Të gjithë duan Qendër Klinike të re, nuk ka hero ta ndërtojë
Qendër të re klinike kanë paralajmëruar të gjitha autoritetet në dhjetë vitet e fundit, partitë e premtuan në programet zgjedhore si objekt kryesor kapital, u shpallën tendera, u lidhën kontrata, u hodhën lopata… Ndërtimi i qendrës mjekësore moderne mjekësie është premtuar nga të gjithë ministrat e shëndetësisë që nga viti 2010, duke filluar nga Bujar Osmani, pastaj Nikolla Todorov, Arben Taravari, Venko Filipçe e deri te Bekim Sali tani dhe sipas premtimeve është dashur të përfundojë shumë kohë më parë. Por kjo nuk ndodhi, qendra e re klinike mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar dhjetëvjeçare
Shkupi bëhet me qendër të re klinike
Do të fillojmë ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare të re, moderne dhe funksionale në Shkup, e cila do të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore për popullatën e të gjithë vendit. Prioritet është ndërtimi i një sistemi shëndetësor të përballueshëm, cilësor dhe afatgjatë, i cili do të rrisë ndjeshëm standardet e trajtimit dhe mjekimit të pacientëve. Vendndodhja dhe dimensionet e përzgjedhura sigurojnë kujdes të mirëpërcaktuar shëndetësor, lidhje funksionale, shfrytëzim të burimeve të përbashkëta, por edhe qasje të lehtë nga disa lokacione në vend dhe shmangie të bllokimeve të trafikut në Shkup.
[Burimi: Programi zgjedhor i LSDM-së (2020) „Mundemi“ (fq.9 dhe fq.118) – data: korrik 2020]
ARSYETIMI:
Qendra e re klinike ngeci në dalje nga Shkupi, pranë unazës në zonën e Vele Polës në komunën e Gjorçe Petrovit. Në lokacionin që sipas LSDM-së është i tillë që do të mundësojë qasje të lehtë për pacientët të cilët do të vinin nga disa drejtime të vendit, një objekt i tillë kapital ende nuk ka filluar të ndërtohet fare.
Premtimin për ndërtimin e “Qendrës së re Klinike Universitare, moderne dhe funksionale në Shkup, e cila do të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore për popullatën në mbarë vendin”, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja nuk e realizoi në gati gjashtë vitet e fundit. Ky është një nga projektet prioritare të premtuar në programin e tyre zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme 2020 “Mundemi” (fq.9 dhe f.118), si dhe në programin “Plani për jetën në Maqedoni”, (f.137 dhe fq.253 ) me të cilën dolën në zgjedhje në 2016 dhe me të cilën erdhën në pushtet më 31 maj 2017.
Nëse dhe kur do të fillojë ndërtimi është plotësisht e pasigurt. Ministri aktual i Shëndetësisë, Bekim Sali, është optimist se ndërtimi i Klinikës së re do të fillojë në mandatin e tij, thekson se është prioriteti i tij numër një, por ende nuk është gjetur zgjidhja më e mirë financiare për ndërtimin e saj.
Kronologji: Ëndrra dhjetëvjeçare për një qendër të re klinike
Qendër të re klinike kanë paralajmëruar të gjitha autoritetet në dhjetë vitet e fundit, partitë e premtuan në programet zgjedhore si një objekt kryesor kapital, u shpallën tendera, u lidhën kontrata, u hodhën lopata… Ndërtimi i një qendre mjekësore moderne është premtuar nga të gjithë ministrat e shëndetësisë që nga viti 2010, duke filluar nga Bujar Osmani, pastaj Nikolla Todorov, Arben Taravari, Venko Filipçe e deri te Bekim Sali aktual dhe sipas premtimeve është dashur të jetë gati shumë kohë më parë. Por kjo nuk ndodhi, qendra e re klinike mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar dhjetëvjeçare.
12 vjet më parë, në tetor 2010, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Bujar Osmani, prezantoi studimin e fizibilitetit për vendosjen e Qendrës Klinike Universitare në afërsi të fshatit Bardovci, në një sipërfaqe prej 93 hektarësh. Arsyet e ndërtimin e një qendre të re klinike Osmani atëherë i vendosi në vështirësitë për qasje në Qendrës Klinike Universitare ekzistuese, pra vështirësitë për të arritur atje dhe faktin që ndërtesat janë të ndara nga njëra-tjetra pa ekzistimin e lidhjeve të ngrohta dhe korridore… Sipas studimit të fizibilitetit që ai miratoi Qeverinë e atëhershme, zhvendosja e përgjithshme e Qendrës Klinike vlerësohej rreth 450 milionë euro. Ishte planifikuar që qendra e re të shtrihej në një sipërfaqe prej 195,000 metrash katrorë, të pajisej me teknologjinë më të fundit dhe të përmbante rreth 50 për qind dhoma me nga një krevat. Plani në atë kohë përfshinte gjithashtu ndërtimin e një terminali hekurudhor dhe të autobusëve për të siguruar qasje dhe lidhje me të gjitha qendrat në rajon. Pritjet ishin që e gjithë kjo të realizohej në dhjetë vitet e ardhshme, që do të thotë deri në vitin 2020, kur Qendra Klinike Universitare do të zhvendosej tërësisht në objektin e ri në Bardovc.
Planet e këtilla nuk u realizuan.
Gruevski dhe Todorov zyrtarisht filluan ndërtimin
Në fillim të vitit 2012, kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski paralajmëroi ndërtimin e një qendre të re klinike në lokacionin ekzistues, duke mos e hedhur poshtë idenë për ndërtimin e një qendre tjetër në Bardovc, e cila do të ndërtohej më vonë. U njoftua se godina e re klinike do të shtrihet në 50 mijë metra katrorë dhe do të ketë në krye një heliport modern. Qeveria atëherë ishte në dilemë nëse do të ndërtonte dy godina katërkatëshe apo një ndërtesë nëntëkatëshe. Pavarësisht nga forma e objektit dhe numri i kateve, objekti është dashur të ndërtohet në vendin e Klinikës së vjetër të Gjinekologjisë, e cila është shembur deri në themel. Qendra e re klinike duhej të strehonte shumicën e klinikave universitare, të lidhura me njëra-tjetrën me “lidhje të ngrohta”. Vetëm klinika e fëmijëve, ajo infektive dhe dentare do të qëndronin në ambientet ekzistuese të veçanta.
Më pas, Gruevski njoftoi se ndërtesa e re klinike do të fillojë të ndërtohet në mesin e vitit të ardhshëm (2013), dhe do të jetë gati në vitin 2015. I gjithë investimi vlerësohej në më pak se 50 milionë euro dhe paratë do të siguroheshin nga Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës.
Në janar 2013, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Nikola Todorov dhe drejtori i kompanisë italiane Aren S.R.L. nga Torino, Davide Savoini nënshkruan Marrëveshje për përgatitjen e një projekti arkitektoniko-urban me një projekt paraprak dhe një projekt bazë për ndërtimin e Qendrës së re Klinike dhe më pas në gusht të po atij viti u prezantua edhe projekti ideor, ndërsa fillimi i ndërtimit ishte paralajmëruar për fillim të vitit 2014, kur edhe filloi zyrtarisht ndërtimi i Qendrës së re Klinike “Nënë Tereza” (2 janar 2014), me prishjen e objektit të vjetër të Gjinekologjisë. Tani investimi llogaritet në 70 milionë dollarë, ndërsa afati i ndërtimit është tre vjet (deri në vitin 2017).
Por pas nisjes ceremoniale të ndërtimit, punët u ndalën dhe qendra e re mjekësore u ngatërrua në tenderë, projekte për shembje dhe dokumentacione.
Në “5 në 12” u nënshkrua kontratë për ndërtim
Në tetor 2016, Todorov përsëri njoftoi ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup dhe investimi u rrit në 128 milionë euro.
Vetëm investimi për ndërtim kushton rreth 68 milionë euro, ndërsa investimi i përgjithshëm për modernizimin e kampusit është 128 milionë euro, tha Todorov në një konferencë për media ku njoftoi se është shpallur tender për ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare.
Ai atëherë tha se pas zbatimit të procedurave ligjore, punimet e ndërtimore do të nisin në fillim të vitit 2017 dhe planifikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2021, pra, siç sqaroi ai, periudha e realizimit është 45 muaj, me periudhë garantuese prej 12 muajsh.
Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE më 19 maj 2017 (dhjetë ditë para ndërrimit të qeverisë) nënshkroi marrëveshje për ndërtimin e këtij objekti kapital shëndetësor me kompanitë kontraktore: “Granit” dhe “Beton” nga Maqedonia dhe ajo italiane “Inso system” . Sipas planeve të asaj kohe, godina e re e qendrës klinike duhej të ishte me sipërfaqe neto prej 46,987 metra katrorë hapësirë të dobishme, 6,416 metra katrorë tarraca të ecshme dhe çati kopshte , si dhe heliport prej 531 metrash katrorë. Objekti do të përbëhej nga kati nëntokësor, kati përdhes, nëntë kate dhe një heliport modern për transportin e pacientëve në katin e 10-të.
Qeveria e re solli edhe revizion të marrëveshjes
Pas ndërrimit të pushtetit në qershor të vitit 2017, Qeveria e re e udhëhequr nga LSDM-ja mori vendim për rishikimin e plotë të kontratës për ndërtimin e qendrës së re klinike në vendin e ish objektit të Klinikës Gjinekologjike dhe Ministria e Shëndetësisë nisi auditim të brendshëm të projektit të ndërtimit. Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Taravari, deklaroi se qeveria e kaluar ka promovuar me këmbëngulje ndërtimin e një qendre klinike dhe në fakt “nuk është qendër klinike, por vetëm godinë për klinika të brendshme dhe është vetëm një zgjidhje e pjesshme”. Taravari tha se sipas planit dhe projektit të qeverisë së kaluar ishte planifikuar të ndërtohej vetëm një objekt në të cilin do të vendosen degët interniste, ndërsa kirurgjia, onkologjia, gjinekologjia, kardiologjia dhe kardiokirurgjia, sëmundjet infektive, pediatria do të mbesin në ndërtesat e vjetra.
Maqedonia ka nevojë për një Qendër Klinike krejtësisht të re, duke pasur parasysh se vendi dhe lokacioni i qendrës aktuale klinike nuk është aspak adekuat. Ne duam të ndërtojmë një Qendër Klinike sipas standardeve më të larta botërore, ku do të ketë hyrje të shumta, parking, klinika të ndërlidhura, siç rekomandohet nga ekspertë dhe inxhinierë të specializuar në këtë fushë, tha atëherë Taravari.
Pastaj në një intervistë ai tha se për momentin nuk ka zgjidhje konkrete se ku do të ndërtohet Qendra Klinike, por ideja është që ajo të jetë jashtë Shkupit, diku afër unazës.
Filipçe fillimisht premtoi klinikë të re në Bardovc, pastaj në Vele Pole
Pasi Taravari në zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2017, u bë kryetar i komunës së Gostivarit, Venko Filipçe zuri vendin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë (dhjetor 2017).
Menjëherë pas marrjes së postit ministror, Filipçe në një konferencë për media në Qeveri (9 mars 2018) njoftoi se qendra e re klinike do të ndërtohet në Bardovci afër Spitalit Psikiatrik. Më pas ai tha se për ndërtimin e saj do të duhen rreth shtatë vjet (deri në vitin 2025). Më pas, Filipçe përmendi se ka detyrime të caktuara financiare sipas kontratës së nënshkruar më parë për ndërtimin e Qendrës Klinike, por Qeveria do të përpiqet të pajtohet për një zgjidhje të re dhe të mos paguajë gjoba.
Një vit më vonë, shkurt (2019), Qeveria hoqi dorë nga ky lokacion dhe vendosi të ndërtojë Qendrën e re klinike në zonën e Vele Polës në Gjorçe Petrov. Filipçe pastaj tha se janë shënuar tri lokacione – në Karposh (Bardovci), Gjorçe Petrov dhe Petrovec, ndërsa ekipi i ekspertëve ka ardhur në përfundim se Gjorçe Petrovi është lokacioni ideal për shkak të tokës që është tërësisht në pronësi shtetërore, lokacionit dhe kostos më të ulët.
Në fillim të qershorit 2019, Qeveria mori Vendim për fillimin e procedurës për kthimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore në Komunën e Gjorçe Petrovit për ndërtimin e Qendrës së re Klinike. Më 31 korrik 2019, ministri Filipçe deklaroi se qendra e re klinike në komunën e Shkupit, Gjorçe Petrov, do të fillojë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm (2020), do të jetë plotësisht gati për shtatë vjet (pra në vitin 2027), dhe i gjithë projekti do të kushtojë 500 milionë euro, para që do të sigurohen nëpërmjet bankave Erste Group, Raiffeisen Bank dhe Unicredit Bank. Së shpejti Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në lokacionin “Vele Pole”.
Ndërkohë shpërtheu pandemia Covid dhe u zvarritën aktivitetet lidhur me projektin për ndërtimin e Qendrës së re Klinike. U shpallën gjithashtu zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat u mbajtën në korrik 2020.
Lideri i LSDM-së këtë projekt e ka premtuar edhe në programin e ri zgjedhor (“Mundemi” fq.9 dhe fq.118), ndërsa pasi u zgjodh ministër i Shëndetësisë në qeverinë e re, Filipçe siguroi sërish se qendra e re klinike do të ndërtohet në lokacionin në Gjorçe Petrov.
Qendra e re Klinike do të fillojë patjetër të ndërtohet gjatë këtij mandati katërvjeçar të Qeverisë. Është diçka që pacientët tanë e meritojnë, deklaroi Filipçe në shtator 2020 gjatë një paraqitje në emisionin “Samo vistina” në televizionin Kanal 5.
Ai tregoi se ka filluar procedura për ndërtimin e Qendrës së re Klinike, por ajo është ndërprerë për shkak të procesit zgjedhor dhe pandemisë Covid-19. Ai theksoi se ndërtimi i Qendrës Klinike do të fillojë gradualisht dhe se i pari nga katër blloqet e Qendrës së re Klinike duhet të përfundojë në katër vitet e ardhshme (2024). Lidhur me financimin, Filipçe tha se modeli financiar ende është duke u punuar dhe llogaritet se do të kushtojë rreth 450 milionë euro.
Qendra e re Klinike e “dërrmuar” me 2000 amendamente
Më 1 dhjetor 2020, Qeveria miratoi projektligjin për zbatimin e projektit për Qendrën e re Klinike Universitare. Në fund të vitit, projektligji hyri në procedurë parlamentare dhe Kuvendi pas një procedure të shkurtuar miratoi nevojën për miratimin e tij.
Më pas, në shkurt të vitit 2021, opozita VMRO-DPMNE, me rreth 2000 amendamente, bllokoi projektligjin për ndërtimin e Qendrës së re Klinike, duke e quajtur atë krim në vazhdim dhe duke akuzuar qeverinë se ka shpenzuar shumë para për të.
Në maj të vitit 2021, në një konferencë për media, ministri Filipçe i bëri thirrje opozitës që të zhbllokojë miratimin e ligjit të ri për qendrën klinike, sepse “qytetarët meritojnë një qendër klinike të re dhe moderne ku do t’i marrin të gjitha shërbimet shëndetësore në një vend”.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka mbajtur qëndrimin e tyre që qendra klinike “Nënë Tereza” të rinovohet tërësisht dhe që do të kushtojë rreth 100 milionë euro, si dhe të ndërtohet një qendër klinike emergjente, e cila do të jetë përballë Klinikës “Zhan Mitrev” dhe me të cilën do të lidheshin Poliklinika “Bukuresht” dhe Spitali “8 Shtatori”. Përveç kësaj zgjidhjeje, VMRO-DPMNE propozoi që të ndërtohen edhe tre spitale klinike universitare në Tetovë, Shtip dhe Manastir, të cilat do të kushtonin secili nga dhjetëra milionë euro.
Debatet dhe tensionet mes pushtetit dhe opozitës vazhduan edhe në periudhën në vijim, ndërsa gjërat u zgjeruan edhe më tej për shkak të zgjedhjeve lokale dhe pandemisë kovid.
Edhe për Salin ndërtimi Qendrës Klinike është prioritet, vetëm se nuk ka para
Në fund të tetorit të vitit të kaluar (2021), pas humbjes në zgjedhjet lokale, Zaev njoftoi (31 tetor 2021) se po jep dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe pozita udhëheqëse në LSDM. Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e tij dhe kjo sipas Kushtetutës (neni 93) solli dorëheqjen e gjithë Qeverisë. Kabineti i ri qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski u zgjodh më 16 janar 2022, ndërsa Bekim Sali nga Alternativa mori postin e ministrit të Shëndetësisë.
Kur Sali erdhi në detyrë për herë të parë, tha se do të tërheqë ligjin për Qendrën Klinike nga Kuvendi dhe nisi bisedimet me aktorë politikë nga pushteti dhe nga opozita për të zhbllokuar procesin dhe për të gjetur zgjidhje optimale. Janë përmendur tri lokacione të mundshme, afër kazermës “Ilinden”, afër spitalit “8 Shtatori” dhe në zonën Vele Pole në Komunën e Gjorçe Petrovit.
Më pas, në korrik të këtij viti, ministri Sali deklaroi se ndërtimi i një Qendre të re Klinike mbetet prioriteti i tij numër një, por që tani për arsye financiare nuk është e mundur të realizohet.
Është një projekt kompleks që kërkon disa zgjidhje, duke përfshirë edhe pjesën financiare. Për shkak të mungesës së zgjidhjes më të mirë financiare për realizimin e këtij projekti, vazhdojmë me renovimin dhe përshtatjen e klinikave ekzistuese deri në momentin kur do të përfundojë mozaiku i nevojshëm për realizimin e një projekti të tillë kapital, tha Sali.
Në vjeshtë, në Ministrinë e Shëndetësisë, 6 kompani të huaja të përfshira në ndërtim prezantuan konceptet për ndërtimin, financimin dhe trajnimin e stafit profesional dhe administrativ. Në një prononcim për Sitel, ministri Sali tha se duan të mbledhin përvoja dhe të zgjedhin modelin dhe mënyrën më të mirë të ndërtimit të kompleksit, i cili prej vitesh është vetëm në letër dhe se themelet nuk janë goditur. Autoritetet shëndetësore nuk kanë përcaktuar nëse do të zgjedhin një nga kompanitë që kanë vizituar ministrinë. Megjithatë, pavarësisht se kush e ndërton qendrën e re klinike, ajo do të jetë në lokacionin Velepole.
Ndërkohë, rrezikohet që shteti të paguajë gjoba prej 8.5 milionë euro për qendrën mjekësore të pandërtuar, për shkak të ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e qendrës klinike “Nënë Tereza”, të nënshkruar nga ish-ministri Todorov, ndërsa e ndërprerë kur ministër ishte Filipçe. Tashmë ministria po shqyrton aspektet ligjore dhe mundësinë e uljes së gjobës prej rreth 8.5 milionë euro që duhet t’i paguajë kompanisë italiane për shkak të prishjes së kontratës.
Në gjashtë vitet e fundit, qeveria vazhdimisht u premtoi qytetarëve një qendër klinike të re moderne, por asgjë nuk doli nga ky premtim dhe planet e shumta. E vetë Filipçe pak para largimit nga posti ministror (në janar të këtij viti) deklaroi se i vjen keq që nuk e kanë filluar projektin për ndërtimin e qendrës së re klinike. Duke marrë parasysh të gjitha këto, si dhe faktin se deri në momentin kur është shkruar ky tekst (21.11.2022) objekti nuk ka filluar të ndërtohet fare dhe nuk dihet se kur dhe nëse do të ndërtohet, këtë premtim ne e vlerësojmë si të paplotësuar.
BURIME:
- Programi zgjedhor i LSDM (2020) „Можеме“ (стр.9 и стр.118) [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Programi zgjedhor i LSDM: План за живот во Македонија ( стр.137 и стр.253) [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Makfaks (26.10.2010): Новиот клинички центар подостапен за граѓаните [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Radio Evropa e Lirë (06.08.2013): За три години – Нов клинички центар [Kontrolluar: 21.11.2022]
- MKD (02.01.2014): Почнува изградбата на новиот клинички центар во Скопје [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Nova TV (30.06.2017): Новиот Клинички центар ќе се гради надвор од Скопје, кај обиколницата [Kontrolluar: 21.11.2022]
- SDK (02.07.2017): Новиот клинички центар да биде надвор од градското подрачје, став на Министерството за здравство [Kontrolluar: 21.11.2022]
- MKD (03.07.2017): Taravari: На Македонија ѝ треба комплетно нов Клинички центар [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Ueb-faqja e Ministrisë së Shëndetësisë (27.08.2018): Со изградба на нов и современ универзитетски клинички центар ќе се овозможи подобрување на ефективноста и ефикасноста во здравствените услуги [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Kanal 5 (29.03.2022): Проектот „Нов клинички центар“ веќе никој не го споменува [Kontrolluar: 21.11.2022]
- SDK (16.05.2022): Сали најави дека ќе го повлече законот за изградба на нов клинички центар во Скопје [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Nezavisen (29.07.2022): Изградбата на новиот клинички центар е приоритет, но пари нема [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Faktor (13.10.2022): ЗЕМЈАВА ЌЕ ПЛАЌА ПЕНАЛИ ОД 8,5 МИЛИОНИ ЕВРА – скапо ќе не чини раскинувањето на Договорот за изградба на Клиничкиот центар [Kontrolluar: 21.11.2022]
- Tajm.mk ( 13.10.2022): Се бара отштета од 8,5 милиони евра за раскинување на договорот за нов клинички центар [Kontrolluar: 21.11.2022]
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari