Varianti Omikron i koronavirusit nuk paraqet një urdhër për sulm në zemër

Фото: pixabay.com

Metoda e përdorur në postimin që po e recenzojmë, ku merren inicialet e dy termave që nuk kanë asnjë lidhje në mes veti (OMI dhe Cron) dhe bazuar në përkufizimet e tyre të pretendohet se një person i vaksinuar do pësojë sulm në zemër, është një pretendim manipulativ dhe i pabazuar në realitet. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka filluar që variantet e reja të Kovid-19 t’i emërtojë sipas shkronjave të alfabetit grek për të shmangur krijimin e konfuzionit dhe stigmës publike në disa vende. OBSH ka anashkaluar dy shkronjat para omikronit – “Nu” dhe “Xi”, gjë që ngjalli spekulime se arsyeja për “Xi” ishte emri i një presidenti kinez të quajtur Xi Jinping, ndërsa “Nu” mund të ngatërrohet lehtësisht me fjalë “new” – “e re” në anglisht, shkruan Vërtetëmatësi.

Postimi që po e recenzojmë paraqet një kombinim të teorive konspirative me manipulimin e ndjenjave fetare. Bëhet fjalë për një pretendim të publikuar në një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin thuhet se emri i variantit të ri të koronavirusit, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e emërtoi- Omikron, në fakt paraqet “një komandë të dhënë nga një sistem operativ kompjuterik për një kohë të paracaktuar në të cilën do t’ju jepet një atak në zemër”.

Sipas këtij pretendimi të palogjikshëm në postim, komanda Omikron është e dedikuar vetëm për individët e painformuar të cilët janë vaksinuar, ndërsa realizuesi i komandës është “demon” (?!)

Përveç kësaj bëhet edhe lidhshmëri e këtij pretendimi me pretendime të tjera të mëparshme të postuara në këtë faqe në Facebook në të cilat thuhet se me ndihmën e një kompjuteri dhe me përdorimin e rrjetit 5G përmes një komande mund të shkaktohet vdekja e personave sipas një përzgjedhjeje të rastësishme.

Tani këtë e vërteton edhe emri i variantit të ri, thotë autori i postimit dhe bën thirrje që të vaksinuarit të pendohen.  

Manipulimi është i shoqëruar edhe me dy ilustrime. Tek e para shihet shkurtesa OMI e shkruar në anglisht, e cila, ndër përkufizimet e tjera, është edhe shkurtesë për Old Myocardial Infarction (një nga manifestimet patologjike të atakut të papritur kardiak). Shkurtesa Cron në foton  e dytë lidhet me komandën e sistemit operativ.

Rrënja dhe origjina e Cron është nga fjala greke chronos, që do të thotë kohë. U mundëson përdoruesve të ekzekutojnë komanda në intervale të rregullta përmes një programi që funksionon në sfond pa kërkuar ndërveprim me përdoruesit. Ky program quhet Daemon. Vihet  re që ky program kompjuterik (Daemon) në gjuhën angleze nuk shkruhet në të njëjtën mënyrë siç shkruhet fjala demon (Demon).

Metoda e përdorur në postimin që po e recenzojmë, ku merren inicialet e dy termave që nuk kanë asnjë lidhje në mes veti (OMI dhe Cron) dhe bazuar në përkufizimet e tyre të pretendohet se një person i vaksinuar do pësojë sulm në zemër, është një pretendim manipulativ dhe i pabazuar në realitet. Por pikërisht të tilla janë argumentet e teoricienëve të konspiracionit, të cilët gjatë gjithë pandemisë kanë dezinformuar publikut për një lidhshmëri inekzistente midis teknologjisë 5G dhe vaksinave, dhe tani edhe për vdekshmërinë e supozuar që do të pasonte pas vaksinimit. Qëllimi është i qartë – të tremben të vaksinuarit se do të kenë arrest kardiak të komanduar nga një qendër kompjuterike anonime, e gjithë kjo duke u bazuar në emrin omicron, siç quhet varianti i fundit i koronavirusit. Vaksinat nuk përmbajnë teknologji nanorobot dhe Vërtetmatësi ka bërë një shpjegim të gjerë për këtë temë në këtë recenzion. 

Prania e nanogrimcave të lipideve në vaksinat kundër Kovid-19 nuk do të thotë se ato mund të përmbajnë robotë ose kompjuterë. Termi “nanogrimca” i referohet pikave  shumë të vogla të lipideve që e transportojnë vaksinën dhe mbrojnë përbërësit e vaksinës.

Lipidet janë substanca të patretshme në ujë, siç janë yndyrnat. Nanogrimcat e tyre në fakt janë “mjete shpërndarjeje” që mbrojnë mARN-në kur injektohet vaksina dhe e transportojnë atë në vendin e duhur në qeliza. Ata nuk kanë asnjë çip, as nuk janë të lidhura me ndonjë kompjuter nëpërmjet të cilit dikush do mund të shkaktonin një atak në zemër tek personat e vaksinuar. Përveç kësaj, doza e vaksinës është tepër e vogël që të mund të përmbajë një robot, një çip ose çfarë do gjëje që simbolizon kontroll të jashtëm të të vaksinuarve.

Edhe versioni më i vogël i mikroçipit është tepër i madh për të kaluar përmes gjilpërës së vaksinës. Mikroçipet që zakonisht përdoren për të lokalizuar kafshët shtëpiake kanë madhësinë e një kokrre orizi. Asnjë nga gjilpërat e përdorura për vaksinim nuk është aq e madhe sa të lejojë që një çip i vetëm, qoftë edhe sa një kokërr orizi, të futet në trup, thotë, thotë Dr. Wilbur Chen.

Si e mori emrin varianti Omikron i koronavirusit?

Ndryshe nga të gjitha insinuatat rreth demonëve, sulmeve në zemër dhe arrestit kardiak të shkaktuar nga një kompjuter i jashtëm, varianti Omikron emrin e tij e ka fituar në një mënyrë shumë më të logjikshme dhe konvencionale. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka filluar që variantet e reja të Kovid-19 t’i emërtojë sipas shkronjave të alfabetit grek për të shmangur krijimin e konfuzionit dhe stigmës publike në disa vende. Nuk rekomandohet lidhja e koronavirusit me rajonet gjeografike. Edhe pse të parët që e zbuluan variantin Omikron ishin mjekët në Afrikën e Jugut, virusi nuk quhet “varianti i Afrikës së Jugut” por Omikron, sipas shkronjës së 15-të të alfabetit grek.

ОBSH e publikoi sistemin e emërtimit të variantave të koronavirusit që në maj të vitit të kaluar.

Sistemi për emërtimin e e variantave komunikimin publik për variantat e bën më të lehtë dhe më pak konfuz. OBSH ka anashkaluar dy shkronjat para omikronit – “Nu” dhe “Xi”, gjë që ngjalli spekulime se arsyeja për “Xi” ishte emri i një presidenti kinez të quajtur Xi Jinping, ndërsa “Nu” mund të ngatërrohet lehtësisht me fjalë “new” – “e re” në anglisht. Praktika e mirë e OBSH-së për emërtimin e sëmundjeve përfshin shmangien e emërtimeve që mund të ofendojnë ndonjë grup kulturor, social, kombëtar, rajonal, profesional ose etnik.

Për shkak të fakteve të lartëpërmendura vlerësojmë se emërtimi i variantit Omikron të koronavirusit nga OBSH-ja nuk ka të bëjë fare me dy termat që insinuohen në postim dhe për këtë arsye e vlerësojmë si të pavërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.