Ukraina kërkon nga Maqedonia e Veriut t’i bashkohet sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Rusisë

Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Natalia Zadorozhnyuk në Panel diskutimin e CIVIL-it në temë “Kriza ruso-ukrainase dhe Maqedonia e Veriut”, që u zhvillua më 9 shkurt, deklaroi se, në lidhje me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, Ukraina pret mbështetje të qartë dhe pa mëdyshje politike nga Maqedonia e Veriut por edhe që vendi ynë t’i bashkohet sanksioneve ekonomike kundër Rusisë që u vendosën nga Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2014, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnjuk; Foto: Ambasada e Ukrainës në Shkup
Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnjuk; Foto: Ambasada e Ukrainës në Shkup

“Presim t’i bashkoheni sanksioneve të Bashkimit Evropian. Nuk mund të ulesh në dy karrige. Ka momente në jetë kur duhet të vendosësh vetë, së pari, në cilën anë të barrikadës je. Ukrainasit kanë përvojë negative shumë bindëse me neutralitetin. Nëse shkojmë në Bashkimin Evropian dhe NATO, nëse jemi pjesë e vlerave evropiane, atëherë e demonstrojmë atë jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime dhe vepra”, tha ambasadorja ukrainase Zadorozhnyuk.

Mbështetje politike nga vendi për Ukrainën ka

Sa i përket përkrahjes politike, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, më 31 janar të këtij viti në takim me ambasadorin rus në Shkup, Sergej Bazdnikin e përsëriti pozicionin se Maqedonia e Veriut e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Mbështetja politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës mbërriti disa ditë më vonë edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili më 3 shkurt u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Dimitar Kovaçevski dhe Jens Stoltenberg
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg | Burimi i fotos: Qeveria e RMV-së

“E mbështesim propozimin e NATO-s për takime tematike me Rusinë për gjendjen e marrëdhënieve, sigurinë evropiane me fokus Ukrainën, transparencën, uljen e rrezikut dhe kontrollin e armëve. E mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.

Sanksione ekonomike nga vendi ndaj Rusisë nuk ka

Megjithatë, prej vitesh vendi nuk iu ka bashkuar sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian pas aneksimit të paligjshëm, nga Rusia, të gadishullit të Krimesë, i cili ndodhet në territorin ukrainas. Maqedonia në vitin 2014 nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së pas aneksimit të Krimesë dhe që atëherë nuk kemi marrë vendim të ri, ndërsa në fund të vitit 2020 për këtë temë ka shkruar Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

Ish-kryeministri Zoran Zaev në një deklaratë më 30 dhjetor 2020 shpjegoi se Maqedonia e Veriut nuk iu ka bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, sepse vendi ka interes serioz për bashkëpunim ekonomik me Rusinë.

“Ne jemi vend kandidat për anëtarësim në BE, por nuk jemi anëtar. Është në interes të qytetarëve dhe shtetit, që nëse nuk duhet të bëjmë diçka, të mos e bëjmë. Përkundër gjithë asaj që thashë, ne nuk iu kemi bashkuar masave ekonomike ndaj Rusisë, sepse kemi interes serioz për bashkëpunim ekonomik me Rusinë. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe për ne nuk ka alternativë për BE-në, por vendi ynë ka interes të jetë mik me pjesën tjetër të botës”, tha atëherë kryeministri Zaev.

Ai shtoi se që nga viti 2016, vendi iu ka bashkuar të gjitha deklaratave, masave dhe sanksioneve të miratuara nga BE-ja, përfshirë ato kundër qytetarëve dhe personave juridikë rusë. Shkalla e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në qëndrimet, masat dhe deklaratat e BE-së, përkatësisht respektimi i tyre në fund të vitit 2020 ishte 94 për qind, ndërsa në vitin 2016 ishte 74 për qind.

Eksportet drejt Rusisë u ulën, importet u rritën

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave për Tregti të Jashtme në periudhën janar-dhjetor 2021, Federata Ruse është në vendin e 20-të në mesin e vendeve me të cilat Maqedonia e Veriut ka pasur vëllimin më të madh të tregtisë. Vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve vitin e kaluar arriti në 233.507.000 dollarë amerikanë dhe është rritur për 12,4 për qind krahasuar me vitin 2020.

Kështu, eksporti i Maqedonisë së Veriut në Federatën Ruse vitin e kaluar ka qenë 57.140.000 dollarë amerikanë dhe është zvogëluar për 5,4 për qind në krahasim me vitin 2020, ndërsa nga Rusia në vitin 2021 kemi importuar mallra në vlerë prej 176.367.000 dollarë dhe kjo është një rritje prej 19,7 për qind në krahasim me Janar-Dhjetor 2020. 

Sanksionet e BE-së janë në fuqi për gati 8 vjet

Flamuri i Bashkimit Evropian - BE, Arbnora
Flamuri i Bashkimit Evropian – BE

Bashkimi Evropian, në vitin 2014, së bashku me Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë menjëherë pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit të Krimesë nga Rusia. Sipas komunikatës së fundit të Këshillit Evropian nga 13 janari 2022, BE i ka vazhduar sanksionet ekonomike kundër Rusisë deri më 31 korrik 2022. Deri më tani, BE-ja ka shtuar shpesh masa të reja ndaj Rusisë.

Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë përfshijnë kufizimin e qasjes në tregjet primare dhe sekondare të kapitalit të BE-së për disa banka dhe kompani ruse, si dhe ndalimin e formave të ndihmës financiare dhe ndërmjetësimit për institucionet financiare ruse. Sanksionet e ndalojnë edhe eksportin, importin ose transferimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të materialeve që ndërlidhen me mbrojtjen, por edhe kufizime të qasjes ruse në disa teknologji të ndjeshme që mund të përdoren në sektorin energjetik të Rusisë, për shembull, në prodhimtarinë dhe kërkimin e naftës, si dhe një sërë të sanksioneve të tjera ekonomike të BE-së ndaj Rusisë.

Në të njëjtën kohë, masat e ndërmarra nga BE ndaj Rusisë në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës aktualisht aplikohen ndaj 185 persona dhe 48 subjekte. Në rastin e personave, ata i nënshtrohen ngrirjes së pronës, duke përfshirë ndalimin e dispozicionit të fondeve, si dhe ndalimin e udhëtimit, gjë që i pengon këta persona të hyjnë ose kalojnë transit nëpër shtetet anëtare të BE-së, thuhet në ueb-faqen e Këshillit Evropian.

Përveç aplikimit nga vendet anëtare të BE-së, sanksionet e BE-së të vendosura ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë u mbështetën edhe nga Mali i Zi dhe Shqipëria si kandidatë për anëtarësim në BE, por jo edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Sipas një deklarate të Këshillit Evropian të 27 korrikut 2021, sanksionet u zgjatën deri në verën e vitit 2022 i mbështetën Mali i Zi dhe Shqipëria, së bashku me Gjeorgjinë dhe Norvegjinë. Ndryshe, vendet kandidate për anëtarësim në BE nuk janë të obliguar që të zbatojnë plotësisht rregulloret evropiane para se të bëhen anëtarë zyrtarë të Unionit.

Maqedonia nuk ka interesa politike të ngjashme me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq | | Foto: Qeveria e Republikës së Serbisë, srbija.gov.rs
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq | | Foto: Qeveria e Republikës së Serbisë, srbija.gov.rs

Megjithatë, në rastin e Serbisë, lidershipi aktual në Beograd, nëpërmjet Kryetarit të Parlamentit serb Ivica Daçiq, në qershor të vitit 2021 tha se Serbia nuk do të vendoste kurrë sanksione ndaj “mikut të saj Rusisë”, kurse EUObserver e transmeton qëndrimin e tij dhe qëndrimin e ministrit të Jashtëm serb Nikolla Selakoviq se Rusia ia jep mbështetjen më të madhe Serbisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të saj mbi Kosovën. Megjithatë, ndryshe nga Serbia, e cila kërkon një aleat më të fuqishëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë me Kosovën, Maqedonia e Veriut aktualisht nuk ka interes të tillë politik nga Rusia.

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ndikimi rus në sektorin energjetik në Serbi është shumë më i pranishëm. Industria e naftës Serbia (NIS), një nga eksportuesit më të mëdhenj të Serbisë, është në pronësi të kryesisht kompanisë ruse “Gazprom Njeft” pasi 51 për qind e aksioneve u shitën në vitin 2008. Radio Evropa e Lirë në serbisht shkruan se për të tetin vit radhazi NIS nuk mund të marrë kredi nga bankat perëndimore, por problem është edhe blerja e pajisjeve nga prodhuesit e BE-së dhe SHBA-së. Shkak për këtë nuk janë vetëm sanksionet ekonomike të vendosura të BE-së ndaj Rusisë, por edhe fakti që kompania shtetërore ruse “Gazprom Neft”, e cila zotëron NIS, është përfshirë në listën e zezë të subjekteve të BE-së dhe SHBA pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.