A e kërcënon vërtet çështja Bejleri anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Arrestimi dhe burgosja e Fredi Belerit vazhdon të ‘lëshojë shkëndia’ mes  Greqisë dhe Shqipërisë. E fundit, qe ftesa e munguar për kryeministrin Rama në darkën informale në Athinë për Ballkanin Perëndimor. Motivi i ‘përjashtimit’, është lënia në burg e të zgjedhurit si kryebashkiak të Himarës Fredi Beleri. Në Greqi kjo çështje vazhdon të diskutohet në prizmin e shkeljes së të drejtave të minoritetit grek. Mediat shqiptare përcjellin rregullisht në titujt kryesorë, deklarata kërcënuese të politikanëve grekë ndaj Shqipërisë, se me Belerin në burg penalizohet integrimi i saj në BE.

ÇËSHTJA BELERI DHE ANTARËSIMI NË BE

Reagimet e para të qeverisë greke pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të opozitës për kryebashkiak të Himarës  u përqëndruan tek pozita e Shqipërisë si kandidate për integrim në BE. Euro-parlamentari Nikos Papandreou tha në 18 maj se veprime të tilla nuk janë në përputhje me procesin e qetë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kurse Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias më 22 maj, gjatë intervistës për ANT1 deklaroi: “Ne nuk duam të sjellim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe  BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë.”

Përgjatë qershorit dhe korrikut, qeveria greke e rriti presionin duke e lidhur ngushtë çështjen Beleri me procesin e antarësimit në BE. Këtë e  ilustrojnë titujt e publikuar nga mediat shqiptare në këtë periudhë.

Burim: Gazeta Sot (10 korrik)

Burim: Pamfleti (26 korrik)

Duhet theksuar se fjala “kërcënim” është në një farë pike editorializimi i mediave shqiptare. Shpesh, në deklaratat e tyre politikanët grekë kanë përdorur tone pajtuese, dhe akuza të tërthorta. Për shembull, në deklaratën e tij para parlamentit grek, ministri i ri i jashtëm Jorgos Gerapetritis tha: “Sidomos në lidhje me Shqipërinë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund ndalimit të përkohshëm të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris. Shqipëria duhet të respektojë rregullat e shtetit ligjor, nëse dëshiron vërtet të bëhet anëtare e familjes europiane.”

Edhe politikanë të tjere grekë kanë përdorur terminologjinë e “shtetit të të drejtës” si një nga elementet bazë që dikton anëtarësimin në BE. Në këto fjalime, dhe mëshimi ndaj terminologjisë së “shtetit të së drejtës” vazhdon të nënkuptohet pikëpamja e shtetit grek sipas të cilit arrestimi i Belerit është bërë për arsye politike.

Megjithatë, këto nuk janë thjesht këcënime të fshehura. Në më shumë se një rast, reagimet e politikanëve grekë i kanë bërë synimet e tyre të qarta, si në një deklaratë të dhënë nga kryeministri Micotakis në fillim të korrikut. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Micotakis e ka përshkruar çështjen si “një element i vlerësimit grek të rrugës evropiane të Shqipërisë.”

Burim: Top Channel

AMENDAMENTI I PARLAMENTIT EUROPIAN

Fushata greke kundër arrestimit të Belerit përfshiu po ashtu edhe Parlamentin Europian, në forma të ndryshme. Për shembull, më datë 2 qershor, eurodeputieti Kostas Papadakis i partisë Komuniste Greke, i drejtoi një pyetje Komisionit Europian për çështjen Beleri. Në pyetjen që parashtron arrestimin e Belerit si një përpjekje nga qeveria shqiptare për të penguar aktivitetin politik të minoritetit grek, Papadakis shkruan:

“Në këtë kuadër, cili është qëndrimi i Zëvendëspresidentit/Përfaqësueses së Lartë të BE-së lidhur me thirrjet për lirimin e menjëhershëm nga autoritetet shqiptare të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri?”

BurimParlamenti Europian

Përgjigjja e shkrutër e Komisionit erdhi me 10 korrik, ku shkruhej:

“Komisioni vijon të ndjekë zhvillimet në vend. Komisioni nuk komenton hetimet në vazhdim dhe kujton nevojën për t’u siguruar që procesi i duhur të respektohet.”

Megjithatë, kjo nuk qe përpjekja e fundit nga pala greke për ta ngritur çështjen Beleri si një problem para Parlamentit Europian. Më 12 korrik, Parlamenti Europian votoi mbi raportin e përgatitur nga Komisioni Europian për Shqipërinë. Ky raport i përvitshëm përgatitet nga raportuesi për Komisinionin për secilin vend, në rastin e Shqipërise nga Isabel Santos. Ai paraqet vlerësimin vjetor të detajuar nga ana e Komisionit, mbi gjendjen e progresit të reformës në çdo vend kandidat dhe kandidat potencial gjatë vitit të kaluar. Pra, ky raport është një dokument kyç për negociatat, pasi tregon prioritetet e Bashkimit Europian për fushat ku vende si Shqipëria duhet të bëjnë përmirësime nëse duan që negociatat të përmbyllen me sukses.

Më datë 11 korrik, një ditë para se raporti të votohej nga Parlamenti, Partia Popullore Europiane dhe Eurogrupi i së Majtës prezantuan një amendament që synonte pikërisht çështjen Beleri. Në seksionin mbi “Të drejtat themelore dhe të drejtat njerëzore,” eurodeputetët përfshinë një kaluzolë ku shkruhet:

“Parlamenti shpreh shqetësimin për arrestimin e kryetarit të ri të komunës së Çimarës, Freddy Beleris, në prag të zgjedhjeve komunale të majit, i cili cënoi prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur deri më sot; nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen pezull të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe akuzat për shkelje nga shteti.”

BurimParlamenti Europian

Amendamenti u kalua dhe u përfshi në raportin përfundimtar të Komisionit për Shqipërinë. Ai mori 290 vota pro dhe 260 vota kundër. Megjithatë, ia vlen të përmendet se gjatë debatit, disa deputetë, përfshirë këtu edhe raportuesen Isabel Santos, u shprehën kundër këtij amendamenti duke e konsideruar atë një shkelje të sovranitetit ligjor të shtetit shqiptar.

Gjatë debatit, Santos tha: “Dhe duke folur për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, do të doja t’i bëja jehonë shqetësimeve të shprehura nga disa kolegë nga banka të ndryshme në lidhje me kryebashkiakun Beleri. Është një rast që po ndiqet nga organet gjyqësore të Shqipërisë dhe ne në respektimin më të rreptë të ndarjes së pushteteve duhet të respektojmë ato që janë vendimet gjyqësore.”

KËRCËNIME TË VAZHDUESHME NË MEDIAT GREKE DHE MË GJERË

Megjithatë, situata nuk ka mbaruar këtu. Në një takim tjetër të Komisionit Europian më datë 18 korrik, Ministri i Jashtëm grek e ngriti si problem, në prani të komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Në po të njejtën datë, Eurodeputeti grek Manolis Kefalogianis vizitoi Himarën nga ku u shpreh përsëri se arresti i Belerit do të ndikojë për keq në antarësimin e Shqipërisë në BE.

BurimGazeta Tema

“Lirimin nga burgu të Fredi Belerit kryeministri e ka vënë shumë lart në axhendën e tij, i ka dhënë prioritet maksimal…Për një shtet si Shqipëria e cila është në rrugën e saj për të hyrë në BE, Greqia ka ndikim të madh në Këshillin Europian, për të dhënë mendimin e saj se si këto çështje trajtohen, por edhe për rrugën e Shqipërisë në BE,” ka thënë ai.

Ndërkohë, edhe Organizata e minoritetit grek OMONIA është rreshtuar mes atyre që e konsiderojnë arrestin e Belerit një përpjekje për të shtypur dhe ndaluar organizimin politik të minoritetit grek në Shqipëri.

“Minoriteti Etnik Grek sikundër kemi theksuar në vijimësi ndodhet të paktën nën regjim persekutimi dhe madje shfarrosjeje,” shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Omonias.

BurimTop Channel

Siç e ka raportuar edhe Faktoje, mediat greke qenë ndër të parat që nxitën politikanët vendas në këtë drejtim, duke shkruar se nëse situata me Belerin nuk zgjidhet, Greqia duhet të bllokojë rrugëtimin e Shqipërisë drej Bashkimit Europian. Këtë qasje ato e kanë vazhduar deri më sot, siç e tregojnë edhe titujt e mediave shqiptare.

BurimBalkanWeb

BurimSyri

Ndërkohë qeveria shqiptare vazhdon t’i përmbahet qëndrimit të saj origjinal. Burime pranë Top Channel tregojnë se në një telefonatë midis Giorgos Gerapetritis dhe Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka ka këmbëngulur që çështja tani i takon drejtësisë shqiptare dhe se ligji shqiptar duhet respektuar pa ndërhyrje nga jashtë.

Por Gerapetritis, si dhe qeveria greke në përgjithësi i kanë shtuar retorikën kërcënuese ndaj Shqipërisë, duke i bërë kërcënimet edhe më eksplicite.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.