Vërshon anëtarësimi nga njëra parti në tjetrën me ideologji pro-ruse në vend
Në dy partitë maqedonase me ideologji pro-ruse, “Rodina Makedonija” dhe “Edinstvena Makedonija”, në periudhën e fundit ka pasur turbulenca, pra mbi 240 themelues nga “Rodina” kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për largim nga partia dhe e njëjta të fshihet nga regjistri i partive. Një nga dorëzuesit e kësaj kërkese është Milan Jovçeski, bartësi i listës për Prilepin nga “Edinstvena Makedonija”, i cili qëndroi krah për krah me liderin e “Edinstvena Makedonija”, Janko Baçev.
Shkruan: Меri Jordanovska dhe Vesna Kollovska
Në horizont kanë dalë anëtarësimet nga një parti politike në tjetrën në vend, të cilat kanë pikëpamje pro-ruse në ideologjinë e tyre. Gjegjësisht, themeluesit e partisë “Rodina Makedonija” kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje dhe mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre për t’u larguar nga partia, sepse, siç sqarojnë ata, “nuk e shohin më veten në të, as nuk ndajnë ideologjinë e saj“. Gjithsej 247 themelues të partisë, përmes iniciativës së avokatit Trajçe Arsov nga Velesi, kanë paraqitur kërkesë për mbrojtjen e të drejtës së lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, bashkimit dhe veprimit politik dhe ndalimit të diskriminimit në bazë të përkatësisë politike.
Arsov për “Vërtetmatësin” thotë se nëse argumentet e tyre pranohen, partia “Rodina Makedonija” mund të mbetet pa minimumin e kërkuar prej 1000 themeluesve dhe kështu të fshihet nga Regjistri i Unifikuar i Partive Politike.
E drejta e tyre për të shprehur mendimin politik është shkelur. Ata nuk duan të jenë themelues të një partie në të cilën nuk e shohin veten dhe nuk duan të kenë bindje si “Rodina”. Është e drejta e tyre të largohen, sepse duan të kalojnë në një parti tjetër. Dhe realisht, nëse largohen, partia nuk do të ekzistojë më, thotë avokati Arsov për “Vërtetmatësin, i cili nuk ka dashur të thotë se në cilën parti do të transferohen këta themelues.
Këta 247 themelues paraprakisht ishin refuzuar nga Gjykata Civile e Shkupit, e më pas nga Gjykata e Apelit, me arsyetimin se gjykata sipas detyrës zyrtare i riregjistron palët çdo katër vjet, të cilat, nga ana tjetër, janë të obliguara që të dorëzojnë deklarata të noterizuara të paktën nga 1000 themelues.
Avokati Trajçe Arsov thotë se këta qytetarë nuk duan të presin deri në vitin 2024, kur kanë kaluar katër vjet nga themelimi i partisë, që të konfirmohet fshirja e tyre si themelues.
Sipas kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, në mesin e këtyre 247 themeluesve që duan të largohen nga “Rodina” është edhe Milan Jovçeski nga Prilepi. Edhe pse i kërkuam një deklaratë, me anë të avokatit, ai nuk ka dashur të flasë publikisht.
Nëse e kërkoni emrin e Jovçeskit në internet, menjëherë mund të shihni se ai tashmë është i përfshirë në partinë tjetër maqedonase që mbron pikëpamjet pro-ruse, “Edinstvena Makedonija”, themeluesi dhe lideri i së cilës është Janko Baçev.
Gjegjësisht, karvani i Edinstvena Makedonija “Tani keni zgjedhje” tetorin e kaluar promovoi listën e këshilltarëve dhe bartësin e listës për Prilepin nga “Edinstvena Makedonijs”, Milan Jovçeski, i cili ende është një nga themeluesit e Rodinës. Pastaj foli edhe kryetari i partisë Baçev, i cili u bëri thirrje prilepianëve që të votojnë për të mirën e Prilepit, duke qëndruar krah për krah me Jovçeskin.
Prej atje, supozohet se këta 247 persona janë tashmë të përfshirë në partinë e Baçevit dhe duan të largohen zyrtarisht nga “Rodina”, ndërsa numri i anëtarëve të bjerë nën 1000, në mënyrë që partia, e cila në një farë mënyre është konkurrente, do të fshihej nga Regjistri Qendror.
Por, Zoran Jovançev, kryetari i Rodinës, thotë se është e pamundur të ndodhë.
Nuk dua të diskutoj arsyet pse disa anëtarë duan të largohen nga partia. Është çështje e tyre personale, kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre. Për çështjen janë dy vendime gjyqësore, si nga Gjykata Civile ashtu edhe nga Gjykata e Apelit, që gjykata sipas detyrës zyrtare i riregjistron palët çdo katër vjet, të cilat nga ana e tyre janë të detyruara të dorëzojnë deklarata të noterizuara për të paktën 1000 themelues. Këtë kusht duhet ta plotësojmë vetëm në vitin 2024 dhe tani kemi gati 1500 anëtarë, që do të thotë se edhe pa këta 247 anëtarë e plotësojmë kushtin. Anulimi i një partie politike nuk ndodh lehtë, ka procedura dhe për këtë është përgjegjëse Gjykata Civile, e cila vendosi në favorin tonë, tha Jovançev për “Vërtetmatësin”.
Kush është partia “Rodina Makedonija”?
Partia Rodina Makedonija (“rodina” do të thotë “atdheu” në rusisht) është themeluar në vitin 2020 dhe menaxhohet nga Presidenca si organ kolektiv udhëheqës.
Partia “Rodina Makedonija”, duke prezantuar programin e saj, ndër të tjera avokon që vendi të tërhiqet nga Aleanca e NATO-s dhe t’i bashkohet aleancave si BRIKS, Rrugës së Mëndafshit dhe Bashkimi Ekonomik Euroaziatik (EEU). Për anëtarësimin në EEU, e cila u krijua me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet liderëve të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, në faqen e internetit të “Rodina Makedonija” po nënshkruhet një peticion. Nuk ka të dhëna se sa persona e kanë nënshkruar këtë peticion deri më tani.
Në qëllimet e programit, “Rodina Makedonija” kërkon, siç thotë, “bashkëpunim për një botë më paqësore dhe më të sigurt me njerëzit tanë të një mendjeje, patriotët nga Amerika, kombet evropiane, përmes popujve vëllazërorë sllavë dhe Rusisë, rajonit të ri dhe fuqitë botërore nga Turqia, përmes Indisë dhe Kinës”.
Partia angazhohet për dëbimin e të gjitha formacioneve të huaja ushtarake formale dhe joformale nga territori i Republikës së Maqedonisë. Jo në NATO, jo në BE. Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare vetëm mbi parimet e barazisë dhe respektit. Tërheqja nga misionet ushtarake të NATO-s dhe një politikë pacifizmi. Anulimi i regjistrimit dhe lejes së punës të të gjitha OJQ-ve të financuara me fonde të huaja, është shkruar në objektivat programore të “Rodina Makedonija”.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, partia doli në mënyrë të pavarur me kandidatët e saj për kryetarë komunash në Qytetin e Shkupit dhe në komunat Qendër dhe Berovë, si dhe me lista kandidatësh për anëtarë të këshillave në Qytetin e Shkupit dhe komunat Qendër, Aerodrom, Kisella Vodë, Gazi Babë, Karposh, Butel, Konçe dhe Makedonski Brod. Partia nuk arriti të fitojë as postin e kryetarit dhe as vende në këshilla.
Dokumentet për funksionimin e partisë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021 tregojnë se partia ka bërë fushatë modeste me rreth 230.000 denarë të shpenzuara. Sipas raportit financiar të dorëzuar në Entin Shtetëror për Revizion, “Rodina Makedonija” pas zgjedhjeve ka mbetur në minus dhe nuk ka arritur të mbulojë 83.584 denarë të shpenzuara në fushatë.
Lista e donatorëve është interesante. Donatorët më të mëdhenj janë Gordana Goxho, e njohur për pikëpamjet e saj antivaksinë, e cila ka dhuruar 16.000 denarë, pastaj Olivera Stojanovska me dy donacione nga 10.000 denarë dhe Zoran Jovançev me 8.700, ndërsa 13 personat e mbetur fizik kanë dhuruar nga 150 deri në 3000 denarë.
Në kanalin në YouTube të “Rodina” rregullisht mbahen emisione live, ku marrin pjesë edhe gazetarja Mirka Velinovska, kryetari i partisë Jovançev, profesori Stefan Vlahov Mitsov, Andrej Rodionov nga “Rusov”, shoqata ndërkombëtare për bashkëpunim dhe asociacion ruso-sllav dhe shumë të tjerë.
Gjykata Kushtetuese është në lëvizje
Iniciativa e avokatit Trajçe Arsov në emër të 247 themeluesve të “Rodina Makedonija” është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese sqaron se çështja është marrë në punë, por për momentin nuk mund të thuhet se kur dhe si do të përfundojë.
Lënda me numër 63/22, për të cilën jeni të interesuar, i ka kaluar avokatit të Gjykatës dhe gjyqtarit, në përputhje me nenin 17 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese. Është themeluar më 27 qershor 2022 dhe aktualisht është duke u zhvilluar procedurë paraprake, e cila përfshin mendimet e organit që ka miratuar nenin kontestues, analiza kushtetuese-jurisprudencës, pasuar nga përgatitja e një abstrakti. Nga neni 23 i Rregullores së punës del përmbajtja e përmbledhjes, e cila duhet të mbulojë kërkesën e bërë, të përshkruajë çfarë përgatitjesh janë bërë, çfarë çështjesh kontestuese juridike dhe faktike kanë lindur gjatë punës në lëndë, një pasqyrë e praktikë kushtetuese-gjyqësore, mendim dhe propozim për mënyrën e zgjidhjes së kërkesës. Raporti i kalon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka detyrimin ta propozojë për rendin e ditës së seancës, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese deri më tani ka pasur disa raste me kërkesa për shqyrtimin e veprimeve të partive politike. E fundit është me udhëheqësinë në “Levica”, kur Zdravko Saveski, Xhejlan Veliu dhe Petar Çuriq parashtruan kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 paragrafi 3 i Kushtetutës, që i referohet asociimit dhe veprimit politik. Më herët para Gjykatës Civile ata kërkuan ndryshimin e përfaqësuesit aktual ligjor të partisë politike “Levica” me një person tjetër të propozuar prej tyre, por kërkesa e tyre nuk u pranua.
Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën me arsyetimin se “çështja e marrëdhënieve në partinë politike ndërmjet anëtarësimit, të drejtat dhe detyrimet e tyre, mosmarrëveshjet për çështje të caktuara në partinë politike, më konkretisht pretendimet për shkelje të së drejtës për bashkim politik dhe veprim, për shkak të konflikteve brendapartiake të interesave dhe konflikteve ndërmjet anëtarëve në partinë politike ekzistuese të regjistruar etj., janë çështje të brendshme partiake që nuk mund të futen në bazë të nenit 20 të Kushtetutës” (Gjykata Kushtetuese, lënda U. nr. 125/2019- 0-0).
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari