Vishinska: Jemi të prirur të besojmë në teori konspirative, ndërsa Rusia e përdor këtë për të përhapur dezinformata

Irena Vishinska është një analiste gjeopolitike, specialiste për studimin e kërcënimeve hibride ndaj shoqërisë moderne dhe tendencave gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vëmendja e saj është e përqendruar në studimin e rrjedhave të dezinformatave dhe propagandës së huaj, si dhe pasojat e tyre në rajonin e Ballkanit. Meta.mk bisedoi me Vishinskën me rastin e analizës të saj të fundit „Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave dezinformative në Ballkanin Perëndimor“ të publikuar nga Fondacioni “Metamorfozis”. Në këtë intervistë ajo i përshkruan zbulimet kryesore që i ka bërë në hulumtimin e publikuar, ndërkohë që jep edhe rekomandime se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përballen me valën e dezinformatave.

Si autore e analizës “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave dezinformative në Ballkanin Perëndimor”, a mund të na i tregoni zbulimet kryesore deri tek të cilat keni mundur të arrini gjatë hulumtimit?

Irena Vishinska: Analiza gjeopolitike edhe një herë ka konfirmuar se bota në shekullin XXI jo vetëm që nuk po bëhet rezistente ndaj dezinformatave, por teknologjia moderne po keqpërdoret për një shpërndarje edhe më të shpejtë dhe më të gjerë të dezinformatave, lajmeve të rrejshme dhe propagandës, gjë që i ngadalëson dhe madje i pamundëson proceset demokratike. Kjo është veçanërisht evidente në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku popullsia është e prirur të besojë në teoritë e konspiracionit, pa dallim nëse tema është pandemia e Covid-19, agresioni rus kundër Ukrainës apo një gjë e tretë.

Edhe pse publikimi i dezinformatave duket si një fenomen i rastësishëm dhe sporadik, ai nuk është aspak i rastësishëm, por është pjesë e doktrinave ushtarake të regjimeve autokratike interesat e të cilave janë në kundërshtim me synimet strategjike të definuara të vendeve të rajonit. Ndikime të tilla të huaja, të cilat janë pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride, janë jashtëzakonisht të dëmshme sepse nuk kanë interes që rajoni jonë të stabilizohet dhe të përparojë, t’i tejkalojë problemet dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Përkundrazi, qëllimi i ndikimeve të tilla malinje është thellimi i ndarjeve dhe dallimeve, manipulimi i opinionit publik, madje edhe krijimi i kushteve për luftëra të reja në Ballkan.

Shfaqja e llojeve të ndryshme të dezinformatave është shumë komplekse, ndërsa pasojat e tyre kanë një shtrirje të gjerë, prandaj BE, SHBA dhe NATO i trajtojnë ato me shumë seriozitet. Pikërisht për këtë analiza synon të vërë në dukje këtë kërcënim për demokracitë relativisht të reja të Ballkanit dhe të theksojë nevojën për marrjen e masave urgjente.

Irena Vishinska. Foto: Meta.mk

Analiza juaj gjeopolitike përmban rekomandime drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të trajtimit të dezinformatave. Cilat janë rekomandimet tuaja?

Irena Vishinska: Rekomandimi i parë është që të iniciohet një debat i gjerë publik rreth këtij kërcënimi me qëllim që të bëhet një ndërgjegjësim për ekzistencën dhe pasojat e tij. Rekomandimi tjetër është reforma e vazhdueshme e procesit arsimor, sepse arsimi në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ndjek zhvillimin e shpejtë teknologjik dhe kjo ka si rezultat një edukim të ulët mediatik dhe mungesë të mendimit kritik. Dhe sigurisht, sasia dhe lloji i dezinformatave po bëhet aq i madh sa që imponon nevojën për një verifikim shumë më të shpejtë dhe më të plotë nga ana e shërbimeve të certifikuara, siç është Vërtetmatësi në vendin tonë.

Prandaj, analiza i bën thirrje të gjithë shoqërisë (qeverisë, institucioneve shtetërore, komunitetit akademik, sektorit civil, mediave dhe punonjësve të mediave) për të ndërmarra masa të koordinuara dhe sistematike për trajtim. Nevojitet urgjent një legjislacion që do të vendosë transparencë sa  i përket pronësisë dhe financimit të portaleve online, por edhe që do të sanksionojë shpërndarjen e përmbajtjeve të rrejshme. Në epokën e internetit, fjala e thënë ose shpërndaja e përmbajtjeve që përmbajnë mesazhe të rrejshme dhe malicioze ka shumë më tepër ndikim dhe për to duhet të mbahet shumë më tepër përgjegjësi.

Analiza tregon se çdo vend i ka specifikat e veta që kërkojnë masa konkrete dhe specifike. Por, për një përballje të suksesshme me dezinformatat nevojitet një bashkëpunim rajonal, shkëmbim i përvojave ndërmjet vendeve të Ballkanit, si dhe bashkim me iniciativat e suksesshme të BE-së dhe NATO-s.

Çfarë ngjashmërish në narrativat dezinformative që analizuat mund të vihen re në vendet e Ballkanit Perëndimor? 

Irena Vishinska: Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë zgjidhur statusin e tyre në lidhje me integrimin euroatlantik dhe janë në pika të ndryshme në këtë rrugëtim. Një situatë e tillë lë hapësirë ​​për promovimin e narrativave që ofrojnë alternativa hyjnore ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Pastaj, problemet e brendshme në vendet e rajonit portretizohen si mosbindje civile, kështu që shpesh bëhet propagandë që lëvdon sistemet autokratike si të suksesshme për shkak të ekzistencës së një “dore të fortë” të sundimtarit, dhe jo “kaotike” për shkak të demokracisë që i është dhënë popullit, e që ai nuk e meriton.

Një karakteristikë tjetër e përbashkët e narrativave dezinformative në rajon, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, është tendenca për ta portretizuar Rusinë si një mik të madh, ndërsa  “Perëndimin e lig” si një fajtor për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Edhe në rastin me agresionin rus ndaj Ukrainës dezinformatat po plasohen për ta portretizuar agresionin rus si një “operacion special” i cili është dashur të ndërmerret për ta shpëtuar Federatën Ruse nga fashizmi.

Shumë shpesh mediat që shërbejnë si gjeneratorë të lajmeve të rrejshme lëvdojnë ndihmën mjekësore ose kreditë e marra nga Rusia, Kina, vendet e Gjirit, etj., ndërkohë që qëllimisht e lënë pa përmendur faktin që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë donatorët më të mëdhenj të ndihmës financiare dhe ndihmave të tjera për të gjitha vendet e rajonit.

Foto: Meta.mk

Analiza tregon se, nga njëra anë, burimi kryesor i dezinformatave të tilla janë agjencitë shtetërore ruse, si Sputnik dhe RIA Novosti, të cilat portaleve të vogla online në rajon u ofrojnë përmbajtje falas, gjë që i mban ato gjallë. Nga ana tjetër, portalet online lokale ndjekin tendencën globale të përdorimit të llojeve të ndryshme të dezinformatave në formë tekstesh, imazhesh dhe videosh për t’i tërhequr lexuesit dhe në këtë mënyrë të përfitojnë financiarisht. Në të njëjtën kohë, narrativat dezinformative promovohen nga strukturat e brendshme politike që fitojnë rëndësi në kushte të kaosit informativ dhe e maskojnë me sukses dëshirën e tyre për pushtet si moral të lartë dhe patriotizëm.

Sa ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të këtij rajoni ndikimi i dëmshëm gjeopolitik që keni identifikuar në kuadër të analizës?

Irena Vishinska: Për fat të keq pasojat e dezinformatave dhe propagandës së dëmshme nuk janë menjëherë të dukshme. Ky është një proces delikat që nuk lidhet menjëherë me mungesën e progresit politik, prosperitetit ekonomik, zgjidhjes së problemeve dhe çrrënjosjes së korrupsionit. Pikërisht për këtë kjo është fusha ku organizatat e sektorit civil mund të kontribuojnë më shumë, për ta ngritur alarmin për ekzistencën dhe zhvillimin e fenomeneve të tilla që kthehen në kërcënime për sigurinë dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në zhdukjen e tyre. Projekti “Qendra për dezinformatat në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Fondacioni “Metamorfozis” dhe partnerët e tij në rajon, është një hap shumë pozitiv në drejtimin e duhur.

Ndaj cilave aspekte gjeopolitike malicioze duhet të jemi më të kujdesshëm si rajon kur bëhet fjalë për promovimin e tyre përmes dezinformatave?

Irena Xishinska: Rajoni ka shumë çështje të hapura dhe probleme të pazgjidhura, por kjo nuk është diçka e pazakontë apo specifike në raport me botën. Tendenca e narrativave dezinformative është që situatat të paraqiten si jashtëzakonisht të vështira, madje edhe të pazgjidhshme, t’i paraqesë vendet e rajonit si viktima të disa forcave të errëta perëndimore që duan të na e marrin identitetin ose të na shkatërrojnë. Për sa kohë që ne i shmangemi përgjegjësisë duke pranuar narrativa në të cilat fajin e ka dikush tjetër dhe jo ne, nuk do kemi përparim. Ne madje mund të kthehemi prapa si rajon ose të përballemi me luftëra dhe të fillojmë nga e para.

Ajo që duhet të bëjmë është të marrim përgjegjësi të plotë: komunikim të sinqertë dhe të hapur për zgjidhjen e problemeve, krijimin e projekteve politike, ekonomike, civile që do të promovojnë pajtim dhe bashkëjetesë dhe hapa të përshpejtuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Vetëm në këtë mënyrë do mund të sigurojmë mbijetesë dhe jetë dinjitoze për brezat e ardhshëm.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.