ANALIZË: Pensionistët do ta tejkalojnë numrin 333.000, afër 1 miliardë euro për pagesën e tyre!

Vrima në buxhetin shtetëror hap vrimë më e madhe në buxhetin nacional. Foto: Pexel

 

Vetëm për pagesën e pensioneve këtë vit, shteti, gjegjësisht Fondi për sigurim pensional, do të ndajë 880.000 milionë euro. Sipas të dhënave nga Plani strategjik i Fondit për periudhën 2018-2020, kjo shumë dukshëm do të rritet edhe gjatë viteve të ardhshme.

 

Tre vitet e ardhshme dukshëm do të rriten shpenzimet për pagesën e pensioneve, mirëpo edhe numri i pensionistëve. Këtë vit, pension do të presin për të marrë 320.300 pensionistë. Në të njëjtën kohë, rritet edhe vrima në arkën e fondit, e poashtu edhe varësia e Fondit pensional shtetëror nga buxheti qendror është gjithnjë e më e madhe, kështu që këtë vit vetëm për pagesën e rregullt të pensioneve duhet të ndahen 880 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar paraqet rritje prej 34 milionë eurosh. Përderisa parashikimet dhe statistikat aktuale nuk paralajmërojnë optimizëm për qëndrueshmëri afatgjate të sistemit pensional, janë duke u bërë analiza për futjen e “Pensionit social shtetëror”. Njohësit e kësaj problematike për “Portalb” komentojnë se para se të zbatohet kjo zgjidhje, duhet të bëhen analiza të thella dhe të vendosen kritere të përcaktuara saktësisht.

 

 

AFËR 1 MILIARD PËR PAGESËN E PENSIONEVE

Vetëm për pagesën e pensioneve këtë vit, shteti, gjegjësisht Fondi për sigurim pensional, do të ndajë 880.000 milionë euro. Sipas të dhënave nga Plani strategjik i Fondit për periudhën 2018-2020, kjo shumë dukshëm do të rritet edhe gjatë viteve të ardhshme. Kështu, në vitin 2019 për pagesën e pensioneve do të nevojiten 917,7 milionë euro, ndërsa në vitin 2020, 968,5 milionë euro apo për dy vite, shuma që do të nevojitet për pagesën e pensioneve do të rritet për pothuajse 100 milionë euro.

Rritja e shumës së parave që do të ndahen për pensionistët është e shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pensionistëve. Këtë vit numri i shfrytëzuesve të pensionit, sipas të dhënave zyrtare nga FSPIM-ja do të jetë 320.300, vitin e ardhshëm do të rritet në 326.771, ndërsa në vitin 2020 numri i pensionistëve do të jetë 333.306, apo për dy vite numri i tyre do të rritet për 13.000 pensionistë të rinj. Analiza krahasuese tregon se numri i pensionistëve është në rritje të vazhdueshme, dhe kështu në fillim të vitit 2017, të drejtë pensioni nga sigurimi në punë, sigurimi ushtarak dhe ai bujqësor kanë pasur 307.610 njerëz. Të gjithë këto tregues, sipas një pjese të ekonomistëve, nuk paralajmërojnë pozitë të qëndrueshme financiare të FSPIM-së, në kushte kur nga ana tjetër, punësimet e reja, veçanërisht në sektorin privat, realizohen shumë ngadalë.

Tani hapet çështja si të jepet dhe si të ndahet pensioni social shtetëror. Te ne, në ekonominë tonë, edhe pensioni në njëfarë mënyre është taksë sociale. Në shoqërinë tonë i madh është numri i qytetarëve që nuk mund të jetojnë nga ndihma sociale, nuk kanë të ardhura, dhe për këtë arsye nuk i paguajnë taksat ndaj shtetit. Ne duhet të bëjmë analizë të thellë të gjendjeve, nuk flasim për ndonjë problem sporadik që duhet të zgjidhet, por për nevojën për qëndrueshmëri afatgjate të sistemit pensional. E për këtë nevojiten punësime të reja, mirëpo sipas parimit – ai që do të punësohet duhet ta fitojë rrogën e vet, e jo të ketë punësime të subvencionuara, edhe atë jo punësime në sektorin publik, por në atë privat – thotë profesori universitar, Vanço Uzunov.

Ashtu siç rriten shpenzimet e FSPIM-së për pagesën e pensioneve, ashtu rritet edhe varësia e tij nga buxheti. Vitin e kaluar, për pagesën e pensioneve janë shpenzuar 832 milionë euro, që është për 41 milionë euro më shumë se sa në vitin 2016. Tronditëse janë të dhënat se në vitin 2000 deficiti ka qenë 65 milionë euro, ndërsa tani e tejkaloi vlerën prej 400 milionë eurosh. Qeveria paralajmëroi reforma të sistemit pensional, mirëpo paralelisht punon edhe në analizat për futjen e pensionit social shtetëror.

Kjo masë do të zbatohet me shumë kujdes. Analizat tregojnë se numri i shfrytëzuesve potencialë të këtij llojit të pensionit do të jetë rreth 20.000 njerëz. Mirëpo, këto janë vetëm të dhëna fillestare. Do të përcaktohen kritere të qarta për atë se kush do të mund ta shfrytëzojë këtë pension, personi nuk do të guxojë të ketë të ardhura të tjera, do të duhet të ketë qëndrim të vazhdueshëm në vend, mirëpo do të merret parasysh edhe gjendja pronësore dhe pozita e gjithmbarshme sociale e shfrytëzuesit potencial – sqarojnë nga qeveria.

Lartësia e pensionit social shtetëror sipas paralajmërimeve duhet të jetë 40% e pensionit mesatar në bazë të moshës. Në bazë të numrave preliminarë për shfrytëzuesit e mundshëm të ndihmës sociale shtetërore, pensioni shtetëror do të jetë rreth 90 euro. Simulimi tregon se për pagesën e kësaj shume për 20.000 njerëz, çdo muaj do të nevojiten nga 1,8 milionë euro, që në nivel vjetor do të thotë ngarkesë financiare në vlerë prej 21,6 milionë eurosh.

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale potencojnë se analizat për këtë masë janë duke u bërë, dhe se ajo do të zbatohet me shumë kujdes.

I mbledhim dhe i analizojmë të dhënat për personat që kanë mbi 65 vjet, të cilët nuk kanë 15 vite stazh për pension dhe në afat sa më të shkurtër do të dorëzojmë propozim-zgjidhje për futjen e këtij llojit të pensionit. Analiza duhet të tregojë edhe atë se sa shtetas të Maqedonisë të moshës mbi 65-vjeçare kanë ndonjë të ardhur tjetër. Qëllimi është të përfshihen edhe qytetarët të cilët tashmë kanë pasur një periudhë të sigurimit dhe një periudhë të caktuar të stazhit të punës në Maqedoni, mirëpo ai stazh është nën 15 vjet, si dhe qytetarët që nuk kanë stazh të sigurimit në ndonjë vend tjetër me të cilin Maqedonia zbaton marrëveshje për sigurim sociale ose me stazhin e huaj pensional dhe me stazhin pensional të Maqedonisë nuk i plotësojnë kushtet për pension në bazë të moshës – sqarojnë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Në vendin tonë, ndryshimi kyç në sistemin pensional u fut në vitin 2007, kur u themeluan dhe filluan me punë edhe fondet private pensionale të shtyllës së parë dhe të dytë pensionale. Ekonomistët, mirëpo edhe institucionet ndërkombëtare financiare, një kohë të gjatë paralajmërojnë se në kushtet aktuale ekonomike, sistemi i gjithmbarshëm pensional nuk është i qëndrueshëm. Nga njëra anë për çdo vit ka numër gjithnjë e më të madh të pensionistëve të rinj dhe në ndërkohë shpenzimet për pensionet u shtuan edhe si rezultat i rritjes së pensioneve, ndërsa nga ana tjetër punësimet e reja u realizuan shumë ngadalë, një pjesë e tyre përsëri të subvencionuara me para shtetërore.

Në Maqedoni, raporti i punësuar – pensionist është 2 me 1, gjegjësisht në çdo dy të punësuar ka nga një pensionist, që nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe konsiderohet si trend i paqëndrueshëm.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.