Në Maqedoninë e Veriut filloi vaksinimi me dozën e tretë

Фото: coe.int

Me 27 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi të aplikohet doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19, si shtesë për dy dozat e vaksinave tashmë të aplikuara. Vaksinimi me dozën e tretë do të bëhet ekskluzivisht me një vaksinë nga prodhuesi “Pfizer”, pavarësisht se me cilën vaksinë personi është vaksinuar më parë. Doza e tretë mund të merret gjashtë muaj pas dozës së dytë dhe do të administrohet për mbrojtje më të madhe të atyre që janë më të prekshëm dhe të ndjeshëm ndaj komplikimeve më të rënda në rast të infektimit me virusin

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se doza e tretë e vaksinës do t’u jepet të gjithë qytetarëve më të vjetër se 60 vjeç, punonjësve shëndetësor pavarësisht moshës dhe pacientëve që kanë transplant, të cilët janë në dializë ose kanë imunitet të dobësuar.

Vendimi për dozën e tretë të vaksinës u soll disa ditë më parë nga Komiteti i Imunizimit, siç thonë ata, në përputhje me rekomandimet e Agjencisë Amerikane të Barnave dhe Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA).

Edhe pse shumë vende kanë filluar vaksinimin me dozën e tretë te qytetarët e caktuar, ende po debatohet në mbarë botën nëse është e nevojshme një dozë shtesë dhe kush ka nevojë për imunizim shtesë.

Cili është ndryshimi mes një përforcuesi dhe një doze të tretë?

Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis dozës përforcuese të vaksinës dhe dozës së tretë të vaksinës. Doza përforcuese u jepet njerëzve me sistem imunitar normal, ndërsa doza e tretë atyre me sistem imunitar të dobësuar, prandaj prej këtu dalin të gjitha dilemat që lidhen me imunizimin shtesë.

Doza e tretë e vaksinës është identike me dy të parat dhe mund të rrisë përgjigjen imune tek individët me imunitet të dëmtuar, siç janë marrësit e transplantit të organeve, te të cilët përgjigjet fillestare të vaksinimit ishin të ulëta. Në raste të tilla, duhet të merret parasysh mundësia e administrimit të një doze shtesë.

Përforcues (booster) është doza shtesë e vaksinës, e dhënë pasi mbrojtja e siguruar nga doza origjinale ka filluar të ulet me kalimin e kohës. Thjesht, merrni përforcues pasi imuniteti nga dozat fillestare fillon të bjerë. Përforcuesi është krijuar për të ndihmuar njerëzit të mbajnë nivelin e tyre të imunitetit për një kohë të gjatë ose kur bëhet fjalë për një lloj të ri të virusit, siç është dalja e llojit Delta që po qarkullon tani.

“Pfizer dhe Biontech” në fund të gushtit, apeluan se do të ketë ulje të efektivitetit të vaksinës së tyre kundër koronavirusit gjashtë muaj pas vaksinimit dhe rekomanduan dozë përforcuese për të gjithë njerëzit mbi moshën 16 vjeç.

Cilat vende aplikojnë dozën e tretë?

Edhe pse hulumtimet janë ende në vazhdim se çfarë efekti do të ketë doza e tretë, kush duhet të marrë dhe sa kohë pas dozës së dytë duhet të jepet doza e tretë, disa vende të botës kanë vendosur të përdorin vaksinime shtesë. Deri më tani, në të gjitha vendet, doza e tretë përdoret vetëm nga prodhuesi “Pfizer”, pavarësisht nga vaksina me të cilën imunizimi është kryer më parë.

Agjencia Evropiane e Barnave do të vendosë për dozën e tretë të Pfizer në tetor. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) thotë se nuk ka nevojë urgjente për dozë të tretë për personat e vaksinuar plotësisht në popullatën e përgjithshme. EMA beson se përparësia tani duhet të jetë vaksinimi i të gjithë atyre që ende nuk e kanë përfunduar imunizimin e rekomanduar. Sidoqoftë, ata thonë se doza shtesë të vaksinës duhet të merren parasysh për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Shumë anëtarë të BE-së tashmë kanë vendosur të përdorin doza përforcuese pavarësisht rreziqeve ligjore, pasi EMA ende nuk ka marrë vendim zyrtar. Komisioni Evropian një muaj më parë, tha se përgjegjësinë për të vendosur për të aplikuar vaksinë përforcuese, bie mbi vetë shtetet anëtare, që mund të nënkuptojë se në rast të efekteve të papritura dhe negative te pacientët, vendet e BE-së mund të përballen me pasoja ligjore.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi të mërkurën dozën e tretë të Pfizer për njerëzit mbi moshën 65 vjeç, njerëzit në rrezik ndaj sëmundjeve të rënda dhe ata që ekspozohen rregullisht ndaj virusit. Sidoqoftë, FDA refuzoi në masë dërrmuese rekomandimin për përdorim më të gjerë të dozës së tretë, sepse ata besojnë se jo të gjithë kanë nevojë për të.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) beson se doza e tretë e vaksinës nuk është e nevojshme dhe se nevojitet shpërndarje më e barabartë e vaksinave nëpër vende të botës. OBSH nuk pajtohet që vendet e pasura t’u japin dozën e tretë banorëve e tyre, ndërsa vendet e varfra nuk kanë vaksina të mjaftueshme as për dozën e parë.

Në gusht, OBSH bëri thirrje për moratorium të dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.

Para dy javëve, shefi i OBSH-së Tedros Adanom Gebrejesus u bëri thirrje vendeve të pasura me jehonë të madhe të të vaksinuarve, që të përmbahen nga ofrimi i dozave shtesë të vaksinës deri në fund të vitit dhe të vënë vaksinat në dispozicion për vendet më të varfra. Ai këtë e deklaroi, pasi thirrja e mëparshme për “moratorium” të dozave përforcuese, u injorua në masë të madhe.

Nuk do të hesht kur kompanitë dhe vendet që kontrollojnë furnizimin global të vaksinave mendojnë se të varfërit në botë duhet të kënaqen me mbetjet. Për shkak se prodhuesve iu dha përparësi ose ishin të detyruar ligjërisht të përmbushnin marrëveshjet dypalëshe me vendet e pasura, të cilat duan ta paguajnë dollarin më të lartë, vendet me të ardhura të ulëta u privuan nga mjetet për të mbrojtur njerëzit e tyre, tha ai.

Doza e tretë e vaksinës Pfizer është administruar në Izrael për ca kohë. Hulumtimet atje tregojnë se doza e tretë e vaksinës Covid-19 prodhon 10 herë më shumë antitrupa sesa doza e dytë. Në Izrael, me popullsi prej 9.4 milion, 6.05 milion prej tyre kanë marrë një dozë, 5.56 milion kanë marrë dy doza, ndërsa 2.96 milion kanë marrë tre doza të vaksinës kundër Covid-19.

Në fund të korrikut, Komiteti i Ekspertëve për Imunizimin u rekomandoi qytetarëve të Serbisë që morën dozën e dytë të vaksinës të paktën gjashtë muaj më parë, t’u jepet doza e tretë, e ashtuquajtur “përforcuese” e vaksinës me bazë ARN, siç janë vaksinat e prodhuara nga kompanitë “Pfizer” dhe “Moderna”, pavarësisht nga vaksina me të cilën janë vaksinuar më parë. Në Serbi, doza e tretë e vaksinës u jepet kryesisht personave me imunodeficiencë dhe gjendje imunosupresive, të operuarit me transplant të palcës së eshtrave dhe organeve të ngurta dhe personave në hemodializë, më të vjetër se 70 vjeç, më të vjetër se 60 vjeç që qëndrojnë përgjithmonë në shtëpitë e pleqve dhe institucione të tjera për kujdesin social dhe punonjësit në institucionet shëndetësore dhe sociale, si dhe personat që jetojnë me imunosupresion parësor ose dytësor, por edhe “të gjithë personat e tjerë” që kanë kaluar të paktën gjashtë muaj nga doza e dytë.

Edhe në Irlandë, njerëzit të kategorisë së rrezikuar do të marrin dozën e tretë nga 1 tetori. Një javë më parë, edhe Britania e Madhe filloi vaksinimin kundër Covid-19 me dozën e tretë “për përmirësimin e sistemit imunitar të mjekëve dhe britanikëve më të dobët”. Doza e tretë u ofrohet nëntë grupeve prioritare, të cilat përfshijnë punonjësit e shëndetësisë dhe ato social, ata që jetojnë dhe punojnë në shtëpitë e pleqve dhe pothuajse të gjithë atyre mbi moshën 50 vjeç. Gjithashtu, doza e tretë do t’u ofrohet të rinjve që i përkasin grupit të rrezikut. Franca gjithashtu filloi të japë një dozën e tretë për kategori të rrezikuar të qytetarëve në fillim të shtatorit. Ministri francez i shëndetësisë tha se rreth 18 milionë njerëz i kanë plotësuar kushtet për dozën përforcuese.

 

A mund të përzihen lloje të ndryshme të vaksinave?

ShBA dozën e tretë të vaksinës “Pfizer” do të mund ta marrin vetëm ata që kanë pasur dy dozat e mëparshme të Pfizer. Por, për ata që kanë marrë vaksina nga prodhuesit “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përzier dy vaksina të ndryshme kundër Covid-19.

Me të njëjtën urgjencë do të adresojmë rekomandimet për vaksinat “Moderna” dhe “Johnson & Johnson” sapo të kemi të dhënat në dispozicion. Por për momentin nuk ka të dhëna të mjaftueshme që autoritetet shëndetësore të rekomandojnë marrësit më të vjetër të vaksinave nga prodhuesi “Moderna” të marrin përforcues “Pfizer”, për shembull, ose një i vaksinuar i ri me “Johnson & Johnson”, që ka imunitet të dobësuar, të marrë dozë të vaksinës ARN, tha drejtoresha i CDC Roshelle Valenski.

Në disa vende, si Gjermania, Kanadaja, Suedia, Franca, Spanja dhe Italia, vaksinat nga prodhues të ndryshëm tashmë janë duke u përzier. Një studim në Spanjë zbuloi se njerëzit që morën dozë të vaksinës “AstraZeneka” dhe një dozë të dytë “Pfizer” kishin më shumë antitrupa sesa njerëzit që kanë marrë dy doza të vaksinës “AstraZeneka”.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.