Yulia Navalni – objektiv i dezinformatave pas vdekjes së bashkëshortit të saj
Nuk ka asnjë burim të vetëm përkatës nga i cili rezulton se Yulia Navalni u akuzua se kishte një “dashnor të ri”. Fotoja që tregon Yulia Navalni në plazh me një burrë është e vitit 2021. Me një kërkim, zbuluam se ishte Yevgeny Chichvarkin, një milioner rus që jetonte në mërgim në Britaninë e Madhe dhe fotografia u publikua për herë të parë më 17 gusht 2021 në Instagram, pra para vdekjes së Navalni. Chichvarkin është një mbështetës i Navalni dhe sipas revistës “Time”, ai i ka dhuruar më shumë se 100 mijë dollarë që nga viti 2010 për të mbështetur luftën kundër Putinit.
Ne rishikojmë një postim (gjithashtu këtu) në rrjetin social Facebook në të cilin ndahet një tekst me titull:
Vjehrra e ka akuzuar tashmë: A është ky i dashuri i Yulia Navalni?
Teksti pretendon se “familja e Alexei Navalni ka filluar të grindet, dhe ai ende nuk është varrosur” dhe se “nëna e Alexei akuzoi nusen e tij Yulia Navalni se kishte një të dashur”.
Ai citon gjithashtu një deklaratë të supozuar nga nëna e Alexey Navalni, në të cilën ajo akuzon nusen e saj, Yulia Navalni:
Ajo e ndëshkoi duke e detyruar të kthehej në Rusi. Ajo tani është me një burrë tjetër dhe në mënyrë të turpshme përfiton nga vdekja e tij.
Së bashku me tekstin, shpërndahet edhe një foto e Yulia Navalny me të dashurin e supozuar, i cili tregohet se është Yevgeny Alexandrovich Chichvarkin, një milioner rus pesëdhjetë vjeçar që themeloi kompaninë e telefonisë celulare Euroset.
Askund në internet nuk mund të gjendet që nëna e Navalnyt të ketë bërë një deklaratë të tillë dhe fotoja e paraqitur në postim është e vitit 2021, gati tre vjet para vdekjes së tij. Duke bërë një kërkim të kundërt, zbuluam se fotografia u postua për herë të parë në 17 gusht 2021 në Instagram dhe është në të vërtetë Yevgeny Chichvarkin, një milioner rus që jeton në mërgim në Britania e Madhe.
Me zonjën e parë të Rusisë së bukur të së ardhmes, Yulia Navalni, Navalni e lirë, thoshte përshkrimi i postimit, ku thuhej se ishte në Jurmala, një qytet në Letoni.
Chichvarkin është bashkëthemeluesi dhe ish-pronari i Euroset, distributori i parë i telefonave celularë në Rusi. Ai iku në Britani në vitin 2008 pasi shiti kompaninë e tij. Tani ai është një tregtar vere dhe kundërshtar i vendosur i Putinit. Revista “Time” raportoi se që nga viti 2010, Chichvarkin ka dhuruar më shumë se 100,000 dollarë për Navalnyn për të mbështetur luftën e tij kundër Putinit.
Fotoja me Yulia Navalny shkaktoi vëmendje kur u publikua për herë të parë në vitin 2021. Chichvarkin më pas konfirmoi vërtetësinë e fotografisë dhe bëri shaka për stacionin radiofonik “Echo of Moscow”.
Njerëzit janë xhelozë: ata gjithashtu do të donin të ecnin buzë detit me Yulia Navalny – zonja e parë e bukur, e fortë, me këmbë të bukura të gjata dhe të njëjtat mendime të bukura. Njerëzit janë thjesht xhelozë dhe nuk mund ta ndihmojnë veten.
Jurmala nuk është pushtuar ende nga talebanët dhe mund të ecësh atje me një grua të martuar. Ju ndoshta mund ta merrni me mend se nuk ishim vetëm atje, tha Chichvarkin në 2021.
Një foto e Yulia Navalni me një burrë tjetër është publikuar në disa profile në rrjetet sociale për të treguar se ajo ka ‘vazhduar jetën e saj’, por fotoja është e vitit 2021, raporton “France Presse”.
Vdekja e Navalnit e ka lënë opozitën ruse pa lider mes një goditjeje dhe fushate intensive nga Moska për pushtimin e saj ushtarak të Ukrainës. Shumë udhëheqës perëndimorë kanë fajësuar Moskën për vdekjen e tij dhe SHBA planifikon të vendosë sanksione të reja.
Kritiku më i shquar i Kremlinit, Alexei Navalni, u burgos pasi u kthye në Rusi në fillim të vitit 2021, me shëndet të përkeqësuar pasi u helmua rëndë me Novichok, një agjent nervor ushtarak i zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Pas vdekjes së tij, gruaja e tij Julia premtoi më 19 shkurt se do të vazhdonte punën e tij.
Në një video-mesazh, ajo akuzoi Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj, duke pretenduar se ekipi i saj do të zbulonte rrethanat e vërteta dhe autorët e “krimit”. Me një zë plot emocione, Navalni u bëri thirrje mbështetësve t’i bashkohen asaj:
Të gjithë duhet të bashkohemi në një grusht të fortë dhe ta përdorim atë për të goditur këtë regjim të korruptuar, tha ajo.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë akuzat e Yulia Navalni se Putin vrau burrin e saj si “të pabaza dhe vulgare”.
Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë. Nuk ka asnjë burim përkatës që Yulia Navalni të akuzohej se kishte një “dashnor të ri” dhe fotografia që shpërndahet është para vdekjes së Alexei Navalni, e vitit 2021.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari