ANALIZË: Si ka punuar Drejtoria doganore – çka zbuluan revizorët?

 

Si ka punuar Drejtoria Doganore në vitin 2016, si e ka realizuar regjistrimin e inventarit, si ka menaxhuar me donacionet, çka ka ndodhur me armët dhe me veturat që kanë qenë në dispozicion të të punësuarve, cila është gjendja e magazinave ku ruhen mallrat e konfiskuar? E gjithë gjendja është përfshirë në tre raporte të revizionit, dy për buxhetin themelor dhe një raport me të cilin është përfshirë llogaria për aktivitetet vet-financuese, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

 

Shkruan: Aneta Dodevska

Me revizionin e raporteve financiare (llogaria e buxhetit themelor) në vitin 2016, revizori konstatoi disa paqartësi: dobësi në kryerjen e regjistrimit të mjeteve, gjegjësisht, siç thuhet në raport, “ai nuk është realizuar në tërësi në përputhje me rregullativën ligjore”, nuk është krijuar evidencë financiare e rezervave, nuk është bërë evidentimi i obligimeve për periudhën për të cilën vlejnë ato. Raportet financiare që i nënshtrohen revizionit, janë përgjegjësi e udhëheqësisë së Drejtorisë doganore, gjegjësisht të personit përgjegjës, Natasha Radeska – Kërstevska, drejtore prej 22.01.2014.

 

REGJISTRIMI – LËSHIMET DHE JOHARMONIZIMI ME LIGJET

Me kontrollimin e bërë të materialit për regjistrimin e inventarit, si dhe të Raportit për regjistrimin e kryer të inventarit në vitin 2016, revizorët shtetërorë kanë zbuluar një sërë dobësish dhe paqartësish.

“Një pjesë e mjeteve kanë bar-kod të dëmtuar ose nuk kanë fare bar-kod dhe nuk janë regjistruar në listat e veçanta për regjistrim të inventarit. Nuk është bërë harmonizimi i plotë i gjendjes faktike të mjeteve dhe i burimeve të tyre, që është konstatuar me regjistrimin e 31 dhjetorit, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për kontabilitet të buxheteve. Është bërë regjistrimi i tokës dhe i objekteve pa të dhëna për lokacionet se ku gjenden ato dhe nuk është bërë harmonizimi i të dhënave nga librat afariste me fletat e pronësisë dhe fletat e posedimit” – thuhet në raportin e revizorëve.

Probleme janë konstatuar edhe me regjistrimin e veturave zyrtare dhe me municionin me të cilin disponojnë të punësuarit.

“Është bërë regjistrimi i automjeteve, pa të dhëna për lokacionet se ku gjenden ato. Veturat të cilat në ditën e regjistrimi kanë qenë te subjektet e tjera nuk janë evidentuar në listë të veçantë për regjistrim të inventarit. Nuk është bërë regjistrim i rezervave të municionit, si dhe i municionit me të cilin disponon çdo punëtor të cilit i është dhënë municion, më 31.12 dhe për të nuk është krijuar evidencë financiare. Poashtu, nuk është bërë harmonizimi i të dhënave nga regjistrimi i armëve me të dhënat e njësisë organizative që ka qenë e obliguar të menaxhojë me magazinën e armëve dhe të municionit” – thekson revizori shtetëror.

 

PADI PËR DOGANËN, GJENDJA NËPËR MAGAZINA

Në konstatimet nga raporti thuhet se Drejtoria doganore paraqitet edhe si palë e paditur para gjykatave kompetente për një shumë prej pothuajse 800.000 eurosh.

“Dëshirojmë të potencojmë se Drejtoria doganore është palë e paditur për lëndë gjyqësore nga të cilat do të dalin obligime të ardhshme financiare për buxhetin e Drejtorisë doganore në vlerë të përgjithshme prej 48.075.000 denarë deri në 31.12.2016, me projektim për realizimin e tyre për dy arsye, edhe atë: për rroga të papaguara nga kontestet për punë, në vlerë të përgjithshme prej 13.743.000 denarë dhe për dëm në procedurat qytetare-kontestimore, në vlerë të përgjithshme prej 34.332.000 denarësh” – thekson burimi.

Dogana ka informuar se disponon me një sasi të madhe të mallrave të konfiskuara, të cilat ruhen në përputhje me ligjet. Mallrat e konfiskuara janë të vendosura në 43 depo doganore në kuadër të filialeve doganore të pesë doganave Shkup, Gjevgjeli, Manastir, Kumanovë dhe Shtip.

“Gjendja në hapësirat e depove në filialet doganore dhe në depot publike doganore nuk është e mirë për shkak se të gjitha hapësirat doganore janë përplot me mallra nga më të ndryshmet për shkak të moslargimit të mallrave me vite të tëra, e njëkohësisht në depo vendosen edhe mallrat e reja që konfiskohen”

 

SI ËSHTË ARKËTUAR KOMPENSIMI PËR PULLAT KONSTROLLUESE

Me revizionin e llogarisë së buxhetit themelor 631, në mes tjerash potencohen edhe paqartësi në lidhje me përcaktimin e lartësisë së kompensimit që e paguajnë firmat për pullat kontrolluese, njofton Portalb.mk. Në fakt, Drejtoria doganore, në përputhje me ligjet, është kompetente për dhënien e lejeve për akciza, vërtetimeve për akciza dhe pullave kontrolluese.

“Në bazë të Ligjit për akciza, shpenzimet për shtypjen dhe ruajtjen e pullave kontrolluese i përcakton Drejtoria doganore me vendim të posaçëm dhe ato i paguan poseduesi i lejes së akcizës ose importuesi, me çmim prej 0,18 denarësh për copë, ndërsa për alkool 0,48 denarë për copë. Me revizionin konstatuam se nuk është sjellë akt për mënyrën e përcaktimit të lartësisë së kompensimit për copë të pullës kontrolluese që paguhet” – thuhet në raportin e revizionit me vërejtje se kjo gjendje është trashëguar prej vitit 2010, kur arkëtimi i akcizës ka qenë në kompetencë të DHP-së.

 

PËRGJIGJA E DREJTORISË DOGANORE

Në lidhje me raportet e revizionit është përgjigjur Drejtoria doganore, me ç’rast ka theksuar se është bërë shënimi i armëve me numra të inventarit, është formuar Komisioni për përcaktimin e vlerës së saldos themelore që është përfituar si donacion pa vlerë të përcaktuar, etj.

Një pjesë e këtyre përgjigjeve janë pranuar, ndërsa një pjesë prej tyre revizori i konsideron si njoftim, me ç’rast përsëri rekomandon që të tejkalohen dobësitë.

Revizioni i efikasitetit dhe i efektivitetit të sistemit për kontroll dhe udhëheqje financiare në Drejtorinë doganore është bërë edhe në vitin 2014, me ç’rast është përgatitur raport ku është konstatuar se sistemi i kontrollit dhe i udhëheqjes financiare është vendosur në nivel të kënaqshëm, dhe mundëson funksionim dhe zhvillim, mirëpo ka nevojë për vazhdimin e aktiviteteve për përmirësimin e efikasitetit të tij. Revizori konstaton se nga dy rekomandimet e dhëna në raportin e vitit 2014, është realizuar njëri.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *