Universitete nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me lidhje ruse në të kaluarën do të prodhojnë magjistra në Sveti Nikole

Фото: Принтскрин колаж

Partneriteti publiko-privat ndërmjet Universitetit Shtetëror Bullgar në Veliko Tërnovo “Shën Shën Kirili dhe Metodi” (UVT) dhe Universitetit privat Ndërkombëtar Sllav të Maqedonisë (UNS) rezultoi me ofertë për studime pasuniversitare për studentët maqedonas të cilëve do ju ligjërojnë profesorë nga Bullgaria. Dy universitetet, përveç bashkëpunimit arsimor dhe shkencor, i lidhin edhe lidhjet me Rusinë nga të cilat me sa duket dalëngadalë po shkëputen. Në një kohë të një gare të vdekur për regjistrimin e studentëve të rinj nga gjashtë universitetet shtetërore dhe i nga dy herë më shumë atyre private, pyetja është logjike – a është një vendim politik apo një rrjedhë e natyrshme e bashkëpunimit shumëvjeçar hyrja e universitetit bullgar në sistemin arsimor maqedonas, siç pretendojnë drejtuesit e të dy universiteteve?

Shkruajnë: Vesna Kollovska dhe Goshe Nikollov

Universiteti Shtetëror Bullgar “Shën Shën Kirili dhe Metodij” nga Veliko Tërnovo me regjistrim në Regjistrin Qendror të RMV-së nga 14 shtatori i vitit 2022 dhe zyrtarisht e hapi degën e tij të parë jashtë vendit. Hyrja e Universitetit Shtetëror Bullgar në Maqedoni është miratuar nga dy qeveritë – e Maqedonisë dhe e Bullgarisë, me një mendim pozitiv nga Këshilli i Akreditimit pranë Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL).

Në Regjistrin Qendror të RMV-së dega e këtij universiteti është e regjistruar në Sveti Nikole, në të njëjtin vend ku është regjistruar dhe funksionon Universiteti privat Ndërkombëtar Sllav “Gavrillo Romanoviç Derzhavin”, ndërsa drejtor është Borçe Serafimovski, i cili është edhe zëvendës kryetar i të Këshillit Drejtues të Universitetit në Sveti Nikole.

Hapja e degës së universitetit bullgar në Maqedoni u pasua me polemika për emrin që është pothuajse identik me universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoni “Shën. Kiril dhe Metodi” në Shkup, ndërsa që të dyja qeveritë ishin ekspeditive në realizimin e këtij projekti.

Edhe gjysmë viti pas regjistrimit universiteti bullgar ende është në pritje të regjistrimit të studentëve të parë pasuniversitar. Dega e “Shën Shën Kirili dhe Metodi” nga Veliko Tërnovo në Sveti Nikole ka fituar akreditim për programet studimore të ciklit të dytë, dhe atë për Studime anglofone, Zhvillim rajonal dhe Shkenca kompjuterike. Mësimi dhe trajnimi do të zhvillohen në gjuhën angleze, ndërsa lëndët do t’i ligjërojnë profesorë nga Bullgaria që janë pjesë e Universitetit në Veliko Tërnovo. Pagesa e shkollimit për programet studimore të UVT për studentët maqedonas varësisht nga fusha e zgjedhur sillet nga 1300 deri në 1500 euro në vit.

Miqësia shumëvjeçare ishte një nga arsyet se pse Universiteti i Veliko Tërnovos hoqi dorë nga ideja për ta hapur degën e parë jashtë kufijve në Vjenë të Austrisë dhe të vijë në territorin maqedonas. Kështu na u përgjigj rektori i Universitetit të Veliko Tërnovos, Hristo Bonxhollov, i cili shtoi se në vendimin për ta zgjedhur Sveti Nikolen në vend të Vjenës kanë kontribuuar edhe problemet burokratike dhe vizat për në BE, e të cilat nuk kanë qenë problem në Maqedoninë e Veriut.

“Desha të hap një degë të UVT-së në Vjenë dhe kishim aplikuar për një program pasuniversitar për ekonomi në gjuhën gjermane, por gjërat u ndërlikuan dhe në atë kohë filluam të punonim me shumë sukses së bashku me UNS-në për studimet e doktoraturës dhe vendosëm të ofrojmë studime të magjistraturës dhe për këtë arsye mirë është që edhe zyrtarisht të regjistrohemi në RMV, siç bëmë edhe në Austri. Ne jemi institucion legjitim dhe i respektojmë ligjet dhe rregullat e punës”, tha Bonxhollov.

Ideja për hapjen e një dege të UVT-së në Maqedoninë e Veriut nuk është e re, ndërsa bisedimet për këtë hap kanë zgjatur disa vite. Propozimi për hapjen e degës në Maqedoninë e Veriut, sipas Мinistrisë të Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë, ka ardhur nga rektori i Universitetit të Veliko Tërnovos, Bonxhollov, ndërkohë që ai, nga ana tjetër, thotë se iniciativa e ka origjinën nga pala maqedonase, gjegjësisht, sipas tij, UNS e ka zgjedhur universitetin bullgar për ardhjen e tij në Maqedoninë e Veriut.

Mediat bullgare e kanë ndjekur me kujdes procesin e themelimit të degës bullgare në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, tek Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë mund të vihet re një dozë entuziazmi kur njoftojnë se “Universiteti i Veliko Tërnovos do të trajnojë studentë në Maqedoninë e Veriut”:

“Me hapjen e degës së Universitetit të Veliko Tërnovos “Shën Shën Kirili dhe Metodi” do të krijohet një shkallë më e lartë e konkurrencës ndërkombëtare dhe do të mbështetet politika shumëvjeçare e shtetit bullgar, si për tërheqjen e studentëve të huaj, ashtu edhe për thellimin e ndërveprimit të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Për miratimin për hapjen e degës së UVT-së në Sveti Nikole ish-kryeministri Zoran Zaev tha se është mbështetje e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.

“Kur një institucion i arsimit të lartë nga Bullgaria kërkon të hapë një universitet këtu dhe i plotëson kushtet, por ne e pengojmë pavarësisht plotësimit të kushteve, atëherë ne nuk jemi miq”, tha kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetëve në qershor të vitit 2021.

Në faqen zyrtare të UVT-së, nga ana tjetër, është regjistruar vizita e Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në Universitetin e Veliko Tërnovos në vitin 2019, ku ai ka marrë pjesë në mbrojtjen e doktoraturës së Mitropolitit z. Josif. Siç thuhet në lajm, Spasovski e ka siguruar rektorin Bonxhollov se është i përkushtuar për “realizimin e shpejtë të këtij projekti të rëndësishëm për të dy universitetet”.

Profesorët “sekret” bullgarë

Nuk ka të dhëna se sa ka arritur ministri Spasovski ta “përshpejtojë” projektin për themelimin e universitetit bullgar, por për fillimin me punë të programeve studimore të UVT-së në UNS në Sveti Nikole miratim ka dhënë Qeveria, e cila e ka edhe fjalën e fundit në këtë çështje, pas mendimit të marrë nga Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL).

“Kompetencat e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, gjegjësisht Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë si organ i saj, janë vetëm në pjesën e dhënies së mendimit, në kuptimin e asaj nëse janë plotësuar kushtet në pajtim me Ligjin për Arsimin e Lartë (neni 25). Qeveria e RMV-së është autoriteti përfundimtar dhe kompetent që vendos për dhënien e miratimit dhe që bën vlerësimin e nevojës për dhënien e miratimit të IAL nga jashtë vendit për të kryer veprimtari të arsimit të lartë në RMV”, tha drejtori i ACAL-it, Agim Rushiti.

Mirëpo, nga raporti me të cilin Këshilli i Akreditimit (KA) i jep “dritën jeshile” studimeve në Universitetin e Veliko Tërnovos, vihet re se mungojnë deklaratat e nënshkruara të profesorëve bullgarë që do u ligjërojnë studentëve pasuniversitar në Sveti Nikole.

Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë gjatë hapjes së një institucioni të arsimit të lartë në vend është e nevojshme që institucioni të dorëzojë edhe një listë me numrin e kërkuar të personave që i plotësojnë kushtet për të qenë ligjërues, si dhe deklarata me shkrim nga kandidatët për ligjërues ku thuhet se janë të gatshëm të krijojnë një marrëdhënie pune. Në fakt, pikërisht kësaj i referohet është një nga vërejtjet e shumta të Këshillit për lëshimet në elaboratin për akreditimin e studimeve të dorëzuar nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Shën Shën Kirili dhe Metodi”, të theksuara në raportin e parë.

Edhe pse Universiteti i Veliko Tërnovos e ka dorëzuar listën e profesorëve që do të ligjërojnë në tri programet studimore, nuk ka dorëzuar deklaratat me shkrim për gatishmërinë e ligjëruesve për të ligjëruar lëndët e përcaktuara në programet studimore. Pas dorëzimit të rezultateve të raportit të parë të komisionit pranë KA-së, në vend që të siguronte deklarata me shkrim nga secili kandidat për ligjërues siç është paraparë me ligj, nga Universiteti i Veliko Tërnovos dorëzuan një shkresë të nënshkruar nga rektori Bonxhollov me të cilën ai i njofton anëtarët e Këshillit që në procesin arsimor do të përfshihen ligjëruesit të cilët janë nënshkruar në dokument. Si arsyetim për pamundësinë e nënshkrimit të deklaratës nga ligjëruesit ashtu siç e kërkon ligji nga atje e zënë pandeminë e COVID-19.

Edhe pse rektori garanton se profesorët në fjalë do të jenë të përfshirë në procesin mësimor, dhe edhe pse konkursi për regjistrimin e studentëve ka përfunduar në muajin dhjetor, për momentin asnjë nga të dy universitetet nuk e ka bërë publike se cilët profesorë bullgarë do të mbajnë ligjërata dhe trajnime për studentët maqedonas në Sveti Nikole.

Foto: Screenshot/ UNS

Nga UNS thonë se përzgjedhja e profesorëve ka qenë një “çështje teknike”, ndërsa emrat e tyre do të publikohen me fillimin e vitit akademik 2023/2024, kur edhe do të sillet vendimi edhe për atë se në çfarë mënyre do të realizohet procesi arsimor.

“Ideja është që në këtë proces të mos përfshihen profesorë vetëm nga Republika e Bullgarisë dhe Republika e Maqedonisë, por edhe profesorë nga universitete të tjera dhe vende të tjera. Edhe pse gjatë dorëzimit të dokumenteve janë shënuar emra konkretë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë ndryshime”, tha pronari i UNS-së Jordan Gjorçev.

Pyetjen për atë se cilët profesorë nga UVT do të ligjërojnë në Maqedoninë e Veriut ia dërguam rektorit Bonxhollov, i cili na u përgjigj:

“Më të mirët në fushën e tyre. Linguistë, informaticienë, gjeografë të dëshmuar“.

Edhe pse e kërkuam të gjithë dokumentacionin mbi bazë të të cilit është dhënë mendim pozitiv për studimet e Universitetit të Veliko Tërnovos, ACAL nuk i dorëzoi të gjitha dokumentet për të parë se në cilën gjuhë është dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm dhe cilët janë profesorët për të cilët Bonxhollov garanton se do të ligjërojnë në Maqedoni.

Për Universitetin e Veliko Tërnovos

Universiteti i Veliko Tërnovos është themeluar në vitin 1963 si Institut i Lartë Pedagogjik “Vëllezërit Kirili dhe Metodi”, duke i trashëguar kështu traditat e shkollës letrare të Tërnovos. Në vitin 1971 shkolla është akredituar si Universitet i Veliko Tërnovos “Shën Kirili dhe Shën Metodi”. Sot, ky universitet ka 9 fakultete, 42 katedra dhe disa kolegje dhe qendra pedagogjike në mbarë Bullgarinë me mbi 18.000 studentë nga Bullgaria dhe të huaj. Para ardhjes së Bonxhollov në postin e rektorit në vitin 2015, këtë funksion nga dy mandate e kanë kryer Pllamen Legkostup (2007-2015) dhe Ivan Harallampiev (1999-2007).

Për momentin Legkostup është president nderi dhe anëtar Këshillit pranë Institutit Kinez Konfuçi që ndodhet në Veliko Tërnovo, ndërsa në vitet ’80 ka qenë bashkëpunëtor jozyrtar i Sigurimit Shtetëror Komunist.

Harallampiev ka qenë profesor në Universitetin Shtetëror në Tver, Rusi dhe në fakt, një pjesë e madhe e çmimeve dhe mirënjohjeve të tij i janë ndarë nga institucionet dhe organizatat ruse. Ndër të tjera, Harallampiev është shpallur edhe “doktor nderi” i Universitetit Shtetëror Rus të Bashkirit.

Lidhjet me Universitetin e Tverit i vazhdon edhe rektori aktual Hristo Bonxhollov, i cili siç përcjellin mediat bullgare, në vitin 2015 së bashku me zëvendësin e tij Stojan Burov janë shpallur profesorë nderi.

Ajo që është e përbashkët për Universitetin e Veliko Tërnovos dhe për UNS-në, janë marrëdhëniet e dikurshme me Rusinë, të cilat me sa duket dalëngadalë po shkëputen. Nëse njëzet vjet më parë dukej sikur kjo ishte ajo që i ka afruar, tani, sipas pretendimeve të administratave të dy universiteteve, ajo që i lidh është puna shkencore dhe bashkëpunimi arsimor.

Një muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, Këshilli Akademik i Universitetit të Veliko Tërnovos presidentit rus Vlladimir Putin ia hoqi titullin e doktorit të nderit që i ishte dhënë në vitin 2009.

Nga ana tjetër më 9 mars të vitit të kaluar, pothuajse dy javë pas fillimit të agresionit, UNS njoftoi për një ribrendim, me ç’rast nga emri i tij e fshiu emrin “Gavrilo Romanoviç Derzhavin” – emër ky të cilin universiteti aktualisht e ndan me ish partnerin e tij strategjik – Universitetin Shtetëror Rus në Tambov. Emri i ri i universitetit që u themelua në vitin 2004 duhet të jetë Universiteti Ndërkombëtar Sllav “Sh. Nikolla”.

“Në përputhje me misionin tonë që në vitin 2018 u zhvillua strategjia jonë e internacionalizimit UNS 2025, në të cilën u përgatit një brend i ri për universitetin që duhet të jetë lehtësisht i njohshëm për studentët ndërkombëtarë që do të studiojnë në gjuhën angleze. Për ne ishte e rëndësishme që deri në vitin 2025 ta përshtasim brendin, si dhe të gjitha përmbajtjet tona dhe të gjitha programet studimore në gjuhën angleze. Që në vitin 2018 ideja ka qenë që brendi të jetë në hap me trendet e reja globale në arsimin e lartë dhe të jetë lehtësisht e njohshëm në botën anglishtfolëse”, tha Gjorçev.

Ndërkohë që studimet e magjistraturës po përgatiten në gjuhën angleze, edhe këtë vit akademik në UNS mësohet gjuha ruse. Gjatë shqyrtimit të lëndëve mund të vihet re se në katër nga pesë fakultetet mësohet lënda e gjuhës ruse, e cila është fakultative, me përjashtim të programeve të Fakultetit Ekonomik, ku rusishtja është lëndë e detyrueshme .

Pyetjes sonë Gjorçev iu përgjigj se “lëndët gjuhësore nuk janë të përfshira në të gjitha programet studimore dhe janë fakultative, kështu që studentët mund të zgjedhin se cilën gjuhë do ta studiojnë”.

Ndër informacionet e publikuara nga UNS, hasëm në lajmin se profesori Zoran Panov më 16 shkurt të vitit 2022 ka mbajtur orën e parë të kursit falas të gjuhës ruse. Ora është mbajtur me sukses ku të pranishëm online kanë qenë 350 vizitorë.

Selia e UNS-së adresa shoqatash dhe sindikate ruse

Në vitin 2004 Universiteti Ndërkombëtar Sllav “Gavrilo Romanoviç Derzhavin” u akreditua në Maqedoni si institucion i huaj i arsimit të lartë dhe është përfaqësues i Institutit Ndërkombëtar Sllav – Moskë, Rusi. Filloi me emrin “Instituti Ndërkombëtar Sllav” dhe punon si institucion për studime me korrespondencë (Vendimi nr. 12-8157/1, nga data 20.07.2005). Përveç se në Sveti Nikole, UNS ka një kampus edhe në Manastir.

Selia e UNS-së është në Sveti Nikole, në rrugën “Marshall Tito” numër 77. Në këtë adresë në Sveti Nikole janë të regjistruara edhe disa shoqata të tjera, biznese dhe një sindikatë:
1. SHQ „Lipa “ e miqësisë maqedono-ruse;
2. Lidhja e shoqatave për miqësi maqedono-ruse;
3. Shoqata e qytetarëve rusishtfolës “Eurasia”.

Pronari i UNS-së, Jordan Gjorçev, është kryetar shumëvjeçar i Lidhjes së Shoqatave të Miqësisë Maqedono-Ruse në Maqedoni.

Në këtë adresë ndodhet edhe selia e Rotari Klubit Sveti Nikole, Qendra Botërore për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Shoqata e Studentëve të Universitetit Sllav, Shoqata Qytetare e Kultivuesve të Krimbave të Kalifornisë “Agro Crv”, KHF “Ovçe Pole”.

Pronar me pjesëmarrje prej 100 përqind i UNS-së është Jordan Gjorçev, i cili një mandat ishte kryetar i Komunës së Sveti Nikoles. Për rreth njëzet vite, përveç universitetit, aktivitetin e ka zgjeruar edhe me shfaqje kinematografike, publikim, ndërsa në vitet e fundit edhe me aktivitete hotelierike nëpërmjet restorantit “Moska” me seli në godinën e UNS-së dhe me hapjen e dy hoteleve në Prespë dhe Sveti Nikole.

Përndryshe, në UNS shkollimin e kanë kryer edhe dhjetëra administratorë të etur për avancim në karrierë, deputetë, politikanë dhe personazhe publike. Në mesin e politikanëve më të rinj që kanë magjistruar në UNS është edhe Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov. Lideri i Maqedonisë së Bashkuar, Janko Baçev, ishte një nga profesorët në Fakultetin Juridik në UNS.

Bashkëpunimi me institucionet arsimore ruse

Si UNS ashtu edhe Universiteti i Veliko Tërnovos kanë një histori të bashkëpunimit mes profesorëve dhe studentëve me universitetet ruse. Mirëpo, në vitet e fundit nuk ka pasur një praktikë të tillë, thotë Samoill Mallçeski, profesor në Fakultetin Ekonomik të UNS-së.

“Në katër vitet e fundit, për aq kohë sa jam unë i punësuar në Universitet, nuk kam dëgjuar që studentët apo profesorët tanë të kenë qenë pjesë e bashkëpunimit me institucione arsimore apo të tjera nga Federata Ruse. Ajo që kam dëgjuar është se që nga çasti kur filloi lufta në Ukrainë, Universiteti i ndërpreu të gjitha kontaktet me universitetet partnere nga Federata Ruse”, u përgjigj Mallçeski.

I pyetur nëse në ndonjë nga takimet zyrtare universitare është diskutuar për luftën në Ukrainë, Mallçeski u përgjigj negativisht.

“Universiteti ka aktivitete të përditshme që lidhen me qëllimin themelor të ekzistencës së universitetit, që janë shkenca dhe mësimdhënia, e që janë në interes të studentëve tanë, kështu që në takimet tona, formale dhe joformale, ne i diskutojmë ato aktivitete dhe nuk diskutojmë aspak për tema politike”, tha Mallçeski.

Me Universitetin Shtetëror të Tambovit “G. R. Derzhavin” nga Rusia, në vitin 2010 UNS-ja fillon organizimin e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Dialogu Ndërkombëtar: Lindje-Perëndim”. Pavarësisht se pretendohet që lidhjet me këtë universitet janë ndërprerë, në konferencën që u mbajt në qershor të vitit të kaluar me fjalë përshëndetëse u drejtua edhe profesoresha Irina Bezukladova nga Universiteti rus i Tambovit.

Diploma evropiane dhe arsim bashkëkohor

Siç thotë rektori i Universitetit të Veliko Tërnovos, ky është motivi se pse ata hapën një degë tej kufijve në Sveti Nikole. Ambicia e tyre përfundimtare nuk janë studimet pasuniversitare, por ato universitare.

“Nëse ka interes për punën tonë, pse jo?! Ka shumë mundësi dhe vende të tjera në të cilat ne mund t’i ofrojmë programet tona. Vetëm programet aktive të magjistraturës të akredituara në UVT për vitin akademik 2022/23 janë 124, pothuajse në të gjitha gjuhët evropiane”, tha rektori Bonxhollov.

Pastaj ai shtoi:

“Ne jemi institucion arsimor dhe ofrojmë mundësi të mira për të rinjtë. Shpresoj që politikanët dhe mediat nuk do t’i pengojnë qëllimet dhe marrëdhëniet tona të mira me partnerët tanë nga UNS-ja”, tha rektori i universitetit bullgar.

Regjistrimi i njëqind studentëve në ciklin pasuniversitar është ambicia e partnerëve universitar maqedono-bullgarë. Këtë numër të studentëve Universiteti i Veliko Tërnovos e kishte planifikuar gjatë akreditimit, e më pas edhe gjatë regjistrimit, duke dhënë garanci bankare për këtë numër. Bullgarët presin fillimin e studimeve në mars, ndërsa partnerët maqedonas në fillim të vitit të ardhshëm akademik. Deri më tani askush nuk flet për ndikimin e marrëdhënieve të acaruara politike mes dy vendeve. Të dy universitetet shprehen me një fjalor të dominuar nga shprehje si arsimi evropian, diploma të njohura, bashkëpunimi, rinia.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.