A duhet të vaksinohen gratë shtatzëna RMV?

Për gratë shtatzëna dhe lehonat, në Maqedoninë e Veriut, Komisioni Kombëtar për Imunizimi ka rekomanduar të vaksinohen pas javës së 14 të shtatzënisë. Edhe pse ka nga ato mjek që nuk e preferojnë vaksinimin e shtatzënave dhe lehonave megjithatë autoritet shëndetësore dhe hulumtimet botërore këshillojnë që kjo kategori të vaksinohet sa më shumë, shkruan Portalb.mk

Mjekët në vendin tonë rreth kësaj çështje japin bindjet e tyre personale, pa të dhënë një udhëzim konkret se si duhet vepruar në këto raste ndërkohë autoritetet relevante i kushtojnë shumë pak hapësirë informimit të opinionit mbi këtë çështje. Megjithatë, hulumtimet shkencore botërore dhe autoritetet në RMV thonë se të gjitha shtatzënat dhe lehonat duhet patjetër të vaksinohen, pasi pasojat e COVID-19 mundet të jenë më të rënda te kjo kategori e qytetarëve. Gratë shtatzëna me COVID-19 kanë rrezik më të lartë për hospitalizim apo për kujdes intensiv, ekziston mundësi e lartë për abort ose që bebet të lindin para kohe (para javës së 37 të shtatzënisë). Sipas hulumtimeve botërore, vaksinimi është mënyra më e mirë për të reduktuar këto rreziqe. Në disa vende në botë vaksinimi i shtatzënave është prioritet në luftën kundër Koronavirusit.

Rekomandimet botërore për vaksinimin e shtatzënave dhe lehonave

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon se shtatzënat duhet të vaksinohen por gjithmonë në konsultim me gjinekologun e tyre amë.

“Po, gratë shtatzëna mund të vaksinohen kundër COVID-19, në konsultim me ofruesin e tyre të kujdesit shëndetësor. Aktualisht janë në dispozicion të dhëna të kufizuara për të vlerësuar sigurinë e vaksinave COVID-19 në shtatzëni. Sidoqoftë, bazuar në atë që dimë për llojet e vaksinave që përdoren, nuk ka arsye specifike për shqetësim. Asnjë nga vaksinat e COVID-19 të autorizuara deri më tani nuk përdor viruse të gjalla, të cilat kanë më shumë gjasa të paraqesin rreziqe gjatë shtatzënisë. Përfitimet mund të jenë më të mëdha për gratë shtatzëna në rrezikun më të lartë nga COVID-19, të tilla si punonjësit e shëndetit në vijën e parë, njerëzit që jetojnë në zona të transmetimit të lartë dhe ata me gjendje shëndetësore si hipertensioni (presioni i lartë i gjakut) dhe diabeti që shtojnë rrezikun e tyre të sëmundje e rëndë.” thuhet në të dhënat e OBSH-së

Qendrat amerikane për kontroll dhe prevenim të sëmundjeve (CDC) apelojnë te të gjitha nënat e reja që sa më shpejt të vaksinohen. CDC ka lëshuar të dhëna të reja mbi sigurinë e vaksinave COVID-19 tek gratë shtatzëna dhe rekomandon që të gjithë njerëzit 12 vjeç e lart të vaksinohen kundër COVID-19.

“CDC inkurajon të gjithë njerëzit shtatzënë ose njerëzit që po mendojnë të mbeten shtatzënë dhe ata që ushqehen me gji që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19. Vaksinat janë të sigurta dhe efektive, dhe nuk ka qenë kurrë më urgjente të shtojmë vaksinimet pasi përballemi me variantin Delta shumë të transmetueshëm dhe shohim rezultate të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara”, tha Drejtoresha e CDC Dr. Rochelle Walensky.

Studimi i ri i publikuar nga CDC përfshin vaksinimin e 2500 shtatzënave në periudhën e hershme të shtatzënisë, pra gjatë 20 javëve të para, të vaksinuara me vaksinën e llojit mARN. Aborti zakonisht ndodh në rreth 11-16% të shtatzënive, dhe ky studim zbuloi se normat e abortit pas marrjes së një vaksine COVID-19 ishin rreth 13%, e ngjashme me normën e pritshme të abortit në popullatën e përgjithshme.

Gjatë muajit gusht të këtij viti SHBA u përball me një numër të lartë vdekjesh të grave shtatzëna si pasojë e COVID-19. Të dhënat e institucioneve amerikane tregojnë gjithashtu se 97% shtatzënave të shtruara në spital, me infeksion të konfirmuar SARS-CoV-2 nuk ishin të vaksinuar.

Sipas të dhënave të fundit në SHBA janë vaksinuar mbi 200,000 gra shtatzëna me një vaksinë mARN (Pfizer ose Moderna), pa regjistruar ndonjë komplikim serioz apo efekte anësore. Vaksinat e acidit nukleik (mARN) përdorin ARN gjenetikisht të modifikuar, për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton një përgjigje imunologjike.

Vaksinimi i shtatzënave është temë shumë aktuale edhe në Britaninë e MadheMediat vendase raportojnë se një në 6 pacientë në gjendje kritike është shtatzënë. Autoritetet relevante bëjnë apel që të vaksinohen të gjitha gratë shtatzënë urgjent dhe kanë vënë në prioritet vaksinimin e kësaj kategorie.

“Ju mund të vaksinoheni në çdo kohë gjatë shtatzënisë. Rreziqet me të cilat përballen gratë shtatzëna të pavaksinuara nëse kapin Covid-19 tregojnë saktësisht pse ju këshillojmë ta bëni këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Jacqueline Dunkley-Bent, zyrtare kryesore e mamisë në NHS Angli.

Vaksinimi i grave shtatzëna vlerësohen si raste prioritare edhe në Izrael dhe Belgjikë.

Çfarë na këshillojnë të bëjmë autoritet e vendit?

Nga Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që gratë shtatzëna të vaksinohen pas javës së 14 të shtatzënisë me cilëndo vaksinë që e ofrojnë autoritetet tona, përveç vaksinës ruse “Sputnik”.

“Në takimin e mbajtur më 01.06.2021, Komisioni Kombëtar për Imunizimin bëri një rekomandim, vaksinimi kundër KOVID-19 te gratë shtatzëna të kryhet pas javës së 14-të të shtatzënisë. Në rastet kur personi mbetet shtatzënë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës COVID-19, doza e dytë duhet të shtyhet pas javës së 14-të të shtatzënisë. Vaksinimi në këtë kategori nuk është kundërindikuar përveçse me vaksinën Sputnik (sipas udhëzimeve të prodhuesit). Vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Vaksinat mbrojnë nga komplikimet e sëmundjes të shkaktuara nga virusi Covid-19 dhe vdekja”, deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë në RMV.

Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri, nga ku na thanë se Kolegjiumi Profesional i Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri – Shkup, Komiteti për Mëmësi të Sigurt dhe Shoqata e Perinatologëve kanë rekomandime të unifikuara rreth vaksinimit kundër COVID -19 gjatë shtatzënisë. Rekomandimet bazohen në studimet e instituteve dhe shoqatave mjekësore me famë botërore. Autoritetet në fjalë mbështesin vaksinimin për shtatzënat dhe lehonat, në cilëndo fazë, me dy doza të një vaksine mARN. Megjithatë vendimi për tu vaksinuar ose jo mbetet vendim personal i nënës.

“Vaksinimi kundër COVID-19 rekomandohet në shtatzëni njëjtë si dhe në pjesën tjetër të popullatës. Para kryerjes së vaksinimit, ne rekomandojmë një konsultim të detyrueshëm me gjinekologun amë. Për të arritur një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje kundër llojit delta, ne rekomandojmë vaksinimin kundër COVID-19 me dy doza vaksine. Doza e parë të merret pas javës së 14 -të të shtatzënisë (në muajin e katërt të shtatzënisë), dhe dozën e dytë 8 javë pas marrjes së dozës së parë, por jo më vonë se java e 32 -të e shtatzënisë (muaji i tetë i shtatzënisë). Nëse pacientja merr dozën e parë të vaksinës para se të mësojë se është shtatzënë, ne rekomandojmë që doza e dytë e vaksinës të jepet përsëri pas 8 javësh, sepse të dhënat mjekësore tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive në çdo fazë të shtatzënisë dhe nuk ka arsye për të vonuar marrjen e dozës së dytë pas 14 javëve të shtatzënisë. Vaksinimi kundër COVID19 preferohet edhe tek nënat gji-dhënëse pa e ndërprerë aspak procesin e gji-dhënies”, theksohet në qëndrimin e unifikuar të KUGJA, Komiteti për Mëmësi të Sigurt dhe Shoqata e Perinatologëve.

Autoritetet në fjalë thonë se efektet anësore të vaksinimit COVID-19 në shtatzëni janë të lehta, nuk zgjasin shumë dhe janë të ngjashme me ato të pjesës tjetër të popullatës së vaksinuar. Këto përfshijnë shfaqjen e dhimbjes dhe butësisë në zonën e krahut nga vaksina, dhimbje koke, lodhje, ndonjëherë simptoma të ngjashme me gripin, por nganjëherë një rritje të temperaturës së trupit në 38 C ose më shumë.  Në rast të rritjes së temperaturës rekomandohet pushim, marrje adekuate të lëngjeve, dhe përdorimi i Paracetamol i cili është i sigurt gjatë shtatzënisë.

Në RMV nuk japin të dhëna se sa gra shtatzëna janë vaksinuar

Përderisa në vendet e zhvilluara është praktikë e rregullt që opinioni të informohet me të dhëna statistikore se sa qytetarë të të gjithë kategorive janë vaksinuar, autoritetet relevante në vendin tonë thonë se nuk munden të japin të dhëna rreth numrit të grave shtatzëna të vaksinuara.

“Sa i përket rekomandimeve për vaksinimin e grave shtatzëna, ne nuk mund të japim informacion, dhe natyrisht të gjitha informacionet dhe udhëzimet në lidhje me vaksinat e përdorura në vendin tonë publikohen në faqen zyrtare të internetit kovid19vakcinacija.mk“, u përgjigjen nga Sistemi Nacional “Termini im”.

Për të ditur nëse në vendin tonë ka raste të komplikimeve si pasojë e vaksinimit tek shtatzënat u drejtuam tek Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (MALMED). Nga ky institucion nuk morëm asnjë përgjigje as në postën elektronike dhe as në telefonatat e bëra disa ditë me radhë.

Megjithatë, në vendin tonë ka shumë nëna të reja të cilat vendimin për tu vaksinuar e marrin duke u bazuar në rekomandimet e OBSH.

“Dozën e parë e mora më 19 gusht kurse të dytën më 10 shtator. Vendimin për tu vaksinuar e mora në bazë të rekomandimeve të OBSH duke u konsultuar me mjekët në vend. Jam vaksinuar me Pfizer në muajin e tretë të shtatzënisë. Nuk kam pasur asnjë ndryshim dhe asnjë reaksion, as tek unë as në zhvillimin e bebes”, deklaroi për Portalb.mk, Lejla Lushi.

“Numri i madh i të infektuarve dhe mutacionet e virusit më dhanë shtysën kryesore për tu vaksinuar. Jam vaksinuar me dy doza Pfizer deri sa foshnja im ishte 6 muajsh dhe kam vazhduar njëjtë procesin e gji dhënies. Nuk kam vënë re asnjë ndryshim as në shëndetin tim dhe as në shëndetin e djalit tim”, u shpreh Syhana Reçi.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari