Si e ushqejnë teoritë konspirative epideminë globale të dezinformatave

Фото: Принтскрин колаж

Megjithëse disa teori konspirative duken të parrezikshme, shumë prej tyre kanë pasoja në botën reale. Teoritë konspirative si Kju Anon, 5G, HAARP, kemtrejlls dhe të ngjashme nxisin frikë, kanë potencial për ta cenuar besimin e publikut në shkencën, në institucionet dhe mund ta cenojnë politikën publike. Është thelbësore të jemi të kujdesshëm dhe të vlerësojmë në mënyrë kritike informacionet që i hasim, duke kërkuar burime të besueshme dhe duke u mbështetur në konsensusin e ekspertëve. Duke kuptuar bazat e këtyre teorive konspirative dhe faktet që i zbulojnë, mund të nxisim një shoqëri që e vlerëson të menduarin kritik të bazuar në prova

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Dezinformatat, të nxitura nga teoritë konspirative përbëjnë një kërcënim të dukshëm për shoqërinë, demokracinë dhe shëndetin publik. Epoka digjitale siguroi terren pjellor që narrativët plot me gënjeshtra, dezinformata dhe teori konspirative të përhapen si zjarr pyjor.

Teoritë konspirative janë një terren pjellor nga i cili nxirren dhe formohen shumë dezinformata. Këto teori shpesh rrotullohen rreth besimit se një grup individësh ose organizatash manipulojnë fshehurazi me ngjarjet globale për përfitimin e tyre.

Megjithëse disa teori konspirative duken të parrezikshme, shumë prej tyre kanë pasoja në botën reale. Ato mund të çojnë në mosbesim ndaj institucioneve, kriza në shëndetin publik, madje edhe në dhunë. Këto teori shpesh i mjegullojnë kufijtë ndërmjet fakteve dhe fiksionit.

Në këtë analizë, shtjellojmë shembuj të dezinformatave dhe lidhshmërisë së tyre me teoritë më të shpeshta konspirative, përfshirë Kju Anon, 5G, HAARP-in, Bill Gejts-in “famëkeq” dhe etj.

 

Kju Anon: Konspiracioni për shtetin e thellë

 

Kju Anon është një nga teoritë konspirative më alarmante për të tërhequr vëmendjen në vitet e fundit. Teoria bazohet në atë se një shoqëri e fshehtë e elitave që e adhurojnë Djallin dhe trafikojnë fëmijë e kontrollojnë botën. Ithtarët e Kju Anon besojnë se ish-presidenti Donald Tramp luftoi kundër këtyre forcave të errëta, të cilat shpesh quhen “shteti i thellë”.

Pjesëtarët e Kju Anon e përhapin edhe teorinë e adrenokromit dhe pretendojnë se Presidenti Tramp zhvillon një luftë të fshehtë kundër pedofilëve të elitës që e adhurojnë Djallin, e që janë pjesë e qeverisë, biznesit dhe mediave. Kjo teori konspirative pretendon se politikanët e “shtetit të thellë” dhe elita e Holivudit janë të përfshirë në një rrjet të madh rrëmbimi të fëmijëve që e mbledh përbërjen kimike adrenokromin nga fëmijët e abuzuar seksualisht që u nënshtrohen ritualeve satanike. Asnjë studim shkencor, hulumtim klinik apo agjenci zyrtare shëndetësore nuk e lidh adrenokromin me përtëritje. Nuk ka prova që kjo substancë përdoret për përtëritje dhe as që ka efekt halucinogjen. Megjithëse nuk është vërtetuar asnjëherë me prova se ekziston ndonjë praktikë të nxjerrjes së adrenokromit nga fëmijët, megjithatë narrativi nuk ndalet së qarkulluari në rrjetet sociale.

 

Kemtrejlls

Një nga teoritë më të qëndrueshme dhe më të përhapura të konspiracionit sillet rreth kemtrejlls, gjurmëve kimike që i lënë aeroplanët, për të cilat shpesh pretendohet se janë agjentë kimikë ose biologjikë të spërkatura qëllimisht nga aeroplanët. Përkrahësit sugjerojnë se këto shtigje janë pjesë e programeve sekrete të qeverisë për të kontrolluar motin, për të helmuar popullsinë apo edhe për të manipuluar sjelljen njerëzore. Edhe vala e nxehtë gjatë periudhave ishte e lidhur me të ashtuquajturën “spërkatje nga aeroplanët”.

E vërteta është se gjurmët e bardha të cilët i lënë aeroplanët pas tyre krijohen kur avujt e ujit dhe grimcat e vogla të karburantit të djegur të aeroplanëve ngrihen në kristale akulli. Gjatë lagështisë së ulët të ajrit, kristalet shpërbëhen. Gjatë lagështisë më të lartë ato mbijetojnë dhe përfundimisht krijojnë një gjurmë të dukshme në sipërfaqe të mëdha të qiellit. Jo të gjithë aeroplanët lënë gjurmë të bardha – vlerësohet se kjo ndodh vetëm te rreth 18 për qind e fluturimeve. Ajri duhet të jetë mjaft i ftohtë që uji të ngrijë, prandaj ato zakonisht ndodhin vetëm mbi lartësi të caktuara – zakonisht në lartësi mbi 6 km.

Për të vërtetuar se kjo teori konspirative është e rreme dhe mashtron njerëzit, Forbes publikoi një studim në të cilin 76 kimistë dhe shkencëtarë nga Universiteti i Irvine, Kaliforni, konfirmuan se ata kurrë nuk kishin gjetur prova të programeve të spërkatjes kimike në shkallë të gjerë nga aeroplanët për të dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe për të ndikuar në atmosferën.

 

Mohimi i ndryshimeve klimatike

 

Mohimi i ndryshimeve klimatike është një teori konspirative e vazhdueshme që hedh dyshim mbi konsensusin e komunitetit shkencor në lidhje me ndryshimet klimatike dhe pasojat e tij të tmerrshme.

Përhapja e dezinformatave dhe teoritë konspirative rreth ndryshimeve klimatike i pengon përpjekjet globale për zgjidhje të një prej çështjeve më urgjente të kohës sonë. Përhapen pretendime të pabaza se ndryshimet klimatike janë mashtrim ose pjesë e një plani të madh për të kontrolluar botën.

Në realitet, një pjesë e madhe e kërkimeve shkencore e mbështesin idenë se aktivitetet njerëzore, kryesisht djegia e karburanteve fosile, kontribuojnë dukshëm për ngrohjen globale. Krahas kësaj, shumica e organizatave kryesore shkencore në mbarë botën publikuan deklarata publike me të cilat e mbështesin këtë qëndrim. Rreth 97 përqind e shkencëtarëve klimatikë në mbarë botën pajtohen se ndryshimet klimatike janë reale dhe të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Në botën shkencore ky është konsensus.

5G

Teoria e konspiracionit 5G pretendon se futja e teknologjisë pa tel të gjeneratës së pestë është e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe është mjet potencial për mbikëqyrje të qeverive. Shpërndahen publikime në të cilat thuhet se 5G është një armë e shkatërrimit në masë, por komuniteti shkencor është i bindur se teknologjia 5G do të përdoret për të përmirësuar komunikimet në komunikimet ushtarake, por jo si një armë e shkatërrimit në masë. Ekspertët thonë se është e pakuptimtë përhapja e thashethemeve të frikshme se 5G përdoret si armë nga ushtria.

Po ashtu në Facebook shpërndahen postime që thonë se antenat 5G maskohen si kaktus, duke konfirmuar se ato janë të dëmshme. Por e vërteta është se kamuflimi i këtyre antenave bëhet kryesisht për pamje estetike dhe për radiofrekuencë më të mirë, për të mos pësuar dëmtime nga kushtet atmosferike që mund të shkaktojnë ndërprerje në transmetimin e valëve të radios.

Në rrjetet sociale u shfaq gjithashtu një postim duke thënë se presidenti rus Vlladimir Putin ka ndaluar kullat 5G dhe se Rusia do t’i shkatërrojë ato. Por si mbështetje nuk është ofruar asnjë provë e besueshme. Përkundrazi, sipas informacioneve të publikuara në faqet e internetit të Qeverisë së Rusisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Digjital, Komunikimit dhe Masmediave të Rusisë, në vend ekzistojnë programe aktive për rritjen e përfshirjes së rrjetit 5G.

Shpërndahej edhe një e pavërtetë se 5G mund të aktivizojë patogjenët që gjenden në vaksinat kundër Kovid dhe të shkaktojë sëmundje në trupat e të vaksinuarve. Në shkurt 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjithashtu njoftoi se nuk ishte zbuluar asnjë ndikim të këtij rrjeti në shëndetin publik. Rrjeti celular 5G nuk ka kurrfarë ndikimi as ndaj viruseve, as ndaj baktereve dhe nuk mund të përhapë sëmundje.

Teknologjia 5G funksionon në kuadër të udhëzimeve të përcaktuara të sigurisë dhe studime të shumta nuk kanë gjetur prova bindëse që e lidhin atë me efekte negative shëndetësore. Pretendimet për kullat 5G që dyshohet se shkaktojnë Kovid-19 ose përdoren për kontrollin e mendjes janë hedhur poshtë gjerësisht.

 

HAARP dhe kontrolli i kohës

 

Programi me frekuencë të lartë për hulumtim të dritës (HAARP) është projekt i përbashkët i partnerëve të ndryshëm: industria, Ministria e Mbrojtjes e Amerikës dhe universitete të shumta në mbarë SHBA-në. Shkencëtarët krijuan laboratori në Gakoni, Alaskë dhe instaluan 180 antena me frekuencë të lartë të cilat së bashku mund të emitojnë 3.600 kilovatë radiovalë në frekuenca prej 2.8 deri në 10 megahercë (rang i frekuencës së lartë), që u mundëson instrumenteve të ndjeshme t’i matin proceset fizike që zhvillohen në atë brez.

Po, për teoricionët e konspiracionit ky është projekt i fshehtë qeveritar qëllimi i të cilit është kontrolli i kohës, shkaktimi i katastrofave natyrore dhe manipulimi me mendjet.

Disa teoricienë të konspiracionit akuzuan se HAARP-i është fajtor për ndryshimet klimatike, si dhe për paraqitjen e tërmeteve dhe uraganeve. U pretendua se moti i lig në fillim të gushtit në vend, si dhe moti i lig i fuqishëm që e goditi Slloveninë në korrik, janë rezultat i HAARP-it. Këto pretendime nuk janë të mbështetura me prova shkencore dhe janë hedhur poshtë gjerësisht. Siç potencuam, ndryshimet klimatike janë reale. Nuk është i saktë pretendimi se ato janë rezultat i HAARP-it dhe se antenat mund të ndikojnë mbi ndryshimet klimatike, se shkaktojnë tërmete ose ndryshime në disponimin te njerëzit.

 

Bill Gejts dhe Kllaus Shvab janë objektiv i teorive konspirative

 

Dy personalitete të dalluara që kanë qenë objekt i teorive të shumta të pabaza të konspiracionit janë Bill Gejts dhe Kllaus Shvab.

Bill Gejts, bashkëthemelues i Majkrosoftit dhe filantrop i dalluar, u bë objekt i teorive konspirative që pohojnë se ai shfrytëzon vaksina për futjen e mikroçipeve te njerëzit dhe për ta kontrolluar popullsinë.

Një tjetër teori konspirative sillet rreth idesë se Gejts-i dëshiron ta shpopullojë botën përmes programeve për vaksinim. Në realitet, përpjekjet e Gejts-it në shëndetin publik janë orientuar në shpëtimin e jetëve dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës në rajonet e varfra.

Shpërndaheshin lajme të pavërteta se Gejts-i përmes mushkonjave do të injektojë te popullsia helme dhe viruse, siç e ka bërë atë me vaksinat mARN gjatë pandemisë kovid. Megjithëse Fondacioni Gejts siguron financim dhe mbështetje për luftë kundër malaries, ajo nuk ka financuar kurrfarë aktivitete që përfshijnë mbrojtje nga mushkonjat në ShBA ose në cilindo vend tjetër në botë. Fondacioni e ka mbështetur kompaninë bioteknologjike “Oksitek”, e cila lëshon mushkonja të modifikuara në Floridë si pjesë e iniciativës për kontroll të sëmundjes, por zëdhënësi i kompanisë ka deklaruar se puna e saj në ShBA nuk është financuar nga Fondacioni Gejts.

U manipulua gjithashtu se Gejts-i thur komplot për gjenocid, se ai dëshiron një pandemi globale dhe një shtet burg. Këto pretendime erdhën nga rubrika e tij në Nju Jork Tajms, por ai në fjalimin e tij në fakt flet për idenë e formimit të ekipeve të ekspertëve në çdo shtet që do të dinë si t’i përgjigjen shpejt sfidës nëse ndodh një pandemi e re.

Kllaus Shvab, themeluesi dhe kryetari ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror (FEB), është edhe një person tjetër objekt i teorive konspirative. FEB është i njohur për takimet e tij vjetore në Davos, Zvicër, ku liderët globalë mblidhen për të diskutuar për çështje urgjente globale. Sipas teorive konspirative, Shvab dhe FEB janë pjesë e një planifikimi të fshehtë global për të krijuar një Rend të Ri Botëror.

U pretendua gjithashtu se Shvab ka urdhëruar qeveritë në botë që t’i arrestojnë të gjithë ato që kanë lexuar “lajme të rreme” dhe t’i ndalojnë mediat e pavarura. Megjithëse në faqen e internetit të Forumit Ekonomik Botëror janë shpërndarë disa rekomandime për ballafaqimin me dezinformatat, Shvab nuk ka kurrfarë autorizimesh, as fuqi juridike ose politike t’u “urdhërojë” qeverive në mbarë botën se çfarë të bëjnë. Kjo është një dezinformatë klasike.

Më pas, duke cituar një libër të supozuar të tij, ai u prezantua si një përbindësh që ka një plan për të likuiduar 4 miliardë njerëz, gjë që është gjithashtu e pasaktë, pasi ai nuk është autor atij libri me atë titull.

Në rrjetet sociale u shfaq një pretendim se Forumi Ekonomik Botëror kërkon të ndalojë ngjizjen natyrale, përkatësisht se të gjitha foshnjat duhet të rriten në laborator. Por e vërteta është se Forumi Ekonomik Botëror nuk ka autoritet për të ndaluar ngjizjen natyrale dhe qëllimi i tillë nebuloz as që gjendet në agjendën e tyre.

Teoritë konspirative si Kju Anon, 5G, HAARP, kemtrejlls dhe të ngjashme kanë potencial ta cenojnë besimin e publikut në shkencë, tek institucionet, mund t’i cenojnë politikat publike, të nxisin frikë te publiku dhe në disa raste çojnë në dëme reale.

Është thelbësore të jemi të kujdesshëm dhe të vlerësojmë në mënyrë kritike informacionet që i hasim, duke kërkuar burime të besueshme dhe duke u mbështetur në konsensusin e ekspertëve. Duke kuptuar bazat e këtyre teorive konspirative dhe faktet që i zbulojnë, mund të nxisim një shoqëri e cila e vlerëson të menduarin kritik të bazuar në prova.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.