specifik. Pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ky vend përballet me largim të fuqisë punëtore. Disa ekspertë thonë se “rifillimi” i ekonomisë shkon ngadalë për shkak të zhvillimit të vogël dhe problemeve të mëdha nga e kaluara, por megjithatë ka lëvizje përpara. Në Bullgari, pesë vjet përpara se të bëhej anëtare e NATO-s, Investimet e Huaja Direkte (IHD) si përqindje e PBB-së ishin 7%, ndërsa pesë vjet pas hyrjes në NATO ato u rritën në 19.7% në vit. Sipas Eurostat-it, standardi i qytetarëve të Bullgarisë është 50% në krahasim me mesataren evropiane, ndërsa në prill të këtij viti, përqindja e papunësisë ka qenë 5.1%.
Standardi jetësor i qytetarëve të anëtarit më të ri të NATO-s, Malit të Zi, është 46% në krahasim me mesataren evropiane, ndërsa shkalla e papunësisë është 18%. Nga vendet anëtare të NATO-s, mirëpo që nuk janë anëtare të BE-së, në aspekt të standardit ngec Shqipëria, ku ai është 30% në krahasim me atë evropian.
Raportet e paradokohshme të institucioneve financiare ndërkombëtare treguan se trendet ekonomike në Maqedoni, e cila nuk është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, varen drejtpërdrejtë nga politika e brendshme që rezultoi me pasiguri të thellë që e mori tatimin e saj – me rënie në PBB-së. Nga ana tjetër, në vendet anëtare të NATO-s është regjistruar rritje e ekonomisë.
Lëvizja e PBB-së
2013 2014 2015 2016 2017
Shqipëria 1% 1,8% 2,2% 3,4% 3,8%
Mali i Zi 3,5% 1,8% 3,4% 2,9% 4,3%
Maqedonia 2,9% 3,6% 3,9% 2,9% 0,0%
Në procesin e anëtarësimit në NATO, Maqedonia hyn me përqindje të papunësisë prej rreth 21 për qind, rrogë mesatare prej 380 eurosh, që është më e ulëta në rajon dhe më gjerë (me përjashtim të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës) dhe PBB prej 6,300 dollarësh për kokë banori, që po ashtu konsiderohet si një nga nivelet më të ulëta të standardeve të jetesës në krahasim me mesataren evropiane.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari