Tahiri vazhdon me deklarata kontroverse në lidhje me Kovid-19, ai nuk është kompetent për këtë temë

Këngëtari Labinot Tahiri i ftuar në një emision në “TV21” ka deklaruar se virusi korona është “kovid biznesi”. Kjo deklaratë kontravervse nuk është e para e tij, ai njihet edhe më herët për deklaratat e tija dezinformuese në lidhje me virusin korona. Nga ana tjetër, mjeku Adhurim Fazliu thotë se fytyrat publike dhe me ndikim duhet ta bëjnë të kundërtën e asaj që e bën këngëtari Tahiri, të bëjnë apel për vaksinim, shkruan Portalb.mk.

Në kuadër të festave të fundvitit, këngëtari Labinot Tahiri ka qenë i ftuar në emisioni festiv ‘Prite n’Shpi” në “TV21” ku në mes të tjerash kishte dhënë deklarata kontroverse në lidhje me virusin korona.

“Unë vazhdoj ta quaj kovid biznesi, natën e mirë, del presidenti, del kryeministri me fushata kallabllek, këngëtarët, këndimi e sjellë virusin, ndal se sbën me këndu, hipokrizi” deklaroi këngëtari Labinot Tahiri në një emision.

Rikujtojmë se këngëtari Labinot Tahiri edhe më herët kishte vendosur në pikëpyetje ekzistencën e virusit korona, përmes deklaratave si “S’ka virus”.

Mjeku Fazliu: Këto deklarime skandaloze ndikojnë në rritjen e revoltës në popullatë

Sipas mjekut Adhurim Fazliu është e saktë se qindra bizNnese kanë falimentuar dhe se mijëra vende pune janë humbur nga fillimi i pandemisë me Kovid-19, megjithatë, duhet të pranojmë faktn se jemi në një pandemi globale dhe të kontribuojmë që sa më shpejtë të dalim nga kjo situatë.

Adhurim Fazliu, mjek.
Adhurim Fazliu, mjek.

“Nuk janë të pakëta deklarimet e fytyrave të ndryshme publike në lidhje me Kovid-19 virusin. Jemi dëshmitarë se qindra biznese kanë falimentuar dhe se mijëra vende pune janë humbur,por deklarimet skandaloze dhe të papërgjegjshme ndikojnë në rritjen e revoltës edhe më tepër në popull. Jam i mendimit se nuk ekziston person në botë që nuk e dëshiron kthimin e gjendjes para pandemisë, prandaj duhet të gjithë të kontribuojmë sipas mundësisë në lehtësimin e situatës” tha mjeku Adhurim Fazliu.

Fazliu apeloi te të gjitha fytyrat publike si dhe me ndikim në masë që të ndikojnë në popullatë për ngritjen e vetëdijes për vaksinim masiv, ai shtoi se kjo do të ngadalësonte zhvillimet e vrullshme të mutacioneve të reja.

“Pres nga të gjitha figurat politike dhe publike që kanë sado pak ndikim në masë më madhe popullore të bëjnë apel të zhvillohet në mënyrë intenzive procesi i vaksinimit. Vaksinimi do të ngadalësonte zhvillimet e vrullshme të mutacioneve të reja dhe do të ndikonte në kalimin më të lehtë të infeksionit të mundshëm” shtoi Fazliu.

Në situata të pandemive globale mediet duhet të jenë bashkëpunëtorë në përmirësimin e situatës shëndetësore, kështu, duke ftuar persona kompetent për të informuar popullatën në lidhje me rrjedhën e pandemisë.

Është joserioze që një këngëtar të pyetet në lidhje me një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse, kjo për shkak se ky i fundit nuk është kompetent për të folur në lidhje me tema të cilat i tangojnë shëndetësisë.

Ndryshe, numri i infeksioneve globale me Covid-19 ka kaluar shifrën 300 milionë. U desh më shumë se një vit për të arritur shifrën 100 milionë dhe vetëm pesë muaj për 100 milionëshin e fundit të të infektuarve, ndërsa bota përballet me variantin shumë ngjitës Omicron.

 

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari