Zelenski nuk i urdhëroi trupat ukrainase të “shkatërrojnë gjithçka që u del përpara”

Фото: Принт-скрин од говорот на Зеленски

Disa nga titujt në media ku pretendohet se presidenti ukrainas Zelenski ka thënë “shkatërroni gjithçka që ju del përpara” janë të pasaktë, gjegjësisht është diçka që Zelenski nuk e ka thënë në fjalimin e tij.

 

 

Pasi Rusia e sulmoi Ukrainën, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbajti një fjalim që u transmetua në mënyrë korrekte në disa media maqedonase, megjithatë disa prej tyre përcollën tituj sensacionalistë që ishin të pasaktë, duke thënë se Zelenski kishte thënë: “Shkatërroni gjithçka që ju del përpara, Zelenski u dha ​​urdhër të guximshëm trupave ukrainas”. Një shembull i tillë mund të shihet në këtë link, si dhe në këtë tjetrin.

Pikërisht këtë pjesë të titullit, “shkatërroni gjithçka që ju del përpara” është diçka që Zelenski nuk e ka thënë. Ky është një interpretim i lirë i fjalës së tij pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili është i pavërtetë.

“Gjithçka që ju del përpara” mund të kuptohet ose interpretohet në mënyra të ndryshme, madje edhe se Zelenski bën thirrje për “shkatërrimin” e ushtarëve të paarmatosur që tërhiqen me shpinë të kthyer, diçka që është në kundërshtim me Konventat e Gjenevës.

Çfarë tha në të vërtetë Zelenski?

Gjeneralmajor Valerij Zaluzhni deklaroi se “Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës ka lëshuar urdhër për të shkaktuar humbje maksimale ndaj agresorit.” Deklarata zyrtare mund të lexohet këtu në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Zelenski, në fjalimin e tij, u bëri thirrje qytetarëve të Ukrainës që të bashkohen në mbrojtje:

Secili me përvojë ushtarake që mund t’i bashkohet mbrojtjes së Ukrainës duhet të vijë në zyrat ushtarake të Ministrisë për Punë të Brendshme. Ju lutemi të jeni të përditësuar me informacionet më të fundit. Kemi ushtarë të plagosur në spitale që kanë nevojë për dhurim gjaku. Ju lutemi dhuroni gjak. Ne punojmë seriozisht në mbrojtje dhe çdo biznes apo biznesmen duhet të ndihmojë. Ju lutemi, kujdesuni për punëtorët dhe punonjësit tuaj, të gjithë njerëzit duhet të kenë shërbime dhe produkte në dispozicion. Sistemi bankar i Ukrainës ka të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve ukrainas. Unë u jam mirënjohës të gjithë politikanëve që mbështesin Ukrainën dhe mbrojnë sovranitetin tonë. Ne jemi të gjithë qytetarë ukrainas dhe tani po mbrojmë vendin tonë. Dhe do të luftojmë për vendin tonë dhe do ta mbështesim vendin tonë kudo, në çdo qytet. Forcat e Armatosura janë të gatshme të mbrojnë vendin tonë në kuadër të mbrojtjes territoriale. Sot në mëngjes, të dashur qytetarë, është bërë histori. Një histori ndryshe për vendin tonë dhe për Rusinë. Kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. Ukraina tani po mbrohet. Nuk do të heqim dorë nga pavarësia jonë. Pavarësia dhe e drejta jonë për të jetuar në vendin tonë është vlera më e lartë. E sulmuan vendin tonë herët në mëngjes, ashtu siç bëri Gjermania fashiste në Luftën e Dytë Botërore. Sot, të dy vendet janë në anë të ndryshme të historisë. Federata Ruse është në anën e së keqes. Por, rusët do të vendosin sot me cilën anë do të jenë. Ata me ndërgjegje, duhet të kundërshtojnë luftën me Ukrainën. Dua t’u drejtohem qytetarëve ukrainas që flasin rusisht. E di që ky informacion nuk lejohet në kanalet tuaja. E bllokojnë. Dëshira e keqe për të shkatërruar kombin ukrainas nuk mund të bllokohet. Historia nuk mund të fshihet. Prandaj, të dashur qytetarë ukrainas, ju që keni të afërm në Rusi, jam i sigurt që i keni miq, bisedoni me ta, tregoni se çfarë po ndodh, le ta dijnë.

Në një fjalim të mëparshëm, as atje Zelenski nuk e përdori shprehjen “shkatërroni gjithçka që ju del përpara”, por iu drejtua qytetarëve të Ukrainës, të qëndrojnë të qetë dhe, nëse munden, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre:

Ne punojmë, ushtria punon. I gjithë sektori i sigurisë dhe mbrojtjes i Ukrainës po funksionon. Unë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Kabineti i Ministrave të Ukrainës do t’ju drejtohemi rregullisht. Pa panik. Ne jemi te forte. Ne jemi gati për gjithçka. Ne do t’i mposhtim të gjithë sepse ne jemi Ukraina. Lavdi Ukrainës!

Duke pasur parasysh të thënat më lartë, konsiderojmë se titujt në disa media që pretendojnë se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbajti fjalim dhe deklaroi “shkatërroni gjithçka që ju del përpara, Zelenski u dha një urdhër të guximshëm ushtarëve ukrainas”, janë të pasaktë dhe përmbajnë dezinformata.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.